Vendimi i Këshillit të Ministrave - Shpronësohen 2 prona në Bashkinë Skrapar **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Vendimi i Këshillit të Ministrave - Shpronësohen 2 prona në Bashkinë Skrapar

Fatjon Kaloci
15.10.17
Këshilli i Ministrave ka marrë një vendimarrje, në mbledhjen e datës 9 Tetor 2017 për dy prona që preken nga projekti për "Rivitalizimin e rrugës "Dëshmorët" në Çorovodë". Sipas vendimit të publikuar në faqen zyrtare të Kryeministrisë (të plotë në fund të shkrimit) brenda 3 muajsh nga ky Vendim, Bashkia Skrapar duhet të shpronësoj 2 objektet në shumën prej 932 552 lek dy objekte; një 18 metër katror truall dhe një tjetër i tipit ndërtesë me 26 metër katror. Ky vendim do ti ngarkohet Ministrisë së Brendshme, Zyrës Vendore të Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Skrapar si Bashkisë Skrapar.
V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIVITALIZIMI I RRUGËS “DËSHMORËT”, ÇOROVODË”, NË BASHKINË E SKRAPARIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rivitalizimi i rrugës “Dëshmorët”, Çorovodë”, në Bashkinë e Skraparit.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Skrapar.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë me sipërfaqe prej 18 m² “truall,” dhe 26 m2 “ndërtesë”, me vlerë të përgjithshme prej 932 552 (nëntëqind e tridhjetë e dy mijë e pesëqind e pesëdhjetë e dy) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 932 552 (nëntëqind e tridhjetë e dy mijë e pesëqind e pesëdhjetë e dy) lekësh, të përballohet nga të ardhurat e Bashkisë Skrapar, planifikuar në buxhetin e saj.

5. Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga Bashkia Skrapar.

6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7. Afati i përfundimit të punimeve të objektit në Bashkinë Skrapar të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.

8. Regjistrimi i ri i pasurive prej 18 m² “truall” dhe 26 m2 “ndërtesë”, për projektin “Rivitalizimi i rrugës “Dëshmorët”, Çorovodë”, në Bashkinë e Skraparit, të bëhet në favor të Bashkisë Skrapar.

9. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Skrapar dhe Bashkia Skrapar për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI  RAMA

Corovoda Online