Koordinata X: Sulo Gradeci Intervista: U rregjistrova nder te paret ne Ceten Plake te Skraparit Si deshte Balli ne 1943 te me denonte me vdekje (pjesa e dyte) **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Koordinata X: Sulo Gradeci Intervista: U rregjistrova nder te paret ne Ceten Plake te Skraparit Si deshte Balli ne 1943 te me denonte me vdekje (pjesa e dyte)

Fatjon Kaloci
24.7.12
Vijon pjesa e dyte e Koordinates X lidhur me nje publikim sensacional qe media press Balkanweb publikon. Corovoda On Line per kete shkrim me kortezi perdor materiale te ketij media presi. Ne pjesen e dyte te Intervistes me Sulo Gradecin dhe gazetarin Fatos Veliu i referohen pas ngjarjeve te 42'. Epiqendra edhe ne kete pjese mbetet fshati Gradec i cili i fali mbiemrin nje prej eksponenteve me te forte te Enver Hoxhes. Kujtojme mbiemri real i Sulo Gradecit eshte Dalipaj. Por le te ndjekim pjesen e dyte te intervistes. Kortezi Balkan Web/ Fatos Veliu (Pjesa e Pare mund ta gjeni duke klikuar ketu)
Zoti Gradeci, nga numri i kaluar i këtij rrëfimi, jo pa qëllim u ndalëm te jeta e hershme në familjen tuaj, madje pikërisht tek fëmijëria dhe adoleshenca. Këtë synim e pata për të bërë të ditur për lexuesin e gjerë të gazetës sonë në lidhje me origjinën dhe të kaluarën e njeriut më të rëndësishëm të sigurimit personal të liderit të gjithëpushtetshëm të shtetit Komunist. Pra me këtë dua të them se ishte synim personal për të mësuar se nga vjen Sulo Gradeci që iu besua jeta e Enver Hoxhës. Duke qëndruar sërish te ky qëllim, do të doja të kaloja disi te jeta juaj gjatë periudhës së luftës Nacional Çlirimtare. Kjo për arsyen e thjeshtë për të vijuar rezymenë përmbledhëse të veprimtarisë suaj derisa arritët tek Enver Hoxha. Pra, shkurtimisht po ju them se mua dhe lexuesit na intereson jeta juaj për të cilën nuk është folur ndonjëherë që nga fëmijëria deri tek Enver Hoxha. Për të mos u sorollatur në aludime fjalësh po kaloj menjëherë në pyetjet në vijim. Kush është jeta e Sulo Gradecit në periudhën e luftës?
Ju kam thënë vazhdimisht edhe nga intervistat e numrave të kaluar që jeta ime personale dhe familjare ka qenë e lidhur fuqishëm me fshatin. Ju tregova gjithashtu edhe rastin kur jam ndeshur për herë të parë me emrin e Enver Hoxhës që ka qenë pikërisht në kohën kur unë shkova të punoja në Tiranë dhe rastësia më çoi në demonstratën e madhe të 28 Nëntorit të vitit 1941 për të cilën u tha se e kishte organizuar një profesor revolucionar nga Gjirokastra i quajtur Enver Hoxha.
Por aty u kontaktova edhe me disa shokë revolucionar si me Heroin e Popullit Skënder Çaçim, dëshmorin Ferit Leshnja etj. Ishin ditët kur lufta po ndizej në mbarë vendit dhe shqiptarët filluan të zgjohen për tu organizuar për kundërveprim. Nuk duhej ndenjur duarlidhur ishin parullat e elementëve revolucionarë që na trokisnin në vesh herë pas here. Pas kësaj, djemtë madje edhe vajzat e Shqipërisë filluan të mbushnin çetat partizane. Nuk e di, por e ndjenim shpirtërisht se nuk mund të rrinim. Megjithëse ne ishim veçse në një moshë adoleshente nuk mund të bënim më sehir kur kontaktonim vazhdimisht njerëz që shprehnin urrejtje të madhe për pushtuesin. Në këtë vit pikërisht në fillim të '42-shit së bashku me shokët u kthyem në sërish në fshat ku për pak kohë, pikërisht në 14 mars u krijua formacioni partizan që më mbrapa do të njihej në të gjithë Shqipërinë, për luftërat dhe bëmat e tij të padëgjuara më parë. Ai formacion është pikërisht e shumënjohura "Çeta Plakë e Skraparit".
Dhe ju shkuat në atë çetë?
