Faksimile Vendimi |
POLICIA: ËSHTË SHFAQUR ERVEHEJA
“Kemi njoftime se në fshatin Plug të fermës së Lushnjës është shfaqur Erveheja, gruaja e zhdukur katër vjet më parë në rrethana të dyshimta nga shtëpia e saj në Memaliaj. Lutemi dërgoni dikë të bëjë verifikimin”.
Të porsanjohur me tekstin e radiogramit adresuar nga Dega e Brendshme e Lushnjës, kolegët e tyre të Tepelenës, që kishin konfirmuar zyrtarisht vdekjen e saj, madje kishin identifikuar edhe vendvarrimin e saktë, e vlerësuan atë një lajthitje të rastit, më së shumti një të dhënë nga njerëz keqdashës. Gjithsesi, rregulli i detyrës ua kërkonte të bënin patjetër procedurën e verifikimit, nga e cila rezultoi se njoftimi kishte qenë i vërtetë.
Përveç çudisë së padëgjuar, relacioni i grupit të posaçëm që operoi disa ditë me radhë në Lushnjë, shtjellonte me detaje si kishte rrjedhur jeta e Ervehe Dyrmishit nga dita që ishte njohur zyrtarisht e vdekur.
“Në datën 25 korrik 1960, bëhet e ditur në dokumentin e firmosur nga Enver Rexho, prokurori që kryesoi operacionin e verifikimit, është konstatuar rastësisht se Ervehe Dyrmishi, për vrasjen e së cilës janë dënuar katër persona, është gjallë. Gjatë takimit, e pandehura deklaroi se në muajin prill të vitit 1956 ishte larguar nga banesa e të vëllait, Çerçiz Dyrmishi, dhe qysh atëherë jetonte në katundin Radat të Leskovikut, e martuar me Hetem Ilazin, me të cilin ka një fëmijë”.
Por rikthimi pas katër vjetësh i historisë së familjes Dyrmishi, rihapi të tjera telashe për autoritetet e Tepelenës, sidomos për organet e policisë dhe ato të hetimit, të cilat, me legalizimin e vdekjes së Ervehesë, i kishin mbyllur hesapet me të. Tani që e vdekura ishte shfaqur mes të gjallëve, historia rihapej në një tjetër kah. Ca më tepër që një lajm i tillë s’mund të burgosej nëpër zyra, siç operohej rëndom për ngjarje që cënonin regjimin.
Inskenimi i Itinerarit të pseudo-vend varrimit |
Të lirohen të dënuarit për vrasjen e Ervehesë! Njëherazi me urdhrin e pazakontë, Prokurori i Përgjithshëm tërhiqte vëmendjen e vartësve në gushtin e vitit ’60 “për kujdes të posaçëm dhe seriozitet maksimal në trajtim të çështjes”. Në dokumentet e kohës rezultojnë dy relacione që zbardhin dinamikën e ngjarjes në zbatim të këtij urdhri.
I pari është një raport i Degës së Brendshme të Tepelenës, që njofton se “në datën 20.8.1960 ka dalë nga burgu Çerçiz Dyrmishi, dënuar me 25 vjet, Fatime Dyrmishi, dënuar me 15 vjet, dhe Hatixhe Hasani dënuar me 20 vjet”.
Dokumenti tjetër është një material i zgjeruar i Prokurorisë së Përgjithshme që i drejtohet Komitetit Qendror të Partisë me mbititullin e çuditshëm “Lidhur me vrasjen e Tepelenës-Çerçiz Dyrmishi”. Në të, përveç refleksioneve të institucionit qendror të akuzës mbi përgjegjësinë e autoriteteve vartëse për “shkeljet e rënda të ligjshmërisë socialiste gjatë hetimeve të çështjes së Ervehe Dyrmishit”, riprodhohen në ligjëratë të drejtë pohimet e protagonistëve të ngjarjes për rrethanat në të cilat kanë pranuar një krim të pakryer.