Memories - Klasa Shtatëdhjetë e katër - E ëmbla Mësuese Nexhmije Koxhaj - Nga Roland Qafoku **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Memories - Klasa Shtatëdhjetë e katër - E ëmbla Mësuese Nexhmije Koxhaj - Nga Roland Qafoku

Fatjon Kaloci
26.1.19
Nga: Roland QafokuKlasa ime e I-ra C.
E kisha pritur më ndryshe 1 shtatorin e vitit 1974. Për herë të parë nisja shkollën dhe ato ditë bota rrotullohej rreth meje.
Në gjumë shikoja lloj-lloj ëndrrash.
Dridhesha kur e parafytyroja veten të ulur në bangë. Në fakt kisha bërë pothuajse një provë gjenerale.
Aty nga 25 gushti xhaxhai im, Ylli, dirigjenti i qytetit, më mori herët nga kopshti dhe më çoi direkt e në klasën që do filloja mësim. Më kujtohet si të ishte sot kur dera e klasës u hap dhe aty pashë për herë të parë mësuesen që do kisha.
Quhej Nexhmije. Ishte e gjatë, trup drejtë me flokët e bëra topuz dhe fjalët e kishte si me atë zamkën ngjitëse. Edhe pse kisha shumë emocione, mua menjëherë mu fut në zemër. O sa mirë u soll me mua! Më tha fjalë të ëmbla që vetëm mamaja dhe gjyshja ime mi kishin thënë deri atë ditë. Kur më përcolli te dera e klasës më tha se do më vendoste në bangën e parë. Mua mu duk se më mori me sy të mirë. Tani prisja 1 shtatorin. Ajo ditë erdhi. Erdhi, erdhi po si erdhi? Së pari i ra e diel dhe shkolla filloi më 2 shtator, të hënën. Por problem ishte se godina e shkollës 8-vjeçare nuk kishte vende, ndërkohë që në pjesën e sipërme të qytetit po ndërtohej shkolla e re. Dhe ne nxënësit e fillores do vendoseshim te gjimnazi. Në pamje të parë dukej si privilegj të mësonim te gjimnazi, një godinë e re e bukur, në ballë të qytetit. Ndoshta ishte ndërtesa më e bukur në qytet. Por ama sot e kuptoj që atje kemi qenë si me qira. Në orën 07.30 u rreshtuam të gjitha klasat e para. Në krah me ne ishin rreshtuar edhe gjimnazistë. Pra mosha varionte nga 6 vjeç që isha unë dhe moshatarët e mi e deri 18 vjeç te maturantët. Ishte një rrëmujë që më bëri lëmsh. Nuk dëgjuam asnjë fjalë. Ishte shumë zhurmë dhe më dukej sikur të gjithë flisnnin përveç meje. Na morën një e nga një dhe na futën në godinë. Gjëja e parë që mësobva ishte se klasa jonë quhej e I C. Ishin gjithsej 6 klasa paralele A,B,C,D,E,F,G.
Mua më dukej shkronja C më e mira.
…. Të gjitha këto kujtime nuk do ti kisha shkruar sikur këtë folder të fjetur në memorien time të mos m'a kishte zgjuar Shqiponja Dosti. Nuk e mbani mend?!
Është ajo vajza që rrinte në bangën e tretë nga ana e murit. Ajo që merrte vetëm 10-ta dhe shkëlqente kudo. Kisha nja 30 vjet pa e parë e dëgjuar, por më mori në telefon dhe më tha: A të kujtohem unë? Më pas u takuam dhe vazhdoi me kërkesat: Dua të takohemi të gjithë ne nxënësit e mësuese Nexhi Koxhajt. Ti, unë, Majlinda, Vera, Arbeni, Fatmiri, Gramozi, Artani, Arta etj, etj. Tani jemi këtu në këtë faqe. Shqiponja meriton një bravo të madhe. Hajde djema dhe vajza ia plotësojmë dëshirën. Mblidhemi një ditë në Çorovodën tonë. Bëjmë një orë mësimi me zysh Nexhin dhe kujtojmë atë të hënë të 2 shtatorit të viti 1974 kur ne vocrrakët nisëm klasën e parë. Ishim ne, e para C.


© Corovoda Online / Roland Qafoku