Koordinata X: Janar 1974 - Kur do përkujtohej 30 Vjetori i Betejës së Tëndës së Qypit - Nga Tomorr Shasho **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Koordinata X: Janar 1974 - Kur do përkujtohej 30 Vjetori i Betejës së Tëndës së Qypit - Nga Tomorr Shasho

Fatjon Kaloci
14.1.17
Duke vështruar tablonë e betejës së "Tendës së Qypit", u riktheva në ato ditë janari të vitit 1974. Do përkujtohej 30-vjetori i kësaj beteje, një nga betejat më të lavdishme të partizanëve gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare kundër pushtuesit gjerman e bashkëpunëtorëve të tyre ballisto-zogist. Në bashkëpunim me shtëpinë e kulturës "Riza Cerova" të qytetit Corrovodë , do shfaqej montazhi letraro -artistik , në nder të kësaj beteje. Përgatitjet kishin kohë që kishin filluar. Sa më shumë afrohej dita e 21 Janarit, në përkujtim të kësaj beteje, aq më shume rritej shqetësimi. Drejtori i shtëpisë së kulturës, Asqeri Jaubelli, ishte në kontakt të vazhdueshëm me veteranët, të cilët do flisnin mbi këtë betejë, por shqetësimi më i madh ishte për veteranin, rreth të cilit ishte montuar i gjithë montazhi. Mos ardhja e tij dështonte të gjithë aktivitetin. Ishte një veteran i dëgjuar, pjesëmarrës në këtë betejë, po drejtpërsëdrejti nuk kishim komunikuar ndonjeherë me të. Gjallëri i jepnin montazhit letraro -artistik, këngët që këndonin pionierët, po sidomos kënga kushtuar këtij veterani. Një këngë e kompozuar nga muzikanti Hajri Xhamëni, e kënduar bukur nga pionierja Ermira Idërshaj, e shoqëruar nga kompleksi i pionierëve... Ç'do gjë ishte gati. Salla ishte mbushur plot. Si zakonisht, merrnin pjesë drejtuesit e partisë e pushtetit në rreth. Pritej të hapej perdja e të fillonte shfaqja e këtij montazhi, vënë në skenë nga regjizori Edmond Agolli, e drejtues muzike Durim Shishmani. Skena në qetësi. Ne që ishim pas kuintave, të rritur e pionirë, prisnim sinjalin e regjizorit. Oshëtiu boria si dikur në atë betejë. Salla ngriu. Shikoja nga kuintat , kur hapej perdja, spektatorët vetëm sa merrnin frymë. Perdja u hap plotësisht. Spektatorët panë borizanin e rrethuar nga pionierët, i cili vazhdonte t'i binte borisë. Salla në këmbë shpërtheu në duartrokitje, të cilat nuk kishin të mbaruar. Me dy gishtat e dorës së majtë borizani kish zënë fytin, si dikur në atë betejë, kur zuri vrimat që i hapi plumbi i armikut. Ishte vetë borizani i asaj beteje. Ishte vetë borizani Haki Kapaj. Ishte po ai djalë që është pikturuar aq bukur në tabllo. Ishte ai djalë, po tani veteran, të cilit plumbi i armikut i shpoi tejpërtej fytin e bëri që boria të pushoi për pak sëkonda, por ushtoi përsëri me sinjalin e sulmit mbi armikun. Borizani i vogël Haki, po më shpirt të madh, bllokoi me dy gështrinjtë rrjedhjen e gjakut. Ndërsa partizanët përlesheshin trup më trup me armikun, boria ushtonte fort e përhapej maleve e luginave të Skraparit, ku lajmëronte ditën e fitores, ditën se çlirimi i atdheut ishte afër. Ai që nuk derdhi lot, kur plumbi i armikut i shpoi fytin tejpërtej, derdhi lot, kur dëgjoi këngën e pionierëve kushtuar atij. Ndërsa heroi i asaj beteje puthte fëmijët me radhë e lotët nuk i pushonin, salla oshtinte nga duartrokitjet. Asnjë nuk lëvizte, edhe pse shfaqja mbaroi, po vazhdonin e vazhdonin duartrokitjet ... Spektatorët largoheshin duke përshëndetur me dorë heroin e asaj beteje. Veterani Haki, i rrethuar nga pionierët , përshëndeste njerëzit, po nga sytë e tij vazhdonin lotët e mallëngjimit, lotët e mikpritjes të përzier me lotët që rridhnin duke kujtuar shokët e rënë në këtë betejë. Perdja e skenës filloi të mbyllet, ndërsa veterani Haki zbret në sallë e rrethohet nga veteranët e të rinjtë. Nisin të tregohen kujtimet, po tani pa skenar, po rrjedhshëm si uji i Osumit, i cili edhe pse dimër ishte i pastër si kristal.
Corovoda Online / Një shkrim për Corovoda Online nga Tomorr Shasho