Sonte Shkruaj Unë: ... Deti i Bëri Vend Malit - nga: Kalem Ymeralaj

Kategoria e gjetur

Iklan Semua Halaman

Sonte Shkruaj Unë: ... Deti i Bëri Vend Malit - nga: Kalem Ymeralaj

Fatjon Kaloci
19.8.16
Të gjithë vendosën të largoheshin atë natë, dikush më shpejt, e kush më vonë; kush i buzëqeshur e kush turivarur; kush më puthje e të tjerë me përçmim.
Mandej, pati dhe nga ata që hezituan të thonë dhe natën, si për të të thënë, se divorci yt me gjumin është i afërt.
Por kur sytë i ndjeja të lodhur, dëshira për të shkruar dhe për t'i kujtuar ato ditë depërtonte në shpirt, ëmbël... dhe më rinonte... më jepte forcë. Vendosa të qëndroj.
Bashkëshoqëruese të miat atë natë vendosen të ishin hëna e pakursyer, e cila ndriçonte autostradat qiellore dhe fluturat që përplaseshin në shenjë vet-mohimi në dritën e neontë, si për të treguar se e tillë ishtë jeta, me shumë përplasje.
Përplasja më e afërt ishte sezoni i provimeve... allias "i pamëshirshmi", sepse sistemi ynë arsimor vlerëson kujtesën tonë, jo inteligjencën tonë për t'a shndërruar njeriun e gjallë në një robot mekanik, që njeh si fjalëkalim "Përmendësh!". Paradoksale , të studiosh shkenca biomjeksore dhe të programohesh si për shkenca kompjuterike?!
Gjithsesi... ishte verë. Vendosëm të pushonim. Jugu do të ishte destinacioni ynë. ( Me fjalën "jug" për gjatë gjithë shkrimit, nënkuptoni vetëm pjesën detare)
Për femijë nga familje të ndershme, për katër të rinj që nuk i njihnin kampet verore partiake falas në Jalë, këto pak ditë ishin shumë të shtrenjta ( si çmim ) për ta.
Pas pak ditëve pushimeve në Jug, po ndiheshin shqetësimet e para, ato të portofolit. Andaj, vendosëm të shkonim në një plazh të dorës së dytë. Rënkimet e portofolit të rritur denjësisht si për dreq apo si për ëngjëll u dëgjuan, dhe ato ditë koha vendosi të mos ishte në favorin tonë.
Ndaj vendosëm të ktheheshim në shtëpi, ngjanim më shumë si ai i burgosuri që kthehej tek prindërit e tij (trokë) sesa si ai emigranti që kthehej në vendin e tij, dhe akoma më larg një pushuesi. Pasi u tregoje prindërve për çmimet, kokën e dushit të prishur, komunikimin dhe mushkonjat, fillonin kritikat për këtë shtet dhe krahësimet me një prej vendeve më turistike në Kretë ( kishin qënë para disa javësh ).
Gjithë këto përmbylleshin me fajin pse nuk kisha shkuar tek vëllezrit në Greqi. Kisha planifikuar të ishte verë e shoqërisë, ndoshta kisha gabuar, ndoshta jo.
Ditët po kalonin dhe kuptuam se qetësia e të mosbërit asgjë ishte tejet lodhëse. Andaj vendosëm të bënim diçka ndryshe. Kësaj rralle jo det, por Mal.
Eksperienca në mal është një nga përvojat më fantastike që unë kam pasur. Çdo ditë e re, është një mësim i ri, ja çfarë mësova nga qëndrimi në mal:
  - Nuk ka ushqim të çdo kuzhine moderne qoftë, apo peshku i egër i Dëtit himariot ( nuk di të ketë Himarë në Brazil ) që mund të krahsohet me bukë, domate dhe djathë të freskët të marra nga baxho rrëze Tomorrit, pas disa orëve të gjata udhëtim.
  - Nuk kishim bateri në telefon, nuk kishim mundësi as të bënim fotografi, check-in.
  - Kamera më e mirë ishin mrekulli e Zotit, sytë tanë. Dëshmitarë të tyre ishte shpirti ynë.

