Saga e Bejlerëve të Koprënckës (2) Kush ishte Xhelal Koprëncka? **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Saga e Bejlerëve të Koprënckës (2) Kush ishte Xhelal Koprëncka?

Fatjon Kaloci
6.10.17
Të dhëna të ndryshme, ndonjë herë edhe kontradiktore, vijnë për gjenealogjinë e familjes së bejlerëve të Koprënckës, që mbajnë mbiemrin Mançe. Nga gojëdhënat, e më pas nga dokumentet historike, saktësohet se kjo familje nga mesi i shekullit të 19-të, deri në vitet ’30 të shekullit të 20-të, ka pasur në zotërim mijëra hektarë tokë buke, livadhe, kullota, kryesisht verore dhe pyje. Këto toka kanë qenë në Gostënckë, Leshnje, Vlushë, Kapinovë, Krastë (Bërsakë), Potom, Çorovodë, kullotat verore të Ostrovicës, Shtyllës, Sherës, Qafës së Martës, Gorrulit, Bulgarecit të Korçës si dhe tokat e fshatit Cërrunjë të Gramshit. Se si është vënë ky çiflig, ka versione të ndryshme, një ndër të cilët është edhe lidhja me Ali pashë Tepelenën dhe besnikëria e pinjojve të kësaj dere ndaj tij, çka është një e vërtetë historike. Por titulli bej me ferman duhet të jetë marrë shumë kohë më parë, në kohën e spahinjve. Dalipi, i ati i Xhelalit kishte marrë të bijën e Veli bej Gostënckës, Dekon, gjë që disa e lidhin se nga kjo martesë, bejlerët e Koprënckës morën titullin. Por të dhëna të tjera dëshmojnë se ata titullin e kanë marrë shumë kohë më parë dhe kjo lidhje, ka qenë lidhje sëre. Brezi i Xhelalit, ku edhe do të ndalemi në këtë shkrim, mban për mbiemër Koprëncka dhe përfaqësohet nga Xhelali dhe tre vëllezërit e tjerë, Hasani, Zalua dhe Abdyli (Dulja) si dhe nga katër motrat, Refikaja, Ruvedija, Gjylishani dhe një motër tjetër që ka vrarë veten, pasi nuk përballoi dot vrasjen aksidentale të të vëllait, Zalos. Pas shkëlqimit të kësaj dere të madhe, të njohur dhe të respektuar edhe jashtë krahinës së Skraparit, vjen rënia dhe shpërndarja. Pas djegies së sarajeve nga greku i parë në Koprënckë, në ‘14-ën, ata ndërtuan një shtëpi të përkohshme në Gostënckë, ku kishin dajllarët, pastaj shkuan në Çorovodë dhe Korçë, në pronat e dikurshme. (Postimi i Parë i Serisë - Saga e bejlerëve të Koprënckës mund ta lexoni në këtë klikim KËTU)

Atdhetarë dhe arsimdashës

Duke ndjekur rrugën e rilindësve më të shquar, pjesëtarët e kësaj familjeje në vitet 1900-1909 iu kushtuan veprës mëmëdhetare, çeljes së shkollave shqipe. Më 1908 çelen tri shkolla shqipe nga Hasan Dalip Koprëncka, në Koprënckë me 53 nxënës, në Gostënckë me 57 nxënës, 34 të ditës dhe 23 të natës dhe, në Çorovodë, me 43 nxënës. Këto shkolla mbahen financiarisht nga vetë Hasani. Një vit pas Kongresit të Manastirit mbahet Kongresi i Elbasanit, nga data 2 deri më 8 shtator të vitit 1909, ku merr pjesë edhe Dulja (Abdyli). Siç mësohet nga dokumentet arkivore, ata kanë kontribuar me të holla për çeljen e Normales së Elbasanit. Më 6 maj 1909, në Çorovodë u formua klubi “Pellazg”, me kryetar Abdylin, që u quajt edhe klubi i “Dramës”. Me iniciativën e dy vëllezërve, në fillim të vitit 1910, u bënë përpjekje për mbajtjen e një mitingu në Koprënckë, por meqenëse në këtë miting ishin ftuar vetëm myslimanë të sektit bektashi, mitingu u anulua dhe u la një datë tjetër, ku u ftuan edhe të krishterë nga zona e Frashërit, Përmetit dhe Kolonjës. Kështu që mitingu tjetër u zhvillua më 25 maj të vitit 1910. Në këtë miting, që u drejtua nga Hasani dhe Abdyli morën pjesë 3000 vetë dhe u fol për gjuhën dhe shkollat shqipe. E gjithë veprimtaria e vëllezërve Koprëncka, që përshkruam shkurt më lartë, është pasqyruar nga shtypi i kohës, veçanërisht nga gazeta “Liria e Selanikut”

