Nëse do përmendnim emrin Visar Zhiti brezat më të rinj do të kuptojnë automatikisht një pjesëtar të denj të letërsisë shqip. Por Koordinata X dhe Corovoda On Line ndalen tek Hekuran Zhiti, i ati i Visarit apo i visareve të shtrenjta me "pakës" Skrapar në to. Hekuran Zhiti u lind në Fshatin Melovë, Tomorricë Skrapar. në 13 prill 1911. Dramaturg, Aktor, Humorist, Poet dhe Mësues... Hekuran Zhiti me fjalën dhe artin do të ishte një ndër nacionalistët e njohur në Shqipëri kjo edhe nga atdhetarizimi familjar. Shkollën fillore e kreu në Berat e më pas do të studionte për mesuesi, ku fjala shqip do t'a rrëmbente bukur në rrugën e artit. Por ajo ishte një rrugë e vështirë. Ai quhet ende "Gjergj Fishta i Jugut" por shumë epitete do t'i shtohesh gjatë regjimit komunist, nisur kjo edhe nga miqësia dhe bashkëpunimi i tij me Mit'hat Frashërin, Safet Butka, Abas Ermenji, Margarita dhe Kristaq Tutulani etj. Por fill pasi mbaroi Lufta e Dytë Botërore, me përkrahjen e Rektorit të Parë të Universitetit Shqiptar, Kahreman Ylli ai ri-emërohet mësues, (edhe përse lufta e klasave e kishte goditur rëndë) por këtë herë profesionin e dashur do t'a ushtronte në fshatrat e Lushnjës ku ai sërish nuk heshti me fuqinë e fjalës shqip dhe krijimtarisë artistike. Do të themelonte aty në fshatrat e Lushnjës Teatrin profesionist dhe Estradën e këtij qyteti. Por shumë shpejt, rregjimi do t'a lëndonte përsëri. Këtë herë, ishte djali i tij Visar Zhiti i cili do të burgosej dhe dhimbja do t'a largonte nga mijëra shqipëtar që e kishin përzemër. Madje regjisori i famshëm Pirro Mani për Hekuran Zhitin thoshte se nëse e merrte atë aktor ishte gati t'a ndërronte me 5 të tjerë vetëm e vetëm që ai të rivendosej aktor. Një ndër poemat më të spikatura të Hekuran Zhitit ishte ajo me titull "Përqafimi i dy kundërshtarëve" e cila në thelb mbante një motiv të lartë kombëtar, atë të bashkimit dhe pajtimit në emër të Shqipërisë mes Partizanëve dhe Ballistëve. Një tjetër komedi e tij, ishte ajo me titull “Rruga e Skraparit” - është komedia më e bukur, që ka një gjetje të mençur, një mendjeshkrepje për t’u patur zili, duke krijuar një metaforë, e cila prek kohët konkrete, por edhe i tejkalon ato. Mesazhi dhe ajo ç'ka ngërthen vepra si subjekt janë shndërruar në një tharm gjithëkohor, rrjedhimisht në konceptimin e dukurisë vetëdija letrare estetike shfaqet si thelb universal, ndërsa vetë qenien ka mundur të na e japë si substancë të pandryshueshme, që përsëritet dhe trukohet nga kjo kohë apo ai vend në një kohë dhe vend tjetër, pa ndryshuar karakterin e saj. Por një ndër imazhet e forta që kohët kurrë nuk mund t'a zbehin është një tablo ku jepen disa çaste nga takimi mes Hekuran Zhitit dhe të madhit Gjergj Fishta një vepër e krijuar nga piktori shkodran Guljem Mosi.(shiko foton më poshtë )
©Corovoda On Line
©Corovoda On Line