 - Zhurmat e bokseve gjigandeskë, playback-ët e pseudo-artistëve shqiptarë, shkuma-festat dhe "letra bixhozi, patetinat "i'a kishim lënë detit, këtu kishte cicërima zogjsh dhe blegërima të ngrohta bagëtish.
  - Këtu edhe kafshët ishin më të lumtura. Nuk ishin të detyruara të qëndronin në ferma gjigande me hapësira të reduktuara.

  - Nuk mbahej mend dita e fundit kur kisha qeshur kaq shumë, sepse askush nga ne nuk kishte telefon, nuk kishe facebook, nuk kishim pse shqetsoheshim se kishim shikuar sms e të dashurës dhe nuk kishim kthyer përgjigje, apo se sa "like" (pëlqime) vajti fotografia. Ishim larguar nga kotësitë. Kësaj rradhe ishte ndryshe, e shikoje mikun tënd të sy, jo si një mjegull që shfaqet ashtu e zbehtë në formën e zërit kur ti je duke biseduar në messenger.
 - Meraku i vetëm ishin prindërit.
Nuk kishim bateri, këtu nuk ishte Sarandë ku ishe i detyruar të rrije dy orë në kafe dhe të paguaje dyqind lekë për karikimin e telefonit, të gjeje wi-fi e përshtatshëm. I vetmi burim energjie ishte Natyra, vetem me atë mund të lidheshe. Lidhja me atë ishte lidhja më e fortë. Lidhja më e mirë për njeriun.

Vetëm në zonat malore njiheshe me Shqipërinë e vërtet, larg luksit të arritur përmes abuzimeve. Aty njihesha me një popull të vuajtur por të ndershëm, dinjitozë. Qyteti n'a ka bërë lakmitarë, harbutë, njëkohësisht të pabindur dhe sidomos më të pandershëm.

Nëse në Borsh duhet të ndesheshe me tangërllikun e një kamarieri-gomar apo kamarieri-pronar, këtu ishte ndryshe. Nëse u kërkoje ujë, të sillnin dhallë të freskët, përballë teje shfaqej një e moshuar por e fortë që buzëqeshte, më kujtonte gjyshen, për të cilën kisha shumë mall, ajo është një pjesë brenda meje që do jetoj gjithmonë, si për të të udhëzuar gjithmonë - të ecësh drejtë. Gruaja e moshuar qëndronte stratege me një tabaka druri në duart e saj dhe butësisht të thoshte: - "Nga ju kemi? Pijeni se jeni lodhur, t'ju bëj mirë". ...Ah, duar të florinjta. Duar që brezi i ri i përdor vetëm për të bërë "like".
Nëse në Jug, sidomos në plazhin e dorës së dytë do bëheshe gostia e preferuar e mushkonjave këtu ishte ndryshe ishe ti, miqtë e tu, hëna dhe një zjarr bubulak.
Jeta është sfidë, vetëm në mal e sfidoje jetën, këtu kaliteshe, behëshe më i fortë, i durueshëm, rezistent. Këtu mësoje, këtu motivoheshe.
Në këto ditë ajri i freskët kishte zëvëndësuar cigaret, alkooli dehës ishte këmbyer me ujin e frohtë dhe bukuritë magjepsëse të natyrës. Trafiku i makinave në pyll i përngjiste aheve dhe lisave shekullorë. Pseudo-këngëtarët i kishin bërë vend këndonjësve të natyrës, tangërlliku i shërbimit përulej me devotshmëri zemërgjerësisë së njerëzve të vuajtur në zonat malore, ushqimet e shtrenjta ishin zëvëndësuar me ushqimet e shijshme dhe organike. Kotësirat virtuale me jetën e vërtet, atë ideale. Jeta e thjeshtë e vuajtur e zonave malore me luksin e kot dhe abuziv të Jug-ut.
Dhe në fund Deti.... u zëvëndësua me Malin.

Isha përhumbur në kujtime ndërkohë që drita e hënës vazhdonte t'i jepte jetë Tokës, ndërsa llampa e Edisonit ( Teslës ) , ishte e pamëshirshme, i kishte mahnitur fluturat mëndjelehta. Nuk mund ta duroja më këtë torturë. Fika dritën e neontë...
Tani do fle.
Natën e mirë ti hënë ndriçuese, natën e mirë ju flutura bukuroshe.

Një Shkrim nga : Kalem Ymeralaj

Corovoda Online / Në rubrikën Sonte Shkruaj Unë... dërgo krijimin tënd në email: corovodaonline@post.com