Nga: Idajet Beqiri: In memorium për Yllka Musabelliu (Xhaferi) Ra nje "Yll" ... dhe u pame -->

Kategoria e gjetur

Iklan Semua Halaman

Nga: Idajet Beqiri: In memorium për Yllka Musabelliu (Xhaferi) Ra nje "Yll" ... dhe u pame

Fatjon Kaloci
28.10.13
In memorium për Yllka Musabelliu (Xhaferi) Keshtu e nis nje postim ne nje tabloid shqipetar avokati Idajet Beqiri i njohur per Skraparine dikurshem vecanerisht Corovoden kur dikur punoi ne kete qytet. I prekur nga ngjarja e largimit nga jeta te nje prej gureve themelare te arsimit ne Corovode ne kete postim nder te tjera ai shkruan:
Skrapari është një Krahinë në jugun e Shqipërisë që i ka hije gjithçka. I ka hije tradita, mikpritja, trimëria, fjala. I ka hije besa, puna, dituria dhe mbi të gjitha i ka hije bujaria, sepse është krahina më bukëdhënëse në gjithë Shqipërinë. Me skraparllinjtë bëhesh mik “me shikimin e parë”, sepse kanë aftësinë që të “blejnë” shpejtë, por, kur shohin që je mik i mirë dhe i vërtetë, nuk të lëshojnë kollaj. Kanë mes njëri-tjetrit një solidaritet aq të madh, sa është për t’u marrë shembull. Por mbi të gjitha kanë një nuhatje të thellë kolektive aq të mprehtë, sa nuk gabojnë lehtë. Dinë mirë kë të nderojnë dhe dinë gjithashtu mirë kë të distancojnë. Kisha dëgjuar më parë që thoshin “kur të vjen vdekja, më mirë të vdesësh në Skrapar dhe në Krujë”. Puna dhe jeta e deshi që këtë sentencë t’a shihja me sytë e mi në të dyja këto vende. Dje, varreza e Tufinës në Tiranë, si rrallë herë ka parë aq shumë njerëz, aq shumë burra, gra, djem e vajza të reja. Një kortezh mortor i rrallë parë në Tufinë, jo thjeshtë për nga numri, por mbi të gjitha nga përmbajtja e dhimbjes që përcolli. Një kortezh që sytë e përlotur nuk i shihje vetëm te gratë dhe vajzat e reja, por i shihje edhe te burrat e fortë të Skraparit. Skraparllinjtë dhe një pjesë e mirë e kryeqytetit dje përcollën në banesën e fundit një “Yll” të Skraparit. Emrin e kishte Yllka. Nga çdo pikëpamje, qysh nga prejardhja e familjes së saj, nga fëmijëria e saj, nga rinia e saj dhe deri ditën e djeshme që u nda nga jeta në një moshë relativisht të re, ajo ishte dhe mbeti siç kishte emrin. Një nxënëse dhe studente e shkëlqyer. Përfundoi fakultetin e gjuhëve të huaja në Universitetin e Tiranës me vlerësime të shkëlqyera. Plotë 35 vjet shërbeu si mësuese e anglishtes në shkollat e mesme në Skrapar dhe në Tiranë. Një mësuese që ndriste me mirësinë e saj, me gojëmjaltësinë e saj, me aftësitë e saj, me ndershmërinë dhe përkushtimin e saj. Gjithnjë e buzëqeshur, gjithmonë e urtë dhe gjakftohte, gjithmonë “të vriste me pambuk”. Ishin këto arsyet që kishin “shkulur” nga çdo cep i Shqipërisë, nga Skrapari po e po, por edhe nga emigracioni, ato dhjetëra e dhjetëra breza nxënësish, kolegësh, prindër fëmijësh dhe njohësish të saj të pa fund, të cilët me lot në sy morën pjesë në ceremoninë mortore të vdekjes së parakohshme të mësueses së tyre të shtrenjtë, Yllka Musabelliu. Ishte një bashkëshorte dhe nënë vërtetë shembullore. Familjen Yllka e kishte të shenjtë dhe të shtrenjtë, bashkëshortin Hajri gjithashtu, të dy fëmijët, që i kishte si dritën e syve po gjithashtu. Në atë mori të pafundme njerëzish që morën pjesë në këtë ceremoni tepër të dhimbshme mortore ra në sy edhe pjesëmarrja e një të moshuari. Kishin insistuar fëmijët, nipat e mbesat dhe të afërmit e familjes që ai të mos e bënte atë rrugë të gjatë dhe të lodhshme, kryesisht nga trafiku i rënduar deri në Tufinë. Por xha Hyseni mbi 85 vjeçar nuk i kishte dëgjuar. “Më ka trajtuar, më ka bërë hyzmet dhe më ka mbajtur për afro 40 vjet si një nuse e bardhë e qëmoti. Kurrë nuk mund t’ia harroi asaj këtë mirësi. Edhe i vdekur të isha, do ngrihesha dhe t’i thosha “Lamtumirë” bijës sime!” Yllka sapo i kishte mbushur 58 vjeçe. Ajo pati një “fat” tragjik. Iku pa pritur dhe pa kujtuar nga një vdekje vërtetë aksidentale. Ajo iku me atë buzëqeshjen e saj që dikur e kishte vërtetë të bukur, por që më vonë, nga që Yllka i përcillte të gjitha ngjarjet e jetës më shumë me zemër, se sa me tru, dhe ndjente dhimbje, siç ndjejnë të gjithë njerëzit me zemër të këtij vendi, buzëqeshja e saj mori trajtat e buzëqeshjes së Mona Lizës. Në ditët që jetojmë, kur solidariteti është bërë një fenomen që po humbet “si kripa në ujë”, skraparllinjtë vërtetë ndjenë dhimbje për vajzën e tyre të dashur dhe të shtrenjtë, që vërtetë i ka nderuar, por i thanë asaj edhe një “FALEMINDERIT” të madhe. I thanë kështu, sepse mbase kishin vite të tëra që nuk ishin parë dhe dëgjuar me njëri-tjetrin. Aty në Tufinë ra një “Yll” dhe ata u panë dhe e përcollën të bashkuar Yllkën e mirë të Skraparit.
©Corovoda On Line / Kortezi "Telegraf"