"...Mitet, ritet dhe besimet që lidhen me parmendën dhe pjesët përbërëse të saj ndeshen në të gjitha trevat etnografike të vendit. Por ne do të përqëndrohemi në trevën e Skraparit..." Kështu nis rrugëtimi mes enigmash, të panjohurash dhe bestitytnive që kohët mes reales dhe ireales mbulojnë mbi Skrapar. Pse "e marta" "e mërkura dhe "e premtja" nuk janë ditë favorizuese? - Flijimet në parmendë bëheshin në dy lloje. - Drutë dhe Hëna - Kur duheshin prerë për bereqet? Cilat janë disa nga fjalët e urta në botë referuar parmendës? Në Tomorricë yjësia e Arushës së Madhe quhej..." Corovoda Online ndalet në një postim të veçantë të autorit Viktor
Bakillari shkëputur nga libri me titull: "Visare të Skraparit".
Tradicionalisht parmenda, për vetë pozitën gjeografike të Skraparit, ka qënë për bujkun një shoqe e pandarë ndër shekuj. Kjo lidhet me vet faktin se bujqësia ka qënë fushë tradicionale dhe bazë e jetës ekonomike e skraparasve.
Skrapari ka pasur kushte disi të veçanta: toka malore e kodrinore, me pjerrësi terreni si dhe pak fusha. Janë pikërisht këto kushte që kanë përcaktuar ruajtjen dhe përdorimin e parmendës si vegël kryesore dhe të vetme për punimin e tokës.
Që në krye të radhës duhet pranuar se parmenda nuk ka qenë vetëm një vegël e thjeshtë pune, por dhe një objekt i rëndësishëm kulti pagan, me të cilën lidheshin shumë rite dhe besime. Mbi të, në raste të caktuara e në ditë të shënuara, duheshin kryer disa rite, të cilat mendohej se sillnin mbarësi e bollëk në prodhimin bujqësor, gëzim e lumturi në jetën familjare e shoqërore. Ajo ishte një vegël e përzgjedhur e fshatarit, ndaj së cilës duhej sjellë në disa mënyra të caktuara, si dhe duheshin përdorur disa shprehje po të caktuara, se ndryshe ajo humbiste të gjitha vlerat e cilësitë e saj si objekt kulti pagan.
Parmenda, mbas mbarimit të punëve bujqësore, sillej brenda oborrit të shtëpisë. Si vend për ruajtjen e saj , në përgjithësi, është përdorur nënstreha e kasolles, katoit ku mbahej gjithnjë varur. Si rregull, ajo nuk lihej përtokë si dhe nuk futej brenda në shtëpi. Këtu, krahas nevojës praktike për ta ruajtur nga lagështira, rol të rëndësishëm kanë luajtur besimet pagane të rrënjosura ndër shekuj.
Sipas tyre, dragoi dhe kuçedra ishin në një luftë të vazhdueshme që kishte filluar që kur ka lindur bota dhe vazhdon edhe sot. Bubullimat e forta besohej se shkaktoheshin nga përplasja e armëve të dragoit dhe kuçedrës, apo siç thuhej ndryshe nga anët tona, e gjarprit me dy koka. Dragoi e sulmon kuçedrën me parmendë, cfurk e strumbullar lëmi dhe mbrohet prej goditjeve të saj me djep. Por, që t’i përdorë dragoi këto objekte në luftë kundër gjarprit me dy koka (kuçedrës), ato duhet të plotësonin dy kushte:
- së pari, duhet të ishin të pamallkuara e të pastruara. Për këtë arsye, fshatari nuk e ka mallkuar kurrë parmendën, as cfurkun, as strumbullarin e lëmit dhe as djepin.
-së dyti, gjatë kohës që ato janë në punë duhet të ruhen e të vendosen në vende të caktuara.
Parmenda varet nën strehë, në mënyrë që dragoi ta ketë të lehtë për ta marrë shpejt kur i duhet të luftojë kuçedrën. Po për këtë arsye edhe djepi, kur shtëpia s’kishte fëmijë të vegjël, vendoset mbi trarët e dhomës së zjarrit.
