Historiku. Ceta Plake e Skraparit. **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Historiku. Ceta Plake e Skraparit.

Fatjon Kaloci
25.3.12
Materiali ne vijim me te drejta publikimi per Corovoda On Line.
Çeta partizane e Skraparit që nga momenti i formimit të saj e deri në gusht 1942, ushtroi një veprimtari të dendur propagandistike, duke shkuar fshat më fshat duke folur për luftën e armatosur që duhej bërë kundër pushtuesve fashist, jo vetëm në krahinën tonë por edhe në krahinat fqinje të Korçës, Kolonjës, Përmetit, Gramshit, Beratit e deri në Mallakastër. Qëllimi ishte organizimi i mëtejshëm, kombinim veprimesh i forcave partizane dhe taktikave të luftës antifashiste.

Kudo që kaloi, ajo ndihmoi në ngritjen e Këshillave Nacional-Çlirimtare. Ja si shkruante gazeta “Zëri i Popullit” fill mbas botimit të numrit të parë të saj më 25 gusht 1942 “Çeta trime partizane që i ka dale për zot lirisë së vendit, ju përvesh punës me sakrifica të mëdha për të luftuar armikun e urryer… Partizanët dhe vullnetarët e lirisë në Skrapar nuk lënë katund pa vizituar, nuk lënë vend pa mbjellë farën e luftës së drejtë, e luftës antifashiste që bën populli Shqiptar.”

Armiku po e ndjente rrezikun që i kërcënohej nga malet e Skraparit, ku çeta partizane kishte lindur dhe ushtronte çdo ditë e më shumë veprimtarinë e saj. Në këto rrethana armiku nuk e ndjente veten të qetë ndaj u përpoq t’a azgjesonte çetën dhe të çarmatoste popullin që ishte vënë në mbështetje të saj.

Për këtë lëvizje të gjerë partizane në Skrapar fashizmi në gjysmën e dytë të muajit gusht 1942, nis forca të shumta xhandarmërie nga ana e Gramshit, me kapiten Xhaf Bali në krye. Xhaf Bali do të zbatonte urdhërin që kishte marrë nga kryeministri Mustafa Kruja, që në komunën e Tomorricës të ndërmerrte një operacion dhe prej këtej të kalonte në zonën tjetër të Skraparit. Qëllimi i tyre ishte të frikësonin popullin që të mos strehonte partizanët e të asgjesonte çetën. Për të arritur këtë filluan të çarmatosnin popullin duke kaluar në ato gjurma që kishte kaluar çeta plakë, digjnin shtëpi, plaçkitnin. Kështu dogjën shtëpi në Ujanik, Zaloshnje etj. Milicët në formë patrullimesh vunë në kontroll gjithë zonën dhe po u dukej sikur po marshonin fitimtar.

Në kushtet e këtij represioni të egër të milicisë fashiste, shtabi i çetës as u tremb e as u tërhoq, por menjëherë duke u mbledhur në shtëpinë e Atdhetarit të Shquar Hysen Zaloshnja, hartoi planin për rrethimin dhe shpartallimin e Detashmentit të karabinerisë e milicisë fashiste.

Më datën 30 gusht 1942 duke u gdhirë 31, çeta partizane së bashku me njësitet vullnetare, rrethoi fshatin Mëlovë nga të gjitha anët. Çeta pasi bëri rrethimin e plotë i dërgoi komandantit fashist një lajm ku e njoftonte se detashmenti që drejtohej nga ai ishte i rrethuar dhe i kërkonte të dorëzohej se për ndryshe do të azgjesoheshin me forcën e pushkës partizane. Xhaf Bali ju lut komandës së çetës partizane që të mos bëjë çarmatimin e detashmentit të milicisë fashiste. Kërkesa e tij u refuzua dhe milicët fashiste vendosën të bejnë qëndresë. Ndërkaq komanda e çetës dha urdhërin e sulmit, ku nga të shtënat e pushkëve u tmerruan armiqtë, në këto kushte përpara zjarrit të fuqishëm të pushkëve partizane, fashistët u detyruan të ngrenë flamurin e bardhë në lagjen Zhit ku ishin përqëndruar.

Për çarmatosjen e forcave të milicisë të komanduara nga kapiteni Xhaf Bali, si rezultat i punës së madhe që kishte bërë më pare çeta fshat më fshat, u ngrit i gjithë populli i Tomorricës e zonat përreth. Me t’u dhënë sinjali “Tre pushkë e një bombë” u grumbulluan 300 burra të armatosur në ndihmë të çetës.

Plani i goditjes së forcave të Milicisë fashiste jo vetëm që ishte hartuar në detaj nga shtabi i çetës, por ai u bë i njohur tek çdo partizan i çetës apo njësiteve vullnetare që kishin ardhur nga çdo fshat i Tomorricës. Për arritjen e suksesit duhej zbatuar me përpikmëri çdo element taktik i planizuar siç ishin;
 1- Befasia e goditjes
2- Rrethimi natën dhe me shpejtësi
3- Shfrytëzimi i terrenit që ishte i njohur mirë nga secili luftëtar
4- Atdhetarizmi i flakët i popullit të Skraparit
Kjo bëri që pas 35 orë luftimesh, në orën 11 të datës 31 gusht kokëulur, 63 milicët me gjithë komandantin e tyre Xhaf Bali u detyruan të dorëzojnë armët te vendi ku sot ngrihet madhërishëm lapidari në mes të fshatit Mëlovë. Armët e tyre ju shpërndanë popullit, kurse milicët e çarmatosur u lanë të lirë të shkojnë në shtëpitë e tyre.