Po kush ishte Xhelal Koprëncka?
Ai ka lindur në Koprënckë në vitin 1876. Mësimet e para fillore i mori në Korçë. Më pas vazhdoi studimet në Robert-Kolezh të Stambollit. Studimet e larta i kreu po në Stamboll, në shkollë ushtarake, ku edhe u dallua për rezultate të mira dhe cilësi të veçanta të karakterit të tij. Pas përfundimit të studimeve, shërben në repartet ushtarake të Selanikut. Në vitin 1911 emërohet komandant i qarkut të Janinës. Edhe pse oficer i lartë, ai përfshihet në lëvizjen kombëtare të Rilindjes. Koordinon që nga Selaniku dhe Janina punët për përhapjen e gjuhës shqipe me vëllezërit e tij, Dulen e Hasanin. Në këtë kohë ai mban lidhje të ngushta me botuesit e “Kalendarit Kombëtar” dhe gazetës “Liria e Selanikut” si dhe merrte rregullisht gazetën e Jani Vretos, “Rrufeja”. Xhelal Koprëncka firmos Pavarësinë Ngjarja që mblodhi dhe vuri në lëvizje të gjithë ajkën e patriotëve shqiptarë, ishte Shpallja e Pavarësisë më 28 Nëntor të vitit 1912. Ata erdhën aty nga ishin e nga s’ishin. Në këto ditë të shënuara dhe të shumëpritura nga i gjithë populli shqiptar, krahas shumë figurave të njohura, gjejmë në Vlorë edhe Xhelal Koprënckën. Ai përfaqësonte krahinën e Skraparit, dhe në emër të saj, ka firmosur dokumentin përfundimtar dhe historik të Shpalljes së Pavarësisë. Në procesverbalin e Kuvendit për ngritjen e flamurit ai mban numrin rendor 13, ku shkruhet: “Nga Berati mori pjesë Xhelal bej Koprëncka…” Në mbrojtje të Qeverisë së Vlorës Xhelalin e gjejmë në dokumentet e kohës në Vlorë, nga 28 nëntori i 1912-ës deri më 27 dhjetor të 1912-ës, me detyrë specifike nga Qeveria e Vlorës organizimin e ushtrisë përkrah ministrit të Mbrojtjes, Mehmet pash Dërhallës, organizimin e xhandarmërisë në Lushnjë si dhe organizimin e frontit të luftës kundër pushtuesve të huaj për çlirimin e territoreve që mbaheshin të pushtuara edhe pas formimit të shtetit shqiptar, kryesisht në jug, nga shovinistët grekë. Gjatë këtyre ditëve, si zëvendësministër i Mbrojtjes, që përgjigjej për kufirin jug-lindor të asaj zone që përfshinte Qeveria e Vlorës në atë kohë, ai mban lidhje me zonat me Mahmut Ali Pashën në Delvinë, Selam Koprënckën në Skrapar, Hazis Vrionin në Berat etj. Më pas ai është caktuar për të përgatitur rezervistët për të shkuar në Skrapar për t’u bërë pritë forcave shoviniste greke. Kjo gjë konfirmohet edhe nga korrespondenca e Ismail Qemalit, ku në një telegram dërguar Hazis Pashës në Berat thuhet: “Kështu ju vumë porosi të provoni patriotizmin tuej dhe të forconi e të vini (zini) pozitat e pritat që është nevoja, mbasi kemi biseduar me Xhelal benë e zotërinj të tjerë që do të vijnë aty”. Dokumenti është nënshkruar nga Ismail Qemali dhe mban datën 14 dhjetor 1912.