Pikërisht. Madje që në ditën e inaugurimit të saj unë u regjistrova së bashku me shokët që të kam përmendur.
Më bën përshtypje zoti Gradeci, se thoni shprehjen që "kur u ktheva në fshat s'kish si të ndodhte ndryshe". Si ta kuptoj?
Këtu ta kisha mendimin, teksa të fola për fshatin. Unë ju kam thënë që kam qenë lidhur fuqishëm, jo vetëm fizikisht por edhe shpirtërisht me të. Unë edhe sot që kam mbushur të 90 vitet, kam kontakte të rregullta dhe një dashuri të paimagjinuar për vendlindjen time. Kështu e veçanta e fshatit tim ishte se i gjithi u përfshi me lëvizjen kundër pushtuesit, apo lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe nuk ndodhi si me fshatrat e tjera për shembull Gjerbësin apo të tjerë që kishin edhe nga balli në mes tyre madje ata të ballit ishin shumë të egër dhe hakmarrës. Flitet këtu për Abaz Ermenjin, Maliq Dushanin, Muharrem Kapllanin etj, etj. Ata arrinin të merrnin vendime për të djegur fare shtëpitë e atyre që përfshiheshin me lëvizjen Nacional Çlirimtare, ose ta them më shkoqur ata u digjnin shtëpitë atyre që shkonin në radhët partizane. Unë kam goxha histori të mëvonshme me Ballin Kombëtar se mua me disa shokë ata kishin dhënë urdhër për të na gjetur kudo që të ishim dhe të ekzekutoheshim në mënyrë të padiskutueshme.
Pra, ju kishin dënuar me vdekje?
Po, po me vdekje. Unë dhe disa të tjerë që ishim aktivë në luftë. Por kjo ka një histori më vete të cilën ndoshta mund ta shtjellojmë më mbrapa nëse do të kemi mundësinë pasi tashmë do të dëshiroja të dilja te Çeta Plakë e Skraparit, pasi aty unë kam veprimtarinë fillestare dhe më të madhe të Luftës. Që prej asaj çete ku kam kaluar kohën më të madhe të luftës, unë u rrita mes trimave dhe heronjve të saj që si kam ndarë nga mendja ime për as një çast dhe për as një kohë. Prej saj kam kaluar në formacionet e mëdha si Brigada e Parë apo ajo e shtatë me të cilën në fundin e vitit 1944, përfundova në luftimet e përgjakshme deri jashtë atdheut si në Bosnjë e Vishegrad ku kemi ndjekur pushtuesit gjerman në viset shqiptare në Jugosllavinë e atëhershme.
Pra gjithë atë veprimtari luftarake në shërbim të çlirimit të vendit që juve patët në formacionet partizane e filluat pikërisht me atë që ju paski më merak për tu përmendur që është pikërisht Çeta Partizane e Zonës apo siç u quajt nga gjithë Shqipëria "Çeta Plakë e Skraparit" ?
Tamam këtu është fjala. Ajo është një zonë me një histori brilante dhe të bën të ndjehesh krenar çdo çast dhe çdo minutë. Në këto pak rreshta që mund të shkruaj për lexuesin shqiptar në gazetë nuk mundem t'i përshkruaj dot ato histori të zjarrta kur ne djemuria dhe gjithë populli patriot kishin përbuzur vdekjen. Prandaj, unë duke pasur ndërmend të gjithë ata emra të ndritur dhe shumë fise të ndritura që e bënë mbiemrin e tyre me shkëlqim lavdie të përjetshme, nuk do t'i përmend. Këtë për faktin se nuk dua të përmend vetëm disa që më lejon gazeta për efekt vendi dhe të lë disa të tjerë, pasi janë me dhjetëra e me dhjetëra të tillë. Por, ndërsa nuk dua të hezitoj që mes këtij shkrimi kushdo që më ndjek në këtë moment pavarësisht se nuk mundem t'i përmend, i përshëndes dhe i kam në zemër si familjet më të shenjta që i dhanë Shqipërisë dhe idealit tonë njerëzit e tyre më të mirë dhe trimëritë e pashembullta të familjarëve. Do të përshëndes ata njerëz dhe ato familje që janë në Gradec, në Tomorricë, në Skrapar, Në Berat, Në Korçë etj etj. I kam në zemër.