Parmenda duhej nxjerrë nga ugari kur mbaronte dita e punës. Në kësi rastesh ajo vendosej, në qoshe të arës, me mendimin që po të prishej koha, dragoi ta merrte atë me lehtësi, pa ngecur në baltën e ugarit.
Në fshatrat e Tomorricës, Arusha e Madhe, njihej me emrin zgjedha, për shkak të fajit që bëri bujku duke i lënë qetë pa i çmbrehur në kohën e pushimit të drekës.
(Legjenda është e tillë: Një ditë të nxehtë, bujku po lëronte tokën. Gruaja shkon i çon drekën. Bujku lë qetë në mes të arës dhe shkon në hije me të shoqen. Ndërkohë vijnë dy hajdutë dhe vjedhin qetë. Kur bujku e kupton vihet në ndjekje ë tyre. Mbas tij niset e shoqja, dhe pas saj, qeni. Kështu u bënë shtatë: Çifti i parë i yjeve simbolizon dy qetë, i dyti dy hajdutët, i pesti është bujku, e gjashta e shoqja e tij dhe i shtati qeni i tyre. Po ta shikojmë me vëmendje legjendën, ajo s’tregon gjë për parmendën, por përqëndrohet tek mëkatarët e zullumqarët që u ngurosën në qiell: hajdutët vodhën qetë, kurse bujku me të shoqen i lanë qetë në piskun e vapës, duke menduar vetëm për veten e tyre.)
Besimet pagane lidhur me parmendën fillonin që me zgjedhjen e kohës për prerjen e lëndës drusore të nevojshme për përgatitjen e saj. Si kohë më e përshtatshme për këtë zgjidhej vjeshta e dytë, kur druri “është në lëngun e vet” , si thotë populli. Por edhe në këtë kohë druri nuk mund të pritej kurdo. Një rol të rëndësishëm luanin fazat e hënës. Druri duhej prerë me hënë të re, por gjithnjë pasi kishte kaluar një ditë e martë dhe e mërkurë pas daljes së saj. Dita që do të pritej druri i parmendës duhej të ishte e kthjellët, pare, pamjegull, se siç mendohej kështu parmenda do të ishte më e fortë dhe bereqeti do të ishte më i bollshëm. Edhe për ditët se kur do të fillonte puna me parmendë, kishte mjaft paragjykime në popull. Si ditë “të mbara” që sillnin mbarësi e bollëk në prodhim ishin: e hëna, e enjtja dhe e shtuna. E marta, e mërkura dhe e premtja zakonisht ishin ditë të papërshtatshme. Pra, po të shihet me vëmendje, ditë të përshtatshme për të kryer punë të rëndësishme në bujqësi, mbaheshin ato ditë që nuk kishin bashkëtingëlloren (shkronjën) r në trup tëtyre dhe ditë të kufizuara për të kryer proçese të rëndësishme ato që kanë bashkëtingëlloren r në trup të fjalës (e marta, e mërkura dhe e premtja).
Parmenda ishte një vegël aq e rëndësishme, sa mbi të bëheshin dhe flijime. Flijimi si dukuri është i njohur qysh në antikitet. Flijimet e popullit mbi parmendë kanë qënë dy llojesh: të përgjakura dhe jo të përgjakura. Treva jonë i njeh të dyja llojet e flijimeve. Flijimet që bëheshin mbi parmendë, në fillimet e tyre kanë qënë flijime që i bëheshin hyjnisë së tokës, për t'a marrë atë me të mirë, në mënyrë që të lejonte prodhim të mbarë e të bollshëm. Në flijimet e përgjakura vendin kryesor e zinte kaposhi (gjeli), i cili therej mbi shtizën e parmendës, ndërsa koka e tij groposej në arë. Në flijimet jo të përgjakura, vendin kryesor e zinte thyerja e kulaçit të grunjtë në ballin, brirët e qeve ose në shtizën e parmendës. Po kështu ndeshen dhe raste të dendura kur në arë groposet një kokërr vezë apo një grusht arrë, etj.