Hileja e prefektit të Beratit

Hazis pash Vrioni në atë kohë ishte administrator i Beratit. Xhelali, që prej kohësh nuk shkonte mirë me të, grindet ashpër, pasi Hazizi nuk i jep mbështetje, por kërkon që përballja me grekun të bëhet vetëm nga forcat e Skraparit. Kjo vërtetohet me telegramin e datës 18 dhjetor 1912, që qeveritari i dërgon Vlorës, ku thuhet: “Xhelal beu erdhi mbrëmë, në ora 4. Po përpiqem me ia imponue që të nisen në Skrapar, por qet shkas mos me shkue…”. Duke parë amullinë dhe pamundësinë e Qeverisë së Vlorës t’i vinte mirë gjërat në vend, Xhelali detyrohet të shkojë në Skrapar, edhe me kushtin që i vuri Hazizi. Me njëherë pas kësaj Vrionasi shpejton të lajmërojë me telegramin e datës 21 dhetor Vlorën se “…sot u nisën për në Skrapar e Tomorricë…z. Myftar sheh Hasni dhe kapitan Tajar beu (Vëndresha). Me të mbërrit Xhelal beu do të mendohet veçanërisht ç’duhet ba”.

Në frontin e luftës

Detyrën e ngarkuar nga Qeveria e Vlorës për ndalimin andartëve grek në territoret e Korçës, Kolonjës dhe Skraparit në vitet 1913-14 Xhelali e kreu më së miri. Ai bashkoi çetat e Skraparit dhe zuri shtigjet më të rëndësishme. Krahas detyrave ushtarake, Xhelali në këtë kohë caktohet edhe me detyrën e prefektit të Skraparit. Ai gëzonte respekt të veçantë dhe shihej me besim nga Ismail Qemali. Kjo gjë vërtetohet me letërkëmbimin dhe korrespondencën e tyre të pasur. Në një telegram të qershorit të vitit 1913, Xhelali e gëzon plakun e Vlorës kur informon se 1500 vullnetarë bashkë me ushtarët e vendit “janë tue kontrollue grykat e qafat e Skraparit”. Rezistenca zgjati mbi pesë muaj, megjithatë ajo ngeli në kuadrin lokal dhe greket arritën kohë pas kohe deri në Berat.

