Skrapari mes natyrës: Mes Aheve në Lirzë Skrapar. FOTO -->

Kategoria e gjetur

Iklan Semua Halaman

Skrapari mes natyrës: Mes Aheve në Lirzë Skrapar. FOTO

Fatjon Kaloci
24.1.16
E ndonse për vendasit popullimi i saj është më i madh çdo 8 gusht, e përditshmja me nuancat e stinëve ju zbret në një vend përrallor. Ahe të shumtë, Lisa gjelbërim ngado dhe uji i pijshëm "kallkan", shumë i ftohtë iu sigurojmë. Siç mund ta keni kuptuar Corovoda Online ka zbritur në Lirzë, një vend periferik i Skraparit të natyrës. Në më shumë se 50 ha, ndodhet në pjesën juglindore të rrethit të Skraparit, në afërsi të fshatrave Potom e Backë, në lartësitë 1250 – 1750 metra mbi nivelin e detit. Ndërtimi litologjik i shpatit ku është vendosur pylli përfaqësohet nga gëlqerorë dhe flishorë të paleogjenit, në të cilët mbizotërojnë ranorët dhe argjilorët. Përfshihet në zonën klimatike mesdhetare malore. Shpesh në kontaktin midis flishorëve dhe gëlqerorëve dalin burime uji, që shënojnë fillimin e disa rrjedhjeve sipërfaqësore, të cilat përshkojnë pyllin, duke i shtuar më tej bukurinë e rrallë të tij. Tokat janë të murrme pyjore. Në brendësi të pyllit ka dhe 7 ha livadhe, dhe fushimi i pushimit tuaj do të ketë vend për lojëra dhe zbavitje. Me bimësi barishtore të pasur në lloje. Këto livadhe natyrore janë një element shumë tërheqës për vizitorët. Drurët mbizotërues të pyllit janë: ahu, dëllinja e zezë, murrizi, etj. Drurët e ahut kanë lartësi mesatare 16 m dhe më e larta 25 m; diametër mesatar 30 cm, ndërsa më i madhi 60 cm; kanë moshë mesatare 60 vjet, ndërsa më e vjetra 100 vjet.
Banorë të këtij pylli janë ariu i murrmë, ujku, dhelpra, ketri, lepuri i egër, shqiponja, thëllëza e malit, etj. Monumenti ka vlera biologjike shkencore, ekonomike dhe turistike. Ai ka dhe vlera historike, sepse më 8 gusht 1944 këtu u mblodh Kongresi i Parë i Rinisë Antifashiste Nacional Clirimtare, ku blogu ynë corovodaonline ka shkruar shumë herë për atë që quhet ndryshe BRASH. Mjedisi është tepër i përshtatshëm për organizimin e piknikëve e të kampingjeve me çadra për të rinj. Tek ky monument mund të vihet, duke ndjekur rrugën automobilistike rurale 41 km të gjatë Çorovodë – Potom – Helmës. Gjelbërimi, peizazhi me bukuri mahnitëse, ajri i pastër, aroma dehëse e pyllit, ujërat e ftohta dhe qetësia joshin vizitorin për të qëndruar e pushuar në gji të tij. Corovoda Online ju këshillon që edhe nëse do të jenë ditët pik të vapës së nxehtë, batanijet apo veshjet e trasha do t'ju duhen në këtë bukuri natyrore që Skrapari fal.
© Corovoda Online