Në fshatrat e Tomorricës ishte zakon që kurbanin e Sulltan-Novruzit t'a thernin mbi shtizën e parmendës dhe të spërkasnin me gjak plorin dhe zgjedhën. Në flijimet me gjak të tërheq vëmendjen fakti se ato bëheshin, në përgjithësi, vetëm me rastin e mbjelljes së të lashtave. Dhe kjo ka domethënien e vet. Populli këtë e shpjegon mefaktin se mbjellja e grurit dhe e të lashtave të tjera shënon fillimin e vitit bujqësor, se “me mbjelljen e tyre nis puna për mot-mot”.
Krahas parmendës, edhe pjesët e saj ( përdheci – pjesë e poshtme e parmendës, që hyn në tokë e ka në majë plorin ) : veshëzat ( ose veshët ) – pjesë të saj që vihen pas plorit dhe që shërbejnë për të hedhur dheun anash; doraku; shtiza – dru i gjatë që bashkon trupin e saj me zgjedhën ) nuk shaheshin, nuk mallkoheshin, zakonisht nuk digjeshin në zjarr. Po kështu dhe plori, si pjesë e pandarë e parmendës, ishte një objekt që mbahej si i shenjtë. Ai nuk mund të lihej kudo, prandaj ruhej në vende të veçanta. Kur mbarohej puna përfundimisht, si rregull, plori hiqej nga parmenda, pastrohej mirë dhe vihej në një vend të thatë. Pjesët kryesore të parmendës : Zgjedha, Teliga (Tevlika), Qabushina, Hekurat, Shtiza, Boshti, Pluari, Përdheci, Veshëzat, Pllaza, Doreza.
Për t'a mbyllur do të dëshironim të citonim disa fjalë të urta që bota ka krijuar lidhur me parmendën:
- Doreza e pendës, doreza e parmendës (Arbëreshët e Italisë -Shqiptare)
- Në prill mbill, në korrik ngre parmendën e ik (Shkodër –Shqiptare)
- Parmenda do tokën dhe toka parmendën (Jug-Shqiptare)
- Parmenda e shulët, bën kanë të mpitë (Jug-Shqiptare)
- Parmend’e parë, buka në hambar(Lunxhëri-Gjirokastër)
- Udha do ngarë, ara do farë (Skrapar-Shqiptare)
- Siç shkojnë qetë, ashtu i ndjek dhe parmanda (Arabe).
- Kush i'a lë parmendën babait, nuk e di se sa të vështira janë gjërat. (Bantu)
- Nuk ka parmandë të mirë për një bujk dembel. (Gjermane)
- Parmënda e përdorur shkëlqen e ndriçon, uji i ndenjur qelbet e kundërmon. (Gjermane)
- Aty ku shkon parmenda, shkon dhe e dhjeta (e kishës). (Gjermane)
- Atje ku parmenda zë ndryshk, atje hahet pak. (Gjermane)
- Atje ku shkon parmenda, lesa dhe kosa, atje s’është nevoja të kërkohet flori. (Gjermane)
- Emblema më e bukur në botë është një parmendë në arë. (Gjermane)
- Parmenda është baza e çdo arti. (Indiane)
- Parmenda është mbreti, dyqani mbretëresha; çdo punë tjetër mban vulën e ferrit. (Indiane)
- Është më mirë të lerosh në thellësi sesa në gjerësi. (Indiane)
- Zoti e ndihmon atë që leron me parmendë (Polake)
- Një ka që tërheq parmendën, nuk duhet parë në sy. (Spanjolle)
- Po erdhi tetori, fillo parmendën dhe mos ji i ngavashtë. (Arabe)
- Të leruarit me parmendë është lutje, të mbjellët është profetizim. (Angleze)
- Nuk quhesh burrë po s’pate vjelë frutat e punës së arës tënde. (Estoneze)
- Kush leron me parmendë, nuk varfërohet; kush vjedh, nuk pasurohet. (Lituaneze)
Corovoda Online / F.Kaloci / V.Bakillari - Albatros 2008 fragment i shkëputur nga libri "Visare të Skraparit / Botuar me në Corovoda Online me lejen e autorit