Në krye të kryengritësve kundër Esat pash Toptanit

Pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore zhvillimet politike në Shqipëri morën rrjedha të tjera. Në këto rrjedha historike, të pandarë asnjë ditë gjëjmë Xhelal Koprënckën. Kështu në këtë periudhë ka tërhequr vëmendjen e forcave patriotike veprimtaria antikombëtare e Esat pash Toptanit. Ai në këtë kohë shtriu puushtetin e tij deri në Skrapar. Xhelali organizon në shtëpinë e tij një mbledhje me të gjithë krerët e Sraparit, ku vendoset organizimi i një kryengritjeje antiesadiste. Kryengritja filloi më 27 dhjetor 1915 dhe forcat esadiste u shtynë deri matanë lumit Devoll. Atje forcat kryengritëse u thyenë. Në duart e Esatit ranë robër Sokoll Radëshi, Adil Satka, po nga Radëshi dhe Asllan Vëseshta. Sokolli dhe Asllani u ekzekutuan me varje në Shijak, ndërsa Adili u dënua me burg në Shkodër, por që u pushkatua më vonë. Ndaj kryengritësve një qëndrim të poshtër dhe ekstremist mbajti prefekti i asaj kohe i Beratit, Sami Vrioni, duke e quajtur lëvizjen donkishoteske dhe Xhelalin, Ali Koprënckën dhe Sakoll Radëshin tradhtarë të kombit. Në Kuvendin e Durrësit Xhelal Koprëncka ka marrë pjesë edhe në Kuvendin e Durrësit, ku më 25 dhjetor të vitit 1918, kryeministër u zgjodh Turhan Pasha. Ky i fundit u ngarkua edhe me detyrën e kryetarit të delegacionit që do të përfaqësonte Shqipërinë në Konferencën e Paqes në Paris. Por, krahas Turhan Pashës, pa mandat përfaqësimi shkoi edhe Esat pashë Toptani, i cili, duke shfrytëzuar dobësitë, mori atribute të vetëpërfaqësimit. Kjo e revoltoi shumë Xhelalin, ndaj në fillim të janarit të vitit 1919, nga Berati ai i dërgon një protestë telegrafike Konferencës së Paqes në Paris për të mos e pranuar Esatin si përfaqësues të Shqipërisë, pasi ai nuk gëzon atribute përfaqësimi. Pas 10 ditësh, ai organizon një miting në Çorovodë ku marrin pjesë mbi 2000 vetë për të kundërshtuar përfaqësimin e Esat pash Toptanit. Pas mitingut, 100 burra nga paria e Skraparit, midis tyre Rakip, Rustem e Ali Gostëncka, Sinan e Taulla Leshnja, Riza Vëlusha, Riza Gradeci, Mehmet Radëshi, Mahmut Zaloshnja, Hasan Gërmënji, Baba Meleq Staravecka etj., firmosin një peticion dhe e dërgojnë me postë në Paris. (AQSH, dosja nr. 28, fleta 13, 14, viti 1919).

Vrasja, që mbeti enigmë
Nga mesi i vitit 1919 Korçës iu hoq statusi i Republikës Autonome, dhënë nga gjenerali francez që komandonte trupat ndërluftuese në këtë rajon. Mirëpo Korçës iu shfaq një rrezik tjetër, ai i pushtimit nga shovinistët grekë. Në këtë kohë patriotët dhanë alarmin për të mbrojtur Korçën. Xhelali vihet në krye të forcave të Skraparit dhe niset për atje. Para se të shkojnë në Korçë, bëhet një takim edhe me forcat e tjera në Gjergjevicë. Duke u kthyer prej andej, në vendin e quajtur Dëllinjë, në lindje të Qafës së Martës, më 21 tetor 1919, Xhelali vritet në pritë nga Syrja Guri, nga Leshnja e Skraparit.Vrasja ishte e pamotivuar në ato rrethana. Thuhet se ajo u krye për hakmarrje sepse djali i Xhelalit, Samiu, kishte vrarë dajon e Syrjait, Abdurrahman Gjonin. Në këto rrethana u krijua një përshtjellim i madh , forcat u përçanë. Përkrahësit e Xhelalit shkuan në Leshnje për t’u hakmarrë. Mirëpo ndërhynë forcat e moderuara patriotike si Shefit Krasta, Avni e Muço Kapinova, Ali Koprëncka, kushëri i Xhelalit dhe mbasi e arrestuan Syrjanë bënë pajtimin. Xhelali u varros në Gostënckë pranë shtëpisë së dajallarëve, pas një vrasjeje tepër të dyshimtë se, qenë vërtet motivet e mësipërme apo ndonjë plan tjetër nga kundërshtarët e tij. Misteri i vdekjes së tij ende nuk është zbardhur.

Klisheja absurde “ka bashkëpunuar me Zogun”

Kështu u mbyll jeta e Xhelal bej Koprënckës, po ajo që ndodhi më tej ishte edhe më e rëndë se fundi i tij tragjik. Emri i u harrua shpejt, veprat aq të guximshme patriotike u injoruan. Mosmirënjohja arriti deri atje sa t’i fshihej emri nga faqet e historisë dhe t’i retushohej firma në dokumentin historik të Shpalljes së Pavarësisë. Argumenti: “U bashkua me forcat reaksionare të Ahmet Zogut dhe i shërbeu atij me besnikëri”. Nuk e dihet se kush e sajoi këtë alibi, por Xhelali kishte 5 vjet që kish vdekur, kur erdhi Zogu në pushtet(!). Hajde histori, hajde historianë! Për më tej Zogu nuk i afroi pranë vetes pasardhësit e Xhelalit dhe nuk dihet të ketë bashkëpunuar njeri me të.

