Pika e Tomorrit **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Pika e Tomorrit

Fatjon Kaloci
22.9.17
Kështu quhej në atë kohë një nga pikat më strategjike dhe më enigmatike ushtarake, që ishte ndërtuar në majën e Tomorrit, pikërisht atje ku ka qenë tyrbja (kenotafi) që simbolizonte ardhjen e Abas Aliut nga Qerbelaja dhe që i kish dhënë gjithë malit të Tomorrit statusin e një mali të shenjtë të bektashinjve, por edhe të sekteve të tjera fetare. Tyrbja u prish dhe gurët e saj u hodhën në themelet e ndërtesës së ushtrisë, që ishte një ndërtesë e gjitha nën tokë, me disa ambiente shumë të mira për kohën, ku ishte vendosur teknika ushtarake, salla e mbledhjeve, zyrat e komandës, fjetina dhe mensa e ushtarëve etj. Pika ushtarake e Tomorrit u ndërtua pak ditë pas fjalës së Enver Hoxhës të 6 shkurtit të vitit 1966. Ky ishte rasti më i mirë dhe më i natyrshëm për udhëheqjen e asaj kohe për prishjen e kenotafit të Abas Aliut, një prej faltoreve më të famshme. Objekti i ri që u ndërtua mbi faltore ishte një pikë tepër e rëndësishme ndërlidhjeje spiun, që varej direkt nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë për të kapur valët e radiove ushtarake edhe të vendeve fqinje, me një mundësi ideale që ia krijonte lartësia prej 2416 m mbi nivelin e detit, por edhe fushëpamja, veç pjesës më të madhe të Shqipërisë, edhe të brigjeve italiane. Për ndërtimin e kësaj pike, sidomos rrugës automobilistike, e cila edhe sot shkon deri në majë, është dashur një punë tepër e madhe dhe e mundimshme. Po kështu një punë kolosale është dashur për shtrirjen nën tokë në një gjatësi prej 20 km të kabllove të tensionit të lartë dhe kabllove telefonike. Për shkak të izolimit të plotë për gjashtë muajt e dimrit, pika furnizohej me dru zjarri dhe ushqim që në verë dhe ushtarët dhe oficerët për gjashtë muaj nuk dilnin nga dera në çfarëdo rrethane që të ndodheshin. Efektivët që shërbenin në këtë pikë, ushtarë apo oficerë, ishin nga më të zgjedhurit dhe më të besuarit, madje ata, me që kishin shërbyer aty, gëzonin si të thuash një status prej heroi dhe ishin të privilegjuar edhe në jetën civile, ku vendoseshin në punë të mira dhe në sektorë delikatë shtetërorë. Tani nga ky repart nuk ka ngelur asnjë gjurmë, mbi themelet e tij lartësohet hijshëm një nga simbolet e shenjtërisë të malit të Tomorrit, tyrbja e rindërtuar e Abas Aliut.
Corovoda Online / Zylyftar Hoxha / Orakuj të Harruar