Ju kuptova merakun zoti Gradeci dhe bëtë mirë që bëtë një përshëndetje publike të kësaj natyre, pasi hapësira e botimit nuk na mundëson t'ju pyesja të më përmendnit emra dhe mbiemra pambarim, të cilët janë aq të shumtë dhe aq të dëgjuar në zonën tuaj sa që edhe pa mi përmendur juve, mua më vijnë në mendje shumë e shumë prej tyre. Por le të ndalemi pak në "Çetën Plakë të Skraparit" ku ju u radhitët që në moshën 15 vjeçe, që nëpërmjet saj të kujtohet paksa edhe historia e zonës suaj. Na trego diçka për atë çetë, por ju lutem shumë shkurt. Kush është historia e saj?
Ishte 14 mars 1942 kur në qafën e Kulmakut u krijua çeta që do ta mbushte me lavdi mbarë zonën e Tomorricës, Skraparit, Beratit dhe gjithë Shqipërisë. Komandanti i saj ishte Mestan Ujaniku dhe Komisar Gjin Marku. Ajo është çeta që historinë e saj e shkrojti me gjak. Ajo gjeti mbështetjen e mbarë popullit, patriotëve madje edhe të mjaft klerikëve të cilët i kthyen Teqetë e tyre në qendra të strehimit të luftëtarëve për çlirimin e atdheut.
E kuptoj që historia e një çete, aq më shumë e asaj që po tregoni juve, do volume të tëra të shkruhet, por do të isha i detyruar t'ju pyesja për emrat e partizanëve të ditës së parë të krijimit të saj. Dua të ditës së parë kur u themelua ajo çetë aq e njohur pasi ditët në vijim sigurisht do të shtohej përherë. Pra, meqenëse folët për ditën e krijimit të saj dua të di kush ishin partizanët e rreshtuar në atë moment pasi me sa di është edhe emri juaj apo jo?
Bëtë mirë që ma bëtë këtë pyetje dhe ju them se këta emra që do të citoj më poshtë ishin me të vërtetë partizanët e saj në 14 mars të '42-shit, por duke filluar që nga e nesërmja e asaj dite ata shtoheshin çdo ditë dhe që ta dinë që nuk harroj kënd dhe i kam në mendje të gjithë. Konkretisht në atë ditë të parë kanë qenë: Komandant Mestan Ujaniku dhe komisar Gjin Marku. Pastaj vijnë me radhë, Xhemal Ujaniku, Sabri Ujaniku, Sulo Gradeci, Haziz Dalipaj, Merko Mahmutaj, Asllan Kapinova, Syrja Gremshi, Orhan Frashëri, Hajdar Krushova, Muharrem Trebicka, Kamber Cerova, Dake Kadiu, Bajram Radeshi, Xhevit Struga, Bektash Melova, Hero i Popullit Ramiz Aranitasi, Dhori Karagjozi, Minella Butka, Qimi Petro, Hysni Rusi, Mazllëm Kalemi, Muharrem Haxhiu dhe Shkëlqim Zaloshnja.
Mund të thoni ndonjë moment heroizmi të asaj çete qoftë edhe një fakt apo episod të shkurtër vetëm për shembull për lexuesin?
Patjetër kam shumë (Mendon), Do t'ju kujtoja një episod interesant. Konkretisht do t'ju tregoja për forcat e rrezikshme të drejtuara nga Xhaf Bali.
Kush ishin këto?
Ishte një batalion i përbërë me xhandarë dhe karabinierë. Ai drejtohej nga i tmerrshmi Xhaf Bali. Këta nuk linin shtëpi partizani pa djegur në zonën e Tomorricës dhe më tej. Ishin kthyer në tmerr dhe të rrezikshëm. Pikërisht Çeta Plakë mori vendimin të asgjësonte këtë organizëm ogurzi që po sundonte kudo me dorë kriminale. Dhe me të vërtetë nuk vonoi ajo që kërkohej. Erdhi momenti dhe batalioni i Xhafës u rrethua keq. Rrethimi i tij është bërë në fshatin Mëlov, pikërisht në shtëpitë e Zhitërve. Aty ka dhe një moment sa emocional aq edhe interesant se ndërkohë që Çeta Plakë e rrethoi, kërkoi ndihmën e popullsisë për ta asgjësuar. Kështu u dha urdhëri në tërë Tomorricën për të ardhur në ndihmë të Çetës. Nuk vonoi shumë dhe rreth saj u mblodhën më shumë se 800 vullnetarë.
Dhe përfundimi?