Shtrembërime të qëllimshme historike

Një ”argument” tjetër që paraqitet në formën e një dokumenti “të rëndësishëm historik”, është një letër e shruar nga një skraparli, që me siguri ka pasur probleme personale me Xhelalin. Në letër thuhet se Xhelal beu ka qenë vegël e ambicieve të Esat Pashës, që kur ky ishte në Janinë komandant xhandarmërie(!). Po, a nuk ishte ai Xhelal që u vu në krye të kryengritjes kundër Esat pash Toptanit dhe la në brigjet e Shkumbinit shokët e tij më të mirë, a nuk ishte ai Xhelal që mblodhi gjithë Skraparin dhe i bëri peticion Konferecës së Paqes në Paris për të mos njohur përfaqësimin atje të Esat pash Toptanit, kur bashkëpunoi ky Xhelal me Esatin kur ishte komandant xhandarmërie në Janinë më 1911, nga ku braktisi detyrën për të ardhur në Vlorë, në Shpalljen e Pavarësisë!? Këto janë pyetje që e kanë përgjigjen brenda. Në këtë rast shtrëmbërimet historike janë të qëllimshme dhe dashakeqe. Shteti shqiptar i ngjitur në këto lartësi nuk duhet të harrojë ata që çanë themelet e tij. E pakta më e paktë që duhet të bëjë për këtë figurë historike është t’i marrë eshtrat nga varrezat e braktisura të Gostënckës e t’ia çojë te SHOKËT për një prehje më të qetë. Pasi çuditë nuk mbarojnë edhe tani. Ndërsa në 95-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë propozoi të rehabilitoheshin një sërë figurash të asaj ngjarje të madhe, por emrin e Xhelalit nuk e zuri në gojë!

Abdyli

Veç Xhelalit, aktiv në jetën politike dhe shoqërore ishin edhe vëllezërit e tij, Abdyli (Dulja) dhe Hasani. Dulja, që vinte pas Xhelalit, arsimin e lartë e ka mbaruar në Stamboll. Bashkë me vëllezërit e tij është përfshirë në Lëvizjen e Rilindjes Kombëtare dhe Shpalljen e Pavarësisë. Është autori kryesor i hapjes, financimit dhe drejtimit të shkollave shqipe më 1908 në Çorovodë, Koprënckë dhe Gostënckë. Është marrë drejt për drejt me ngritjen dhe funksionimin e klubit patriotik “Pellazg”. Më 1909 ka qenë delegat i Sanxhakut të Beratit në Kongresin e Arsimit në Elbasan. Ka kontribuar financiarisht për ngritjen e Normales së Elbasanit. Ka organizuar në Koprënckë më 1909 një miting për gjuhën dhe arsimin shqip, ku merrnin pjesë mbi 1000 vetë nga të gjitha trevat e Jugut. U angazhua në mbarëvajtjen e punëve të Qeverisë së Vlorës dhe kreu detyra të ndryshme. Më 1918-1919 ka qenë nënprefekt i Skraparit. Vdiq në Zvicër, ku kish shkuar për t’u kuruar më 1920.

