Fjalët e perëndishme të Tomorrit Hyjnor - nga Mihal Gjergji **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Fjalët e perëndishme të Tomorrit Hyjnor - nga Mihal Gjergji

Fatjon Kaloci
23.7.19
“Pranë dijes i panxënë!” 
Koha e ka humbur rolin e saj si gjyqtare supreme, i është dorëzuar çmendurisë njerëzore.
Janë fshirë kujfijtë ndarës mes të mënçurve, të diturve dhe të kulturuarve.
Aristokracia e trashëguar gjenetikisht është venitur para asaj që e ka arritur këtë lartësi me përdhunën e armëve, pushtetit dhe parave.
Ndërsa aristokracia shpirtërore, ajo më e nditshmja, është eklipsuar nga mjergulla e injorancës së pushtetshme. Edukata është e pafuqishme për të rregulluar disonancat mes natyrave njerëzore që kanë pranuar si mburojë indiferencën. Libri, pret me dhimbje dorën e lexuesit për ta shfletuar. Interrneti dhe rrjetet e tjera elektonike më kot luftojnë për ta përjashtuar atë. Kujtesa, tamam si një lente konvergjente, gjurmon imazhet e vlerave të tretura në thellësi të arkivave. Askush s’pranon, që nuk mund të shikojë përtej vetvetes dhe të kërkojë te të tjerët shëmbëlltyrën e tij. Bejtexhinjtë vetëshpallen poetë (sa shumë ëndërrohet kjo kurorë hyjnore!), gazetarët e shumëpërdorur të kronikave vetëquhen publicistë, lexuesit e çfardolloi – studiues, ndërsa vrasësit e kohës sipër filxhanëve të kafes dhe avullit mbytës të alkolit, marrin përsipër rolit e kritikut. (“O ulërimë, ku i ke ujvarat!”). Taktika të tilla sjelljeje, pa vizione largpamëse, janë zhurmat pararendësë që lajmërojnë humbjen e sigurt. Çdo njeri e ka një dramë, e ka një dhimbje me të cilën është mësuar të bashkëjetojë. Të gjithë vdesim nga pak, thuajse çdo ditë, por kjo s’është shtysa e duhur për të shpejtuar vdekjen e njëri-tjetrit… Kjo s'është e gjitha. Në këtë rendje shkatërrimi ka pjesën e vetë edhe shteti. Kurtizaneve që botojnë libra të mbushura me vjersha të rëndomta erotike për seksin dhe organet gjenitale u jepen çmime vlerësuese, inkurajohen të shkojnë më larg, ndoshta për t’i paraprirë ligjërimit të prostitucionit, aq shumë fitimprurës. Kjo është mënyra më e mirë për të vrarë artin, andaj, krijuesit të vërtetë s’i mbetet veçse të ngrejë zërin në kupë të qiellit: o dhimbje, unë e kam një Zot!