Xhaf Bali ju lut shtabit të çetës, që me qënë se ishte oficer e quante të turpshme që t’a çarmatosnin ndaj ti lihej të paktën revolja. Por shtabi i çetës edhe këtë kërkesë nuk e pranoj, vendosi që të mos pushkatohej, por të çarmatosej si gjithë të tjerët. Komisari Gjin Marku dhe nënkomandanti Ramiz Aranitasi e të tjerë u folën milicëve qëllimin që kishte LANÇ. U porositën ata që të tërhiqeshin nga shërbimi i fashizmit dhe të bashkoheshin me luftën, për këtë u lanë së bashku me komandantin e tyre u shoqëruan deri në fshatin Radësh.

Çarmatosja e Detashmentit të Milicisë fashiste ishte aksioni më i rëndësishëm i fazës së parë të luftës antifashiste në Qarkun e Beratit dhe në krejt Shqipërinë. Ja si i drejtohet Ministrisë së Punëve të Mbrendshme Zyrës Politike Tiranë, zv/ prefekti Barjam Kokla:
“Ju njoftoj se kapiten Xhaf Bali, karabinierët dhe milicët u liruanë prej bringandëve. Oficeri i naltreguem njoftoi telegrafikisht prej Çorovodës se një luftim prej 35 orësh i rrethuem prej një shumicë të madhe komunistash, kërkoj dhe u dha rrugë e lirë prej karabinierëve, ndërsa milicët ju desh me dorëzue armët. U rrethuan në dy shtëpi në katundin Mëlovë... Jemi tue formue fuqi kundra çetës komuniste.”

Jehona e aksionit të Mëlovës nga çeta e Skraparit bëri që fashistët të alarmuar në gjithë Shqipërinë, të egersuar nga poshtërimi që ju bë duke i çarmatoasur, morën urdhërin të vepronin me shpejtësi për të rrethuar Skraparin.

Për të realizuar këtë vunë në dispozicion 13 kompani dhe e sulmuan Skraparin nga Berati, Gramshi e Elbasani për ta shpartalluar me çdo kusht Çetën partizane e cila së bashku me popullin po i shkaktonte dëme atij. Komanda e Përgjithshme e Milicisë në Tiranë, e mori vet drejtimin e operacionit ku veç Tiranës, u dërguan qindra forca milicësh edhe nga Korça, Elbasani, Berati dhe Gramshi (Forcat e milicisë të ardhura nga Korça drejtoheshin nga Tom Pjetër Toma, i cili në zonën e Korçës e të Skraparit kreu shumë krime por i pagoi me jetë). Përballë forcave të shumta të milicisë fashiste, Partizanët e çetës, megjithëse të pakët në numër, pas fitores mbi Xhaf Balin, ishin plot entuziazëm për fitore të reja duke përballur me sukses sulmet armike duke e bërë atë që të pësojë disfat me turp.

Ju citoj një fragment nga poema “Deti në Tomorr” të Moisi Zaloshnjës:

                             Urdhër vjen nga Musolini:
                             Gjith me hekur e me zjarr
                             Këmb të kuqsh të mos lini
                             Tej e ndanë në Skrapar...

                            ...Urdhëro kapiten Xhafa,
                            S’është kriz për gryka qafa
                            Nga Dëvria në Kulmak
                            Në Qaf-Gjarpër në Qaf-Beç
                            Veç ngado s’hyn dot pa gjak
                            Veç ngado vdekjen do gjeç...

Rëndësia e suksesit të aksionit për çarmatosjen e forcave të Milicisë fashiste në Mëlovë qëndron:

1 – Për çetën e Skraparit si formacioni më i vjetër luftarak në Shqipërinë e Jugut kjo ishte përballja e parë me forca të shumta armike, fitoi një përvojë të madhe luftarake.

2 – Kjo fitore i parapriu idesë që do të hidhej në Konferencën e Pezës se duke  qënë të bashkuar do të luftohej deri në çlirimin e Atdheut.

3 – Shërbeu si frymëzim dhe përvojë për gjithë formacionet luftarake të krijuara në mbarë Shqipërinë.

4 – Nga gjiri i saj dualë luftëtarë të shquar e kuadro të larta që drejtuan njësi të mëdha të ushtrisë Nacional Çlirimtare si Gjin Marku etj.

5 – Mbas këtij erdhi menjëherë aksioni më i rëndësishëm, ai i çlirimit të Çorovodës e krejt Skraparit.

                                                                                          Enver NASKA
                                                                        Kryetar i Komitetit të Veteranëve
                                                                                          S K R A P A R