Koordinata X: 20 tetor 1943 Ali Koprencka Fjalimi i mbajtur në Parlament **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Koordinata X: 20 tetor 1943 Ali Koprencka Fjalimi i mbajtur në Parlament

Fatjon Kaloci
25.12.15
Koordinata X rubrika e Corovoda Online  ndalet sot në këtë postim në një ndër fjalimet më brilante edhe përse jo edhe për realitetin. I ndërprerë prej disa herësh nga duartrokitjet dhe brohorimat më poshtë publikojmë traskipt fjalën e mbajtur nga përfaqësuesi i Skraparit në Parlamentin e 1943 Doktor Ali Koprëncka. Fjalimi i referohet datës 20 tetor 1943. E ndjekim më poshtë të plotë këtë fjalim:
Z. Nënkryetari: (R. Krasniqi):
Në rendin e ditës kemi fjalime prej Zotnive Asamblista. Fjalën e ka Z. Dr. Ali Koprencka.
Z. Dr. Ali Koprencka:
Shqipërija, që me vullnetin e fatin e saj mundi t'i thyej zinxhirët e fortë e pesqindvjeçare të Sulltanëve të Turqisë, të urryer dhe prej vendit të tyne, Shqipërija që në përpjekjet e saj ka kapër­cyer shumë thellësira të pa-kapercyeshme, Shqipërija kësaj here u mun­dua dhe mundi të thyejë zinxhirët e robërisë fashiste.
Dua të jem i sinqertë e prandaj po ju them që unë sot do të isha me të vërtet më kryelarti sikur të isha i dërguar drejt për drejt prej krahi­nës sime, Skraparit, dhe atëhere do tisha ma i gjerë nga goja e më aktiv në veprimtari që kërkon rasti. Për fat të keq, rrethanat në të cilat n'a ka vënë zjarri i kësaj lufte së përbotëshme sot, nuk mund të jetë ashtu si e dëshirojmë, e prandaj, dua unë, të doni edhe zotnija juej që vendimet tona të jenë të matura e të frytëshme për Kombin tonë që sot ne këtu së bashku po përfaqësojmë.
(brohoritje të pa preme) .
Ju lutem t’i dërgoni bashkë me mua një përshendetje admirimi djal­mërisë sonë…..
(brohoritje),
së cilës Kombi i detyron aq shumë sa, çdo që të them, është e pa mjaftueshme për t’a shpjeguar.
Një përshëndetje atyre që për Flamur e me Flamur në dorë kanë dale qysh prej kohe në malet tona plotë histori, një përkujtim paqjeje atyre të rinjve që për atë Flamur e për liri e derdhën pa kursim e me kurajo dragojsh gjakun e shenjtë të tyre kundra barbarizmave të okupatorit.
Djalërija, që për liri ka rrëmbyer pushkat në duart trime, të mos e quaj për fyerje këtë mbledhje që po bëjmë ne sot, pa e patur atë këtu pranë.
Ne, nuk po bëjmë gjë tjetër, veçse po pregatitim frutin e përpjekje­ve të saj: po hapim dyert e pamvarësisë të Kombit tonë; po i themi botës që u përpoqëm, u munduam, u burgosëm, u internuam, u therëm e u vramë por, me në fund, atë që deshëm, lirinë e fituam.
Djalërija mos na zemërohet pse nuk e pritëm se çasti është i ngutshëm. Ne nuk mund t’a linim popullin si një kope bagëtish pa çoban. Shqipërija ka vojtur shumë! Është djegur e përvëluar gjatë shumë shekujve e për këtë gjë, pra, ne, duhet para çdo gjëje tjetër, të mejtoj­më shpëtimin e Shqipërisë, po të duam të shpëtojmë si shpëtuam; e po të duam mund të ngatërrohemi akoma më gjerë dhe të lëndojmë plagët tona akoma të pa mbyllura mirë.
Ne, sot në këtë Kuvend Kombëtar, do të formojmë Qeverinë Kombëtare, nga e cila presim të na rregulloj administratën e shkatërrueme prej okupatorit.
(brohoritje)
Kërkojmë prej Qeverisë Kombëtare të na mbledh e të na bashkoj që t’a mbrojmë me gjoksin e bajonetave tona këtë vend të vogël po të shenjtë
(duartrokitje).
Të na rregulloj e të na bashkoj në një mënyrë që nesër, kudo që të jetë tryeza e paqes, cilet do të jenë ata zotrij që do të kenë fatin e kombeve në dorë, kur të zënë në gojë: Shqiptar e Shqipëri, të thonë: Shqiptari e meriton lirinë, t’i japim Shqipërisë pamvarsinë politike, t’i japim Shqipërisë pamvarësinë ekonomike. Me ketë Kuvend historik që u mblodh për t’i treguar botës që Italia barbare n'a u hoq qafe, duhet, dua unë dhe duhet të doni edhe Zotnija Juej, që të jenë prezent dhe tre nga patriotet e pastër të Shqipërise.
Autorizomëni, ju lutem, t’i kerkoj Kryetarit që të thërrasë këtu pleqtë e Kombit: Mehdi Frashërin, Imzot Bumçin dhe Fuad Dibren
(brohoritje).
Kur pata fatin t’i jem afër në ditët e zeza të mërgimit, Mehdi Frashërit në Romë, bile i jam ndodhur dhe si mjek kur ai vuante nga sëmundja nostalgji që domethënë « malli i Atdheut » , i thoshnja: Pregatitu, o plaku i ynë, të mbaç fjalimin se ardhi koha; edhe kete i a thoshnja me bindje të plotë. Thërriti, pra, Z. Kryetar, thirre Z. Kryetar Medi Frashërin, që në ditët 5 e 6 prill, nga ballkoni i Bashkisë na thërriste: Ejani djem, bashke me mua dhe me djemtë e mij të vdesim për lirinë e Shqipërisë
(brohoritje).
Foli, Z.. Kryetar, Medi Frasherit që arriti ajo ditë që okupatorin fa­shist e zuri haka e Shqipëtarit dhe e theu qafën përgjithmonë. Thirri, Z. Kryetar, njerëzit tanë që gëzojnë kredinë e mbarë Shqipërisë, të vijnë e të na nderojnë me prezencën e tyre, të vijne e të udhëhe­qin vendin tonë, të na bashkojnë, të na udhëheqin e të na japin kushtri­min Shqipërisë anë e mbanë që të dijmë ç’të bëjmë.
(brohoritje):
Thirri, pra, Zoti Kryetar, pleqtë e Kombit që të ndriçojnë e të na udhëheqin në veprimet tona.
Shqipërija ka vuajtur, ka hequr të gjitha të zezat, ka pësuar me jetë, me gjë e me mall, shumë djem janë arratisur, por këto të gjitha do t’i ndalojmë. Përpara çdo gjëje duhet të jemi të bashkuar. Çdokush që mendon për kulltuk ose për interesin e vet, duhet këto mendime t’i lerë me një anë e t’i a leshojmë vendin atyne më të zotërve.
(brohoritje dhe: rrofte bashkimi)
Perëndija u ndriçoftë mendjen atyre që nuk mendojnë për Shqipëri: Perëndija u ndriçoftë mendjen atyre të heqin dorë nga marrëzirat e të bashkohemi tok. Rroftë Shqipnija e lirë, Rroftë djalërija, Rrofshin udhëheqësit e ndershëm të Kombit.
©Corovoda Online / Traskiptim Redaktimi F.K.