Intervista: BIRN interviston Kryetarin e Bashkisë Skrapar Nesim Spahiu **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Intervista: BIRN interviston Kryetarin e Bashkisë Skrapar Nesim Spahiu

Fatjon Kaloci
24.10.16
Kryetari i Bashkisë Skrapar - Nesim Spahiu
Rrjeti i gazetarisë investigative BIRN prej disa ditësh ka publikuar disa intervista të strukturuara mbi arritjet e vitit të parë të mandatit të Kryetarëve të disa bashkive në vend. Në vijim publikojmë intervistën e publikuar në websitin reporter.al nga gazetarja Erjola Azizolli me Kryetarin e Bashkisë Skrapar z.Nesim Spahiu:

Cilat janë tre arritjet / premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme  gjatë vitit të parë të drejtimit të bashkisë Skrapar?
Skrapari një destinacion turistik. Ishte ky një nga premtimet elektorale. Si rezultat i implementimit të projektit “Devops”, në fushën e turizmit u krijuar infrastruktura e mirëfilltë turistike, e cila do të mundësojë shfrytëzimin e qëndrueshëm të turizmit në zonë.
Ndërhyrjet për rehabilitimin e infrastrukturës së rënduar rrugore, e cila ka synuar në aksesimin e tyre në pjesën më të madhe të bashkisë, ka qenë ky një tjetër premtim, i cili ka nisur të bëhet realitet, pasi është investuar në disa akse dhe rrugë të bashkisë së re.
Rritja e mirëqënies dhe reduktimi i papunësisë. Si rezultat i implementimit të një sërë projektesh në zonë, projekte të vetë bashkisë, por dhe nisja e punës së projektit të madh TAP, është rritur ndjeshëm numri  të punësuarve, i cili ka ndikuar drejtpërsëdrejti në rritjen e standardit të jetesës së komunitetit.
Çfarë ka bërë bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?

Sigurimi i pjesëmarrjes qytetare, si një nga asetet më të nevojshme dhe të domosdoshme  për kryerjen e transparencës së aktivitetit të saj, ka qenë një nga prioritetet e bashkisë Skrapar. Hartimi, diskutimi i Planit të Përgjithshëm Vendor ka qenë objekt i konsultimeve dhe dëgjesave publike me qytetarët, të cilët  kanë ngritur problemet që i shqetësonin në jetën e përditshme të tyre.  Takime dhe dëgjesa publike janë bërë për të gjitha projektet e paraqitura nga ana e bashkisë. Rasti më i fundit i një dëgjese publike, e cila ka qenë dhe më e madhja nga pjesëmarrja e qytetarëve, ishte prezantimi i projektit të rrugës Skrapar-Përmet. Por, janë realizuar dhe dëgjesa të tjera dhe konsultime publike të hapura për çdo vendim që Këshilli Bashkiak apo bashkia ka marrë.
Cilat janë tre sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t'i adresoni ato?

Bashkia e re Skrapar me punën e saj është përballur me një sërë sfidash, ndër të cilat mund të theksojmë tre më kryesoret si:
  1. Infrastruktura e rënduar rrugore e rrjetit rural;
  2. Infrastruktura e dobët e sistemit arsimor;
  3. Mungesa e burimeve njerëzore sidomos në sistemin e shëndetësisë.
Për të trija këto sfida, bashkia është duke punuar fort që në bashkëpunim me qeverinë, me ministritë përkatëse, me donatorë dhe me të ardhurat e saj të zgjidh ato çështje që janë më emergjente.
Çfarë masash ka marrë dhe do të marr në vijim bashkia për dëmtimin e Parkut të Tomorrit nga nxjerrja e gurit dekorativ?
Problemi i dëmtimit të Parkut të Tomorrit ka qenë një shqetësim i përhershëm  i bashkisë Skrapar, e cila nga ana e saj, ka qenë shumë e vëmendshme për të mos lejuar dëmtimin dhe degradimin e këtij parku me vlera të jashtëzakonshme për zonën.
Problemet janë adresuar tek ministria, si dhe tek Drejtoria e Basenit Ujor Seman që ndodhet në Fier.
Çfarë po bën bashkia për nxitjen e turizmit të qëndrueshëm të zonës?

Zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm është një nga sfidat kryesore të bashkisë Skrapar, për vetë potencialet e jashtëzakonshme që paraqet zona në këtë aspekt, veçanërisht në turizmin e aventurës dhe prodhimeve cilësore të zonës kryesisht në blegtori.
Aktualisht është duke u implememtuar projekti “Devops” një bashkëfinancim i bashkisë dhe “CESVIN” dhe Agjencinë “San Graventino” të financuar nga IADSA kredia Italo- Shqiptare.
Aktualisht është siguruar infrastruktura turistike me sinjalistikën, kampingun në Hambull, pikat panoramike, pikat e futjes dhe daljes për rafting,  shtegu i ujëvarës së Bogovës, etj.
Bashkia ka aplikuar për hapjen e një Agjencisë Turistike që mund të jetë një bashkëpunim mes privatit dhe bashkisë për të menaxhuar fushën e turizmit. Bashkia ka aplikuar si partnere dhe në një projekt tjetër në fushën e turizmit, për  krijimin e ofertave turistike me destinacion Gjirokastër, Berat, Skrapar, Përmet të cilat janë një miksimi turizmit historik me atë natyror.
Cilat kanë qenë hapat që ka bërë bashkia për të ndikuar në Ministrinë e Shëndetësisë që spitalit të zonës mos t’i mungojnë mjekët specialistë?

Mungesa e mjekeve specialistë në spitalin e qytetit është një problem që është krijuar në vitet 2000 si rezultat i migrimit të mjekëve specialistë drejt Tiranës dhe qyteteve të mëdha. Këtë problem e kemi adresuar dhe tek ministria e shëndetësisë,  por ky është një problem paksa i komplikuar, pasi jetojmë në sistemin e ekonomisë së tregut, lëvizjes së lirë dhe nuk mund t’i detyrojmë mjekët që të vijnë në spital. Megjithatë shpresojmë që do të kemi shumë shpejt një përgjigje pozitive nga ana e ministrisë që banorëve mos t’u mungojnë mjekët specialist.
Çfarë ka bërë bashkia për problemin e dëmtimit të rrjetit të energjisë elektrike ku shumë fshatra kanë problemin me furnizimin me energji elektrike veçanërisht në stinën e dimrit?
Jemi duke punuar ngushtësisht me ndërmarrjen e OSSH lokale dhe rajonale për evidentimin e problemeve, riparimin e linjave të dëmtuara me qellim që stina e dimrit të mos krijojë avari në furnizimin me energji të fshatrave.
Çfarë po bëhet për problemin e përmbytjeve?
Skrapari nuk është një zonë që vuan nga përmbytjet, gjithsesi ne jemi duke bashkëpunuar me Drejtorinë Rajonale të Ujërave për evidentimin e problemeve,  zgjidhjen e tyre me qëllim që të jemi të përgatitur për përballimin me sukses të problemeve të mundshme.

Corovoda Online / Reporter.al / E.Azizolli
       
         
close