Hasani

Më i vogli i vëllezërve Koprëncka ishte Hasani, që edhe ky arsimin e lartë e kishte marrë në Stamboll. I pashkëputur nga vëllezërit ka kontribuar në Lëvizjen Kombëtare, në ngritjen e shkollave në Çorovodë, Koprënckë dhe Gostënckë dhe klubit patriotik “Pellazg”. Në vitin 1911 vendoset në krye të kryengritjes anti-osmane në Skrapar. Ka qenë kryetar i Komitetit për Shpalljen e Pavarësisë në Skrapar. Duke udhëtuar me forcat kryengritëse në Dërrasën e Kajcës, më 1911, vritet nga një shkarkim atmosferik. Ndryshe nga Xhelali, mbi të cilin është hedhur baltë padrejtësisht dhe askush nuk kujtohet për rehabilitimin dhe vlerësimin e tij pas vdekjes, të paktën Dulja dhe Hasani janë dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me medaljen Për Veprimtari Patriotike.

Samiu

Xhelali kishte katër djem dhe tri vajza. Një ndër djemtë e tij ishte Samiu, i cili përkrah të të atit ka marrë pjesë në kryengritjen antiesadiste në vitin 1915. Më 23 dhjetor 1923, zgjidhet deputet i qarkut të Beratit, krahas 12 të zgjedhurve të tjerë. Vazhdon deri në maj të vitit 1924. Pas Revolucionit të Qershorit të Nolit, shmanget nga politika për shumë vite me radhë dhe nuk aktivizohet në Qeverinë e Zogut. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste riaktivizohet në qeveritë kolaboracioniste. Pas ‘39-ës e gjejmë prefekt në Gramsh, në ‘40-ën, prefekt në Skrapar, pastaj prefekt në Tropojë dhe më në fund kryetar bashkie në Shkodër, ku e zuri edhe 29 Nëntori, çlirimi i Shqipërisë. U dënua me dy vjet burg, por për mungesë provash për krime gjatë Luftës është liruar. Vdes në Shkodër, ku kishte familjen, i veçuar, i harruar, por edhe me drama të tjera më të tmerrshme më pas.

Xhelali i Dytë

Djali i Samiut, Xhelali në kohën e monizmit arrestohet për tentativë arratisje dhe agjitacion e propagandë. Arsyeja qe sa e thjeshtë aq edhe banale, se gjoja Xhelali kishte sharë regjimin e atëhershëm. Dhe, siç ndodhte rëndom në atë kohë, në mënyrë spektakolare ishte marrë nga qendra e tij e punës, Uzina e Telave në Shkodër. E dërgojnë në burgun famëkeq të Spaçit. I bindur se tashmë nuk kishte çfarë të humbiste më, ai si asnjë tjetër mbajti në gjyq një qëndrim të vendosur dhe burrëror, këtë qëndrim mbajti edhe në burg. Një ditë i mbyllur në qeli vendos t'i dërgojë njërit prej udhëheqësve të lartë të Shqipërisë komuniste të asaj kohe, Ramiz Alisë, te i cili kishte pak shpresë se do ta kuptonte, një letër të ashpër. Një letër që i kalonte përmasat e guximit të atëhershëm dhe padyshim, mund të meritonte të gjitha ndëshkimet që parashikonte kodi represiv i asaj kohe. Logjika e djalit të ri ishte fare e thjeshtë. Tani që ishim prishur me Kinën, tani që edhe vetë Kina kishte drejtuar sytë nga Perëndimi, duhej që udhëheqja komuniste të shihte situatën më realisht. Sugjerimi i tij ishte që Enver Hoxha të izolohej, t'i jepej fund çmendurisë së tij dhe vendi të rindërtonte lidhjet e munguara me Perëndimin. Askush nuk e ka marrë vesh deri me sot nëse letra i bënte thirrje drejtuesit të lartë komunist që ta bënte vetë këtë gjë, apo ajo ishte thjeshtë një sugjerim i një djali të burgosur në kampin më fatkeq të Shqipërisë për të thënë direkt ato gjera që nuk kishte guxuar t'i mendonte e jo më t'i hidhte në letër, askush. Siç mund të merret, pas kësaj filloi furtuna. Shokët e tij të burgut mbajnë mend vetëm frazën e tij të përmendur dhe proverbiale, kur shkuan hetuesit për ta riarrestuar. - Xhelal Koprencka, në emër të popullit je i arrestuar, i kishin thënë hetuesit. -Të kujt populli?- kish pyetur Xhelali, më mirë thoni në emër të armiqve të popullit. Një gjyq i shpejtë, ashpër e dënoi me vdekje dhe pak ditë më vonë e pushkatuan pa i lënë kohë as të apelojë. Fotot e tij pas pushkatimit, me plumbat në trup, u ekspozuan disa ditë me radhë në stendat e kampit.

