Vajza nga Corovoda: 007-ta e Anti Droges Media Pressi Shekulli nje hapesire intervistes ne suplementin e fundjaves Ja Intervista **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Vajza nga Corovoda: 007-ta e Anti Droges Media Pressi Shekulli nje hapesire intervistes ne suplementin e fundjaves Ja Intervista

Fatjon Kaloci
5.8.12
Nje nder gazetat e medha te tregut shqiptar, Shekulli, ne suplementin e fundjaves 4 gusht 2012 nje hapesire i kushtoi edhe Edasarela Mustafaraj. Vajza nga Skrapari njeheresh Specialiste e Hetimit te Droges ne Policine e Tiranes, ne nje interviste te rralle, jep disa detaje mjaft pikante te punes, kualifikimit etj, si dhe nevojes per t'i sherbyer drejtesise shqiptare. Intervista e marre nga Entela Resuli, u publikua edhe dje ne formatin elektronik te gazetes Shekulli. Corovoda On Line eshte e lumtur te publikoj kete postim vecanerisht ndaj nje mikeshe te blogut tone. Kortezi shekulli/entela resuli Intervisten e plote.
Eda, diplomë e mirë, studime për doktoraturë, 4 gjuhë të huaja, një CV shumë e pasur.. Pse, pjesë e policisë?
Ka qenë viti 2007, kur u bërë pjesë e Policisë së Shtetit. Në atë kohë nuk ka qenë ky ligj që është tani dhe jam emëruar si agjente e policisë, grada më e ulët që kishte policia e vendit dhe u futa vetëm se kisha dëshirë. Doja vetëm të isha pjesë e këtyre strukturave dhe pranova ta bëj këtë duke filluar nga grada më e ulët. E kam mbajtur për 9 muaj dhe më pas më është dhënë grada “Nën-Komisare”.

Keni hyrë që në fillim tek anti-droga?
Po, prej fillimit kam qenë në këtë sektor, jam shkëputur vetëm një vit, pasi kam punuar si specialiste për hetimin e krimeve në sektorin kundër krimit të organizuar në DPQ Tiranë.

Si është një ditë e Edës police?
Zyrat tona janë te Drejtoria e Policisë së Tiranës. Në mëngjes bëjmë mbledhjen e zakonshme. U raportojmë shefave se çfarë kemi ndërmend të bëjmë atë ditë. Na qëllon edhe që të kemi procedime me metoda speciale të hetimit. Shkojmë bëjmë kapje në flagrancë. Nëse kemi informacion që një person shet drogë, ngrejmë grupimin e punës, shkojmë, e mbajmë në vëzhgim dhe më pas e godasim, pjesë e këtyre grupeve të punës jam edhe unë.

Po pse, nga juriste në Polici?
Punën në polici e kam pasur pasion ende pa zgjedhur studimet e larta. Dëshira ime ishte të zgjidhja të hyja në Akademinë e Rendit. Por, për shkak se kam qenë gjithë kohës me mesatare shumë të lartë, kam qenë nxënëse shumë e mirë nuk pranuan prindërit. Im ata ka qenë oficer në ushtri dhe ka qenë edhe dhjetë vjet oficer policie në Skrapar. Ai nuk donte që unë të isha pjesë e Policisë së Shtetit pasi mendonte që unë i kisha të gjitha mundësitë të bëja diçka tjetër më të mirë. Pasi për të, policia kishte problemet e veta duke futur këtu edhe rrogat e ulta. Plus që akoma në vendin tonë nuk është arritur që femra të ketë atë pozicionin që i takon në Policinë e Shtetit. Për këto arsye nuk donin dhe unë respektova mendimin e tyre dhe nuk
konkurrova në atë kohë në Akademi. Konkurrova dhe fitova "Juridikun" dhe "Ekonomikun" në Shqipëri. Zgjidha "Juridikun" pasi drejtësinë e kam pasur qejf. Më pas shkova në Turqi, pasi fitova një bursë dhe vazhdova studimet atje për 5 vjet.