Gjithë batalioni fashist me xhandarë dhe karabinierë u dorëzua pa kushte duke pranuar të dorëzonin armët një e nga një te një pikë që i caktuan për grumbullim. Ja pra kush është çeta që të fola me aq dashuri. Vetëm një fakt të përmenda, por nuk jam në gjendje të flas për sa e sa të tilla që është mbushur gjithë veprimtaria e saj.
Kush ka rënë në luftë prej partizanëve të asaj çete?
Hero i Popullit Ramiz Aranitasi, Hero i Popullit Skënder Çaçi, Hero i Popullit Estref Caka, Dëshmori i parë i qarkut të Beratit Alush Grepçka, dëshmorët; Veri Zaloshnja, Malush Buzali, Ferit Bregu ( Leshnja), Haki Bejko, Avni Kondi, Ismail Alushani, Xhevahir Ago, Mustafa Radovicka, Ferit Malindi, Alush Harizi, Halil Turhani, Sadush Myftari dhe shumë dëshmorë të tjerë që për efekt vendi dhe kohe nuk mundem t'i përmend.
Le të kalojmë më tej zoti Gradeci pasi jua ripërsëris se duhen volume të tëra faqesh po të ndaleni për histori të tilla të afruara nga një formacion kaq i lavdishëm. Por duke parë se gazeta nuk mundet ta afrojë hapësirë për hollësi të kësaj natyre do të doja të dija se si vijoi më tej jeta tuaj e mëtejshme në luftën partizane?
Ju kuptoj edhe unë dhe e shikoj që kam shumë e shumë për të thënë për atë formacion që unë hodha hapat e parë të jetës sime partizane. Pas saj erdhi momenti të krijoheshin çeta të tjera dhe më mbrapa, ushtria jonë nacional çlirimtare kaloi në formacionet e mëdha partizane. Në këtë mënyrë, u krijua Brigada e Parë Sulmuese me komandant Mehmet Shehun. Unë isha partizan i asaj brigade që në inaugurim. Më mbrapa kam kaluar në Brigadën e Shtatë Sulmuese në radhët e të cilës kam luftuar deri në Vishegrad ku kam marrë dhe një plagë e cila shënoi plagën time të tretë të marrë në luftë.
Njëra prej tyre në Kokë ?
Siç jua shpjegova paksa edhe nga intervista e kaluar unë u plagosa në kokë. Isha në Brigadën e Shtatë Sulmuese kur zhvillonim luftime të ashpra me gjermanët në zonën e Mirditës pikërisht midis Fanit të Vogël dhe Fanit të madh. Divizioni i gjermanit ishte në fund të Fanit, ndërsa ne ishim të rrethuar. U bënë luftime të ashpra. Na u vranë dhe shumë shok. Dhe të mendosh se në atë betejë të tmerrshme nuk ishte e gjithë brigada, por vetëm një pjesë e sajë që për hir të së vërtetës të gjithë shokët kanë treguar shembuj të pashpjegueshëm trimërie që për mentalitetin e shumë njerëzve të sotëm të cilët ndoshta si lidh asgjë me patriotizmin është e pakuptueshme.
Dy plagët e tjera ku i morët?
Një plagë e mora në Roskovec të Fierit ndërsa tjetrën e mora në Mal të Zi kur luftonim në Viset e Jugosllavisë. Madje, ajo që nuk ndodhi në luftë, desh ndodhi në ditët e para të çlirimit.
Çfarë ndodhi?
Por vërtet që shpëtova nga vdekja kur mora plagët që më shumë të thuash të shpëton zoti se s'ka si ta shpjegosh. Një plumb në këmbë, një në shpatull dhe një në kokë. Por jeta shpëtoi sikurse edhe plagët ngelën në trup me problemet e tyre. Kështu kur mbaroi lufta menjëherë si erdhëm nga rreshtat partizane unë fillova shkollën e Bashkuar për tu bërë oficer. Por pa mbaruar akoma vitin e parë mu infektua plaga në sqetull dhe u bëra keq. Ai rast pothuajse më çoi në varr. Por ishte fati dhe përkujdesja e mjekëve të Spitalit Ushtarak. Pas operacionesh të vështira, unë arrita të mbijetoja. Pra në luftë pothuajse e kishim marrë parasysh që të vdisnim dhe kjo mendoj se nuk është pak, por është gjithçka për patriotizmin e kujtdo që merr këto vendime.