Poezia dhe publicistika
E kam theksuar në një nga analizat e mia publike; gjuhën e zotit e flasin vetëm të zgjedhurit prej tij. Dhe këtë e kam bindje. Shtrohet pyetja, jo vetëm nga unë; a mund të arrijë krijuesi të bëjë muzikë me fjalën? Sigurisht, por kjo ndodh rrallë. Mes tyre, shumicën e përbëjnë të vdekurit e gjallë, ndërsa shëmbëlltyra e tyre mes nesh, numurohen me gishtrinjtë e dorës. Ja pra, jo kushdo mund të afrojë magjinë e violinës, atë muzikë që pikturon në shpirtin e dëgjuesit. Gjithë zogjtë këndojnë, por si bilbili-jo! Shikoni çfarë ndarje ka bërë natyra. Poezia dhe proza janë dy lumenj që derdhen në detin e madh të krijimit, por krejtësisht të ndryshëm. I pari është i kristaltë, i rrëmbyshëm, ujvarë që përmbyt dhe të deh njëkohësisht, ndërsa publicistika është ndryshe, një lumë i shtruar dhe i lundrueshëm. Mes tyre është proza poetike, ajo që shpalos bukurinë e shpirtit njerëzor në një mënyrë të veçantë, që rrezaton shëndet kulture dhe qytetarie, imagjinatë dhe fuqi mendimi. Ka dhe një ndryshim tjetër mes poezisë dhe publicistikës. Poezia risjell fjalët e një perëndie memece (mos u çuditni, ndodh që dhe perënditë të heshtin!), parathotë në mënyrë profetike atë që do ndodhë, shkurt dhe prerë, me shkreptima rrufeje, por atë gjuhë s’mund ta kuptojnë të gjithë, vetëm klasa e aristokracisë kulturore, sepse e ardhmja “qëndron e tëra në prehërin e perëndive”. Ndryshe ndodh me publicistikën, ajo ngjason me arkeologjinë, prek shtesa kohe dhe brezash njerëzorë, risjell kujtesën e tyre. Poezia jep pak, publicistika shumë. A nuk thoshte Gëtja; “Unë kam për vete, aq sa nuk më tepron gjë”! E artisti qendron thuajse përherë në prani të aventurës, etjes për eksplorim, ngutjes për të ecur para. Atëherë, si mund të zotërohet arsyeja, po ëndrrat? Bukuria e krijimit arrin të depërtojë te të tjerët si një dhimbje, e çdo dhimbje lë gjurmë. Kështu fillon pushteti i artit superioritetin mbi ndërgjegjen e lexuesit, formësimin e saj. Sepse “një e vërtetë që na lëndon është më mirë se një gënjeshtër e volitshme”- kështu shkruante Thomas Mann.

Një zë në shkretëtirë
Vetëm shkarazi ndaloj te publikimet e atyre që mbushin gazetat apo raftet e biblotekave me libra gjithfarësoj. S’kanë rëndësi emrat e autorëve apo mosha. Jo rrallë, e njëjta praktikë mjerane e botuesve, doemos edhe e autorëve përsëritet periodikisht. Gazetarë të dështuar në profesionin e tyre gjejnë një mënyrë shpërfillëse për turpin e thinjave dhe vazhdojnë sistematikisht të mbledhin fjalë rruge, nga të ngjajshmit e tyre apo bashkëbisedues kafenesh. Me këto fjalë krijojnë shtëllungën e madhe, të cilën e tjerrin pastaj qetësisht. Çdo javë nga një apo dy shkrime në gazetën me të cilën bashkëpunojnë, mandej i mbledhin shkrimet e gazetave dhe botojnë librin e radhës. E nëse u bën një vrejtje shtrembrojnë turinjtë. Doemos, ata që dinë të lëpijnë dinë edhe të kafshojnë…Pesha e fjalës s’mund të shtohet vetiu, e ngaqë s’mundin shtojnë zhurmën. Gjithmonë gjëndet një “Profesor” apo “Doktorr” i braktisur për të shkruar rreshtat e parathënies, me një kosto të lirë, ndoshta një drekë “miqësore”. Po cilët janë heronjtë (personazhet), po fenomenet që trajtohen, po idetë? Ende s’kam gjetur të tilla në ato çfarë publikojnë, veçse konstatoj se janë shtuar gomarët që mbajnë shalën e kalit. E mbi të gjitha, ajo që të ngjall neveri është steriotipi i të shkruarit, gjuha e drunjtë. Kjo vlen edhe për fjalorin. Gjuha shqipe është ndër më të pasurat, e gjerë dhe e thellë, me forcë shprehëse. Shikoni fjalorin e varfër të publicistëve tanë, të poetëve gjithashtu. Plot huazime dhe dialekte. Kjo tregon mjerimin e tyre kulturor. Më ndodhi të lexoja një shkrim të një fabulisti të plakur, i cili shfaqet në gazeta me gjithë kapelen republike, një