Keni kërkuar vetë të ishit pjesë e anti-drogës?
Mua, të them të drejtën, më ka pëlqyer shumë anti-droga, pasi shihja edhe shumë filma. Më pëlqen adrenalina që ka anti-droga. Një njeri shumë i mençur ka thënë që, droga më e rrezikshme për njeriun është adrenalina dhe është shumë e vërtetë. Adrenalina të çon të bësh çmenduria. Unë e pëlqej shumë këtë sektor pasi edhe atë vit që u shkëputa e ndieja veten shumë pasive, sado që bënim një punë shumë të mirë edhe tek seksioni tjetër, por nuk më jepte atë kënaqësinë që ndien në momentin kur kap mallin (drogën) e kur arrestoj personin, për shkak dhe të rrezikshmërisë, pasi ky është një ndër seksionet më të rrezikshme në polici.

Ka orare kjo punë?
Ne nuk kemi orare. Që kur kam hyrë në polici nuk kam pasur ndonjëherë orare. Nuk është se me pengon, pasi më pëlqen. Unë vazhdoj edhe studimet në doktoraturë për shkenca penale. Ka edhe punë që mund t’i programosh. Normal që një punë tjetër më komode do të më jepte shumë më tepër hapësirë për gjëra të tjera, po e dua këtë gjë.

Sa pretendoni ju në këtë punë?
Shumë. Me ligjin aktual të Policisë së Shtetit, unë duhet të marrë njëherë gradën komisare, sepse shefat e seksionit kanë të gjithë gradën komisare dhe për këtë duhet që të kesh 3 vjet eksperiencë pune dhe të konkurrosh, unë tani e kam plotësuar 3-vjeçarin, por nuk është hapur ende konkursi.

Do të konkurroni për t’u bërë drejtuese?
Patjetër. Do të më pëlqente, pasi deri me tani nuk ka pasur asnjë femër si shefe te anti-droga. Në fakt është përgjegjësi shumë e madhe, ka shumë dinamikë, kërkon përgjegjshmëri shumë të madhe nga të gjithë njerëzit, që është e vështirë të arrihet. Dua të them që, kam shumë dëshirë të arrij majat në Policinë e Shtetit, më tepër për atë egon femërore që kam, që t’ju tregoj të tjerëve se edhe një femër mund të arrijë këtu.

 E keni të vështirë të shfaqeni egon tuaj në një terren meshkujsh siç është policia?
Jo, ka edhe shfaqje xhelozie, si në çdo institucion edhe këtu tek ne, por unë nuk e kam shumë problem e nuk i vuaj këto gjëra. Në përgjithësi, me kolegët kam pasur raport shumë të mirë, sepse dhe unë jam ndërgjegjshme, pasi unë e vetme nuk mund të kryej operacione. Edhe për ata është e njëjta gjë. Ata e kanë ndierë shumë benefitin e të pasurit një kolege femër, jo vetëm për të zbutur shtatat,  por as pjesa e “kriminelve” ende nuk e kanë kuptuar që edhe femra mund t’i shkojë afër e t’i arrestojë. Edhe ne jemi më komode për të dalë në terren e për të bërë një vëzhgim pa rënë në sy, ndërsa meshkujt, duan apo nuk duan e kanë pak atë sjelljen prej “maçoje”.

Na e rrëfeni pak atë adrenalinën e një aksioni për kapjen e drogës?
Nuk di se cilit operacion t’i referohem pasi janë kaq njësoj dhe kaq ndryshe nga njëri-tjetri. Janë njëlloj pasi ke një subjekt që sjell mallin (drogën), po asnjëherë nuk na ecin operacionet ashtu siç i kemi menduar. Ne ulemi, vendosim se ku do të rrijë secili dhe çfarë do të bëjë secili dhe në momentin e fundit ndodhë që asgjë nuk del ashtu siç e kishim parashikuar ne, as në planin A, as në B e as në C.