Deri kur do të vazhdojë kjo mosmirënjohje?!...

Duke u përpjekur për të gjetur më tepër të dhëna për këtë familje, një ditë rastësisht në faqet e internetit gjeta një letër që mbesa e Xhelalit të Dytë i dërgonte Presidentit të Republikës pas dekorimit me “Medaljen e Mirënjohjes” nga ana e këtij të fundit të ish-prokurorit që kishte dënuar me vdekje Xhelalin. Ndër të tjera ajo në emër të familjes kërkon që t’i hiqet Xhelalit titulli ““Martirit të Demokracisë”, pasi është fyese që të nderohet një lloj si vrasësi dhe i vrari. Ajo shton që ky prokuror më parë se të nderohet, me qenë se gëzon shëndet të mirë e të plotë, të paktën gjë që duhet të bëjë, të tregojë ku prehen eshtrat e Xhelal Koprënckës të pushkatuar më 29 maj 1979, të cilat nuk janë gjetur akoma nga familjarët.

Preambul nga Zylyftar Hoxha

Edhe pse janë bërë përpjekje për të rehabilituar disa nga figurat historike të Qeverisë së Vlorës, përsëri për disa të tjerë ende heshtet. Historianët e dikurshëm, të detyruar nga ideologjia komuniste apo ndonjë motiv tjetër, të cilën e dinë vetëm ata, kanë fshirë faqe të tëra historie dhe emra, kanë retushuar fotot apo gërvishtur me brisk firmat e protagonistëve në këtë ngjarje të madhe, duhet të kishin kurajën, në mos ata, kolegët e tyre, dhe në këtë përvjetor të ndreqnin atë që është prishur dhe manipuluar keqas me të vërtetat historike. Duke mos u zgjatur, unë po marr në shkrim vetëm një emër, atë të Xhelal Koprënckës, që ka firmën në dokumentin e njohur të shpalljes së pavarësisë, por edhe që është në 18 emrat e Pleqësisë të zgjedhur dy ditë më vonë pas formimit të qeverisë. Po shikoj nëpër gazeta dhe botime të ndryshme, që ende u referohen dy bibliografive, për mua jo serioze, të hartuar që në periudhën komuniste me dokumentet e prodhuara të Qeverisë së Vlorës, ku mungojnë thesare të tërë. Fatkeqësisht, emrin e Xhelalit nuk e gjen gjëkund, në këta libra jo e jo, por edhe në asnjë dokument tjetër. Fshirja e emrit të tij është bërë sipas logjikës se “u bashkua me forcat reaksionare të Ahmet Zogut dhe i shërbeu atij me besnikëri” dhe se “ka qenë bej”, kur, në të vërtetë-në të vërtetë, ai është vrarë në vitin 1919, katër vjet para se Zogu të hipte në fuqi, si bashkëpunoi ai me Zogun(!). Por edhe po të kishte bashkëpunuar, pse duhet fshehur e vërteta? Megjithatë, fakt është se veprat aq të guximshme patriotike tij dhe të shumë shokëve të tij janë injoruar. Dhe është me të vërtet për të ardhur keq kur shikon që edhe në firmën e tij, që firma në një farë mënyre është e shenjtë, është vënë dorë, dhe dikush ka dashur që ky emër të mos identifikohej. I vetmi që ka hedhur disi dritë mbi këtë figurë dhe që ka sjellë shumë të dhëna arkivore e dokumente të pakundërshtueshme ka qenë Izet Dyrmishi, por këto janë në një libër kujtimesh me një tirazh të vogël, që ka kaluar pa u vënë re.

Corovoda Online / Zylyftar Hoxha