|
Foto: Arkiv - Godina e Zyrës Arsimore Skrapar |
Edhe Skrapari do të listohet në zonat ku Qeveria Rama dhe përkatësisht Ministria e Arsimit dhe Mirëqënies Sociale, këto të fundit në një komision at-hoc të përbashkët do të mundësojnë për vitin shkollor apo atë akademik 2014 - 2015. Këtë cilëson edhe një prej udhëzimeve më të fundit në thelb të së cilit bëhet fjalë për një pagesë të plotë vjetore, që do t’u jepet studentëve dhe nxënësve, që janë fëmijë të një familjeje, që përfiton ndihmë ekonomike apo kur plotëson kriterin e largësisë, pra kur jeton në konvikt. Për këto kategori personash, të cilët do të përzgjidhen nga një komision i përbashkët i Ministrisë së Arsimit dhe Mirëqenies Sociale, do të ofrohet bursë e plotë, që do të thotë, para për strehimin në konvikt, për shpenzimet vjetore të studimeve, për ushqimin në mensë, ndërsa gjysmë do të përfitojnë ata të cilët janë fëmijë të një familjeje, që kanë 2 persona, të ardhurat për frymë të të cilëve janë 4.600 lekë në muaj. Të dhënat parashikohen në një udhëzim të përbashkët të Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Mirëqenies Sociale, për bursat që do të akordohen vitin e ardhshëm shkollor e akademik. Sipas tij, nga përfitimet ekonomike, nuk do të përjashtohen edhe kategori të tjera si: personat me aftësi të kufizuara, ata që kanë humbur kujdestarinë prindërore, të rinjtë me rezultate të shkëlqyera apo ata që ndjekin shkollën e mesme profesionale në disa degë specifike.
“Bursa e plotë për nxënësit e arsimit parauniversitar varion nga lloji i shkollës nga 6.400-6.900 lekë dhe po ashtu, edhe bursa për studentët varion nga 8.900-9.400 lekë. E përfitojnë bursën nxënësit dhe studentët që vazhdojnë studimet larg vendbanimit të tyre në largësinë mbi 5 km dhe plotësojnë kriterin ekonomik; nxënësit që banojnë në fshat, të cilët nuk kanë shkollë 9-vjeçare brenda rrezes prej 5 kilometrash e që vendosen në konvikt publik; nxënësit apo studentët që kanë përfituar statusin e jetimit dhe që plotësojnë kriterin ekonomik; nxënësit dhe studentët që kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë dhe që plotësojnë kriterin ekonomik; fëmijët, nxënës apo studentë, që kanë statusin e invalidit, paraplegjikut dhe tetraplegjikut dhe që plotësojnë kriterin ekonomik”, parashikohet në udhëzim. Sipas tij, bursë përfitojnë edhe nxënësit e studentët që kanë rezultate të shkëlqyera, një vit përpara se të aplikojnë për të përfituar këtë lehtësi ekonomike; nxënësit që vazhdojnë studimet në shkollat profesionale, në degët bujqësore, veterinare, pyjore dhe ndërtim, në vitet e dyta e lart dhe që kanë mbaruar vitin akademik pararendës me notën mesatare mbi 8 dhe studentët që regjistrohen në vitin e parë të shkollës së lartë, që kanë mbaruar shkollën e mesme me medalje ari.
“
Prioritet në trajtimin me bursë kanë nxënësit që ndjekin shkollat profesionale dhe me vendbanim të përhershëm në zonat verilindore dhe juglindore të vendit, si Tropoja, Hasi, Puka, Kukësi, Dibra, Bulqiza, Mati, Mirdita, Malësia e Madhe, Librazhdi, Gramshi, Kolonja, Përmeti, Pogradeci, Skrapari dhe Rrethi i Tepelenës”, thuhet në udhëzim.
Udhëzimi i ri i hartuar së fundmi, nuk përjashton mundësinë e përfitimit të një pagese cash për fëmijët, prindërit e të cilëve përfitojnë asistencë sociale nga shteti. Kështu, përveç ndihmës ekonomike, Ministria e Mirëqenies Sociale do të japë para në dorë vetëm për prindërit, fëmijët e të cilëve ndjekin arsimin e detyruar, ndërsa parashikohet edhe një tjetër lehtësi, siç janë edhe përfitimet që përmenden në udhëzimin për bursat, vitin e ardhshëm shkollor e akademik.
Kushtet e përfitimit do të vlejnë më tepër për këto specifika:
1. Studentët që studiojnë mbi 5 km larg vendbanimit të tyre.
2. Nxënësit që mësojnë 5 km larg shtëpisë dhe vendosen në konvikt.
3. Ata që kanë përfituar statusin e jetimit.
4. Ata që kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate.
5. Ata që kanë statusin e invaliditetit.
6. Ata që kanë rezultate të shkëlqyera.
7. Ata që mësojnë në disa degë specifike profesionale.
© Corovoda Online