Pse?
Por duhet të kuptojmë edhe faktin që nga krahu tjetër kemi persona që, ata luftojnë për mos u kapur dhe ne luftojmë për t’i kapur. Edhe ata kanë fantazinë dhe kreativitetin e tyre, madje kemi pasur edhe situata të rrezikshme, por deri më sot kemi dalë mirë.

Cili është operacioni më i rrezikshëm ku keni marrë pjesë?
Ka pasur, por në përgjithësi unë jam shumë gjakftohtë në operacione, dhe kjo besoj është një karakteristikë që më ka ndihmuar.

Ju jeni civile?
Po po, gjatë gjithë kohës civile, madje mund të më shihni edhe me pantallona të shkurtra edhe me kokën të pa larë që të ngjaj si përdoruese droge, përdorim mënyra nga më të ndryshmet që jo të gjithë mund t'i zbulojmë.

Keni qenë ndonjëherë e infiltruar?
Në disa raste po.

Si infiltrohesh?
Nuk e di se sa mund të të tregoj nga këto gjëra. Çelësi i suksesit në të tilla raste tek unë apo edhe kolegët e mi që bëjnë të tilla gjëra është se dimë shumë nga fjalori që njerëzit e kësaj fushe përdorin. Futem në atë natyrshmërinë, e mendojmë veten sikur jemi pjesë e tyre sepse ndryshe fillon edhe na kap ai qëndrimi jonë prej polici edhe prishim gjithçka. Në atë ato momente mundohemi të jemi sa më të qetë dhe të mendojmë si personi që kemi përballë. Përgjithësisht, i lutemi edhe Zotit që gjithçka të shkojë mbarë sepse është përgjegjësi e madhe që të prishet operacioni për fajin tonë.

Një rast kur ke qenë e infiltruar?
Ka qenë një rast kur dihej që malli vinte nga një grup i rrezikshëm kriminal, nuk dua ta përmend me emër, pasi grupi  nuk është goditur ende. Në këtë rast, kam qenë e infiltruar për të bërë një blerje të stimuluar.

E bleve?
Po. Janë një sërë procedurash që duhet të ndiqen për të qenë në rregull. Aktualisht ka struktura të posaçme që merren me këto.

Si janë personat që merren me shpërndarje?
E përgjithshmja është se ata janë goxha të zgjuar, në këtë kuptim që ka njerëz që janë dënuar një apo dy herë dhe kanë mësuar shumë nga pësimet e tyre dhe me ta është shumë e vështirë që të nisësh një punë dhe t’i godasësh, po që ia kemi arritur. Ne kemi pasur një dy raste me njerëz që sapo kanë dalë nga burgu, kemi organizuar punën me metodat tona speciale. E mbante veten për shumë të zgjuar, pasi nuk ia merrte mendja që ne do të arrinim përsëri tek ai.

Sa zgjat një procedim?
Ka procedime që zgjasin deri në një vit. Zgjatem me urdhër të prokurorit dhe në sajë të ecurisë së procedimit.

E keni menduar ndonjëherë, çfarë mund të bëni sikur të bini në dashuri me ndonjë trafikant?
(Qesh) Nuk më ndodh, nuk e besoj. Unë kam një ndjenjë shumë negative karshi personave që merren me drogë. Ata i shoh thjesht si objekt pune dhe nuk kam arritur ndonjëherë që t'i shoh me një sy tjetër. Kam një shqisë të veçantë për t’i mbajtur larg këta lloj njerëzish.

Keni kapur femra?
Po, kemi kapur edhe femra shumë. Është më e lehtë të përdorësh një femër, ka shumë grupe pune që përdorin femra për të shpërndarë apo për fshehur lëndën narkotike.

Jeni përplasur ndonjëherë fizikisht?
Po, më ka ndodhur disa raste, i kam shtyrë i kam kapur, deri në momentin që më ka ardhur kolegu në ndihmë.

