Skrapari mes Natyrës: Në zemër të Gjelbërimit Bredhi i Kuçit **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Skrapari mes Natyrës: Në zemër të Gjelbërimit Bredhi i Kuçit

Fatjon Kaloci
6.2.16
Në ciklin Skrapari mes Natyrës, Corovoda Online në kooperim me Akzm Skrapar ju sjellin në një tjetër magji të natyrës Skraparase. Flasim për pyllin që mban emrin Bredhi i Kuçit. Kjo magji e së gjelbërës zë një sipërfaqe prej 50 hektarësh dhe ndodhet në afërsi të fshatit me të njejtin emër, fshatit Kuç të Skraparit. Ky pyll ndodhet në lartësitë 1 160 deri në 1 600 metra mbi nivelin e detit. Zona kryesisht ka një përbërje  flishi paleogjenik, i përfaqësuar nga argjila, ranorë, etj. Klima që dominon është ajo mesdhetare malore, ndërsa hidrografia përbëhet nga burime të vegjël dhe rrjedhje të pakta më tepër të përkohshme, por me prurje të madhe të ngurtë. Mbizotërojnë tokat e murrme pyjore malore. Pylli i Bredhit të Kuçit në vetvete përbëhet nga disa lloje drurësh, ndër të cilët veçojmë: bredhin me zhvillim mjaft të mirë e me një bukuri të rrallë, me lartësi mesatare 20 metra dhe maksimale 24 metra, ku diametëri mesatar i trungut është 30 centimetra dhe ai më maksimal 66 centimetra. Mosha mesatare e pemëve është 110 vjeçare dhe më e vjetra 160 vjeçare. Bredhi shoqërohet me ah, panjë, pishë, dëllinjë, lajthi etj. Midis pyllit ka 5 hektarë tokë bujqësore dhe ngastra me livadhe, që mbizotërohen nga bimësia barishtore e llojit graminor. Fauna përfaqësohet nga: ariu, ujku, kaprolli, dhelpra, ketri, lepuri i egër, thëllëza e malit, shqiponja, etj. Ky monument natyre me vlera shkencore, peizazhiste, ekonomike dhe turistike, mund të vizitohet duke ndjekur rrugën automobilistike rurale 31 kilometra të gjatë në itinerarin Çorovodë – Melovë – Kuç dhe pastaj merret rruga këmbësore 6 km e gjatë që të çon në pyllin e Kuçit.
© Corovoda Online / Akzm Skrapar