Ashtu sikurse ishit vënë në shënjestër edhe nga Balli Kombëtar i cili ju kishte dënuar me vdekje? Si ka ndodhur, se mendoj se duhet përshkruar? Po. Kam qenë i dënuar me vdekje bashkë me Njazi Çepanin. Siç jua theksova edhe më lart, ai ishte një dënim i marrë me vendim. Këtu ka shumë hollësi dhe çuditesh kur mëson se si kanë rrjedhë ngjarjet. Episodet janë të pabesueshme.
Si ka ndodhur?
Ishte fillimi i viti 1943. Koha kur kishte kapitulluar Italia Fashiste. Krerët e Ballit Kombëtar me Abaz Ermenjin e Ali Këlcyrën në krye ishin vendosur në Berat. Vetë krerët ishin pozicionuar në hotel "Kolombo". Po aty afër ishin edhe shokët e qarkorit tonë, madje përballë tyre ishin vetë Mestan Ujaniku dhe Kahreman Ylli. Batalioni Partizan ishte vendosur te mali përballë i quajtur "Dobronik", por edhe Forcat e Ballit ishin vendosur po në atë krah, ishin pak më larg se ato partizane. Ishte koha kur në Berat erdhën gjermanët të cilët u vendosën në Otllak. Flas për momentin e shumëpërfolur të kompromisit të famshëm. Nuk e di si ndodhi, por mbaj mend se takoj Njazi Çepanin i cili ishte komandant i batalionit partizan. E kishte përqendruar batalionin partizan saktësisht në periferi të fshatit Dobronikut. Batalioni Ballist që ishte përqendruar më larg zonës ku ishin vendosur partizanët, pra më lart Dubrovnikut drejtohej prej Ali Këlcyrës.
Ju njiheshit?
Me Njaziun unë njihesha herët dhe në rrethana të tjera pasi ai kishte qenë me grupin e Zjarrit. Por i bënë thirrje forcat komuniste dhe i thanë të bashkohej me ne. Dhe ai ashtu bëri u bashkua me ne. Por unë njihesha familjarisht me të. Që të mos e zgjasim po flas për momentin kur u takuam atë ditë në Berat. Unë kisha gjetur një motoçikletë nga shokët e qarkorit dhe e kisha marrë përkohësisht, madje mbaj mend që ishte i markës "Motoguz". Unë dija ta përdorja nga pak.
Njaziu, meqenëse unë e ngisja nga pak motoguzin, më thotë se duhej të ngjitej lart pavarësisht se ishte zona e ballistëve.
"Hajde, - tha, - ti ngjitemi. Të më lësh aty dhe ti ktheu".
Rruga ku thoshte ai ishte vendi ku ngjitesh për në Gorricë po e ke parasysh.
Dhe si vepruat?
"Mirë, - i them, - shkojmë ku të duash të bëhet çfarë të bëhet".
Kështu ai hipi në motor dhe morëm rrugën e shpatit për nga drejtimi i Gorricës që ju shpjegova. Kur marr atë të përpjetën me Njaziun që mbaja mbrapa, motori filloi të shkonte sa andej, këndej. Por si të mos mjaftonte kjo, diku në gjysëm të saj, rruga lakohej në një përrua. Aty, ballistët kishin bërë postbllok. Ne nuk mund të ndaleshim, por vijuam me shpejtësi pa pyetur ku e si shkonim. Ballistët na bërtitën me të sokëllitur: "Ndal; Ndal; Ndal", ndërsa ne nuk ndaluam por me shpejtësi dhe duke dredhuar hymë në atë përroin që binte pas kthesës dhe kishe mundësi maskimi. Ishte situatë e tmerrshme. Ata donin të na vrisnin dhe qëllonin me breshëri të vazhdueshme drejt vendit nga u zhdukëm ne.
- Si t'ja bëjmë - i thash Njaziut. Nga të ruhesh i thonë kësaj nga yti apo nga i huaji.
Si ishte kjo shprehja e fundit?
Po Ballistët ishin shqiptarë. Po të kalonin ushtar të huaj tek ajo rrugë, ata do t'i nderonin dhe do t'i bënin temena, pavarësisht që i huaji bënte vazhdimisht krime në popull, ndërsa ne na i lëshuan me armë ku të na kapnin dhe ku të na vrisnin. Ore, po është shumë e çuditshme kjo lloj përplasje. Këtej vjen e të pushton i huaji dhe në krah të tij është renditur dhe lufton kundër teje edhe vendaliu që i thoshte vetes ballist. E përse, vetëm sepse ti kishte dalë me armë dhe mbroje të vendite tënd. Ja siç na ndodhi edhe për rastin që po të flas që ata u bënë bisha që nuk na kapte plumbi. Kishin një egërsi dhe një kënaqësi të na shikonin të vdekur të pashpjegueshëm dhe të mendosh që gjermanit i bënin temena.