Shani?
Unë nuk shaj, as në punë, as në jetën e përditshme. Madje, edhe ata njerëz që arrestoj, i kuptoj edhe kur thonë ndonjë fjalë, pasi kush është ai që do të donte të shkonte në burg e t’i privohet liria. Unë zbatoj procedurën. Nuk i fyej asnjëherë, madje ka raste që edhe u blen ujë, cigare edhe nga lekët mia të xhepit.

Tani që jeni pjesë e strukturave të Policisë... Policia është vërtet si nëpër filma?
Të themi se unë e kam ditur që policia nuk është si nëpër filma që kur jam futur këtu, pasi jam shumë me këmbë në tokë, e pavarësisht këtyre e kam pasur pasion dhe ndaj hyra. U përballa me atë që prisja, ka raste që e mendoj dy herë që pse!? Pse po vazhdoj të jem në polici? Por, këto janë shumë momentale, më pas vjen ai momenti që do të bëj një operacion dhe nuk kam më kohë që të mendoj “pse-të”.

Ju me kë jetoni?
Jetoj vetëm. Familjen e kam në Skrapar. Motrën dhe vëllain i kam të dy ekonomistë dhe nuk e pëlqejnë punën që bëj dhe nuk kanë dëshirë që unë të punoj në polici. Familja ime nuk para është në dijeni të punës sime. Për të qenë të qetë unë kam zgjedhur që të mos i informoj shumë. Ata e dinë që unë punoj te anti-droga, por u kam thënë që puna ime është vetëm në zyrë.

Përveç punës, çfarë bën tjetër?
Jam në shkollë. Vazhdoj studimet për doktoraturë dhe part-time punoj edhe përkthyese te “Vizion Plus”, përkthej një telenovelë dhe e kam ditën shumë të ngarkuar dhe kur prek krevatin jam njeriu më i lumtur në botë.

Sa kujdeseni për veten?
Kujdesem, shkoj minimalisht një herë në javë tek parukieria. Nuk dal asnjëherë nga shtëpia pa makiazh. Me ka ndodhur që jam çuar nga parukieria dhe kam ikur me vrap për shkak të punës. Më pëlqen të vishem bukur dhe rrobat kryesisht i blej jashtë.


Bio
Emri: Edasarela Mustafaraj
Mosha: 30 vjeç
Vendlindja: Skrapar
Vendbanimi: Tiranë
Detyra: Specialiste e hetimit të drogës në Policinë e Tiranës
Diploma: Fakulteti Juridik në Turqi, diplomuar në vitin 2005 me rezultate të shkëlqyera.
Në ndjekje: Doktoratura për Të Drejtën Penale.
Eksperienca të mëparshme: Juriste e Ambasadës Turke në Tiranë.

Modeli:  “Ajo që më ka frymëzuar gjithmonë për të bërë këtë profesion, ka qenë Silvia Konti tek i famshmi “Oktapodi”, ndjenja e lufta e saj për drejtësi. Për shumë kohë, rrethi im i ngushtë shoqëror më ka thirrur Silvia. Arsyeja pse e kam zgjedhur këtë profesion është pikërisht dëshira për të dhënë pjesën time në luftën kundër kriminalitetit dhe ndihmën për të pasur një shoqëri më të sigurtë, për të qenë pjesë e përpjekjeve të pashtershme për të ndihmuar komunitetin tonë. Nuk pretendoj të bëj apo jap drejtësi, dua thjesht të jap një mundësi për arritjen e saj”.


Fjalor hashashi...: Në telefona shpërndarësit e drogës përdorin kode për mallin, zakonisht përdorin të folmen mbrapsht. Barit, për shembull, (hashashit) i thonë "rab", një “seqe”, për një qese, ose duan dy kile drogë të kuqe, thonë: "më sill ata dy xhupat e kuq që lash dje të shtëpia, mos i prek", në kuptimin që mos i përzje, etj
©Corovoda On Line / Shekulli