Çfarë bëtë në atë situatë?
Më tha Njaziu që të linim motorin dhe të iknim ashtu duke u zvarritur për tu maskuar më mirë që të mund të shpëtonim kokën se nuk i dihej me ta.
- Jo - i thash unë - motorin nuk e lë unë se e kam, të tjetrit. Dhe me të vërtetë siç ta thash pak më parë që ia kisha marrë atyre të qarkorit, pikërisht një shokut tim i cili e priste t'ja çoja se e donte për punë. Njaziut i thash që të bënte poshtë përroit dhe të dilte në Berat që ishte shumë afër prej ku ishim ne. Ashtu bëri iku, ndërsa unë mora motorin dhe bëra të ikja duke gjetur rrugën dhe mënyrën e mundshme.
Po ju si ia bëtë?
Por ç'kishte bërë grupi i ballistëve? Kur unë kisha kaluar rrufeshëm dhe që e dinin se s'kisha nga shkoja veçse në rrugë që ishte zotëruar nga ata, kishin vendosur një kamion në rrugë nga do të kthehesha. Ndërkohë, filluan të godisnin aty këtu kur akoma s'më kishin pikasur. Në këtë kohë ishte vënë në gatishmëri për të vepruar edhe batalioni partizan, pasi e dinte Kahreman Ylli që unë isha nisur për në atë drejtim ndërkohë që edhe nga breshërit e shumta kishte kuptuar pa dyshim se isha në përplasje me ballistët.
Si vepruat ju pas kësaj?
Unë mora guximin dhe nuk ndalova, por kalova me shpejtësi duke marrë rrugën poshtë për në Berat. Megjithëqë mendoja se nga çasti në çast edhe mund të plasesha i vdekur përtokë se ata godisnin e godisnin papushim pas kurrizit tim që ikja si i marrë. Vetëm fati e deshi në ato çaste që nuk më "mbërtheu" ndonjë plumb. Por ndërsa ecja më të poshtë pash që ngjitej një tjetër kamion i ballistëve i cili siç po kuptoja po sillte furnizimin te forcat që kisha kaluar unë. Nuk kisha si t'i shmangesha, por u përplasja keq me atë kamion. Përfitova nga gjullurdia dhe tymi i krijuar për të mundur largimin tim të shpejtë. Sa u morën ballistët me të, unë ia shkela dhe kalova në lumë dhe përfundova në shtab tek Kahremani (Ylli).
Të kritikuan? Fillimisht aty filluan të thonin shyqyr që na shpëtove e njërën e tjetrën, por nuk ngurruan të na bënin edhe kritika për lëvizje të pamenduara si ajo që kishim bërë në atë moment se mund të linim jetën kot fare apo "për dhjamë qeni" si e përmendnin. Kuptohet që shumë kritikuan sidomos Njaziun. E që të mos e stërholloj më tej, kështu vajti ai moment ekzaltues ku unë dhe Njazi Çepani i kishim shpëtuar vdekjes vetëm rastësisht nga duart.
Dhe pastaj?
Të nesërmen pastaj çfarë bëmë. Njësiti partizan i përbërë prej shtatë-tetë vetësh mes tyre mbaj mend që ishte Luan Qafzezi, unë, një Bajram nga Dobrusha, një ushtra italian i quajtur Roko, etj dhe i drejtuar ai njësit pra nga Mitat Luci zumë pozicionet në një gjatësi të konsiderueshme për të bërë kundërveprim ballit që na kishte sulmuar teksa iknim siç të thashë në rrugën tonë. Kur sipas parashikimit erdhi makina e tyre i pari nuk hodhi bombë nuk qëlloi. Ishte ai Barjami që thash unë që ishte nga Dobrusha. Ishte burrë i mirë i shkreti, partizan i vjetër. Ky Rokua bërtiti "ou Bajrami nuk e hodhi", "Bajrami nuk e hodhi" dhe ia krisi me bomba radhazi. U ndez situatë e zjarrtë. U vra menjëherë shoferi i kamionit dhe disa të tjerë. Ballistët u ngritën të gjithë në këmbë. Pas kësaj ne bëmë dhe një goditje në Kuçovë. Pas kësaj emri i Njaziut dhe emri im u evidentua nga ata, dhe u dënuam me vdekje me urdhërua që të gjendeshim kudo që të ishim dhe të ekzekutoheshim menjëherë.
Pra pas historisë së Kuçovës dolën urdhrat e ballit?
Po pas Kuçovës. Pra pas goditjes tjetër që u bë në Kuçovë. Por aty unë nuk isha. Megjithatë emri im ishte tashmë i spikatur tek ata dhe më kishte ardhur sinjali se ishte lëshuar urdhër që ku të gjendesha të qëllohesha menjëherë.
U shqetësuat?
Nuk ishte ndonjë gjë e re që isha dënuar me vdekje pasi ne bashkë me vdekjen ecnim përditë dhe kishim marrë parasysh çdo gjë. Në këtë mënyrë na vriteshin përditë shokë.
Po ju keni marrë detyrë për ndonjë aksion në lidhje me Ballin?
Këta ballistët kishin edhe shumë elementë në radhët e tyre që ishin shumë kriminelë dhe të pamëshirshëm që nuk linin mënyrë dhe mundësi pa marrë hak.
Për shembull?
Ka qenë një Kadri Cakrani në Berat që ishte bërë tmerr dhe gjakatar. Ai po të merrte njoftim se kishin kapur partizan, nuk bëhej fjalë ta linte të gjallë, por jo vetëm e torturonte tmerrësisht por edhe e bënte shembull nëpër qytet. Berati ishte vënë nën terror nga ky shqiptar i shitur. Kështu Njësiti më ka ngarkuar detyrën për ta vrarë këtë kriminel që kishte lyer duart vetëm me gjak.
Me kë u caktuat juve për të kryer këtë aksion?
Në grupin e caktuar isha unë, Novruz Gjerbsi, ishte Yzedin Perondia që ishte nga një fshat i Kuçovës, tani di që jeton në Shijak. Por që ky na sabotoi të gjithë aksionin.
Pse?
Se na u shkëput nga grupi, pra na tradhtoi dhe u dorëzua te Kadri Cakrani ku e njoftoi për mbërritjen tonë dhe detyrën që kishim marrë për të varrë vetë atë.
Si ndodhi?
Urdhëri na u dha nga Kahreman Ylli dhe Mestan Ujaniku në fshatin Zaloshnjë. Pas kësaj ne u nisëm menjëherë për në Berat. Bëmë të paktën dy ditë rrugë duke kaluar në Zaloshnjë- Gradec- Shpatani- Trrebël - Dunckë- Ronas -Terrov etj. Kështu pas dy ditësh si ishim sfilitur shumë mbërritëm në ullishtat mbi Berat. Pikërisht përballë Kalasë. Aty morëm një sy gjumë. Në këtë kohë, ky shoku që të thash me emrin Abedin, u largua fshehur nga ne dhe u nis tatëpjetë ullishtës ku përfundoi në qytet dhe u dorëzua te Kadri Cakrani. E njoftoi atë për sa të thashë më sipër. Kështu që ai mori masa të jashtëzakonshme për të na kapur neve. Berati u vendos në shtet rrethim.
Ju hytë në qytet pas kësaj?
Po po hymë. Kadriu na kërkonte neve dhe ne në zbatim të detyrës së dhënë kërkonim rast të bënim atentatin. Kishim shumë baza aty. Të tilla si te ai miku i babait që ju kam folur në fillim të kësaj interviste që kishte kafe "Tomorrin" dhe që quhej Stavro Gjika, kishim shtëpinë e Kasëm Qafës ku ndenjëm më shumë, apo ishte baza e Xhevair Beshirit etj etj. Në Berat ndenjëm rreth katër-pesë ditë dhe do t'ja kishim gjetur anën, por Kadriu u thërrit në Tiranë ku iku me forca gjermane. Por edhe ai që e dinte që ne ishim aty dhe prisnim rast për ta vrarë nuk mundi të na kapte, megjithëse kishte qytetin në dorë dhe drejtonte forca të shumta balliste aq më shumë që bashkëpunonte edhe me gjermanët ne na mbronte populli se siç të thashë kishim shumë baza aty dhe unë i njihja që kur kisha punuar me babain.
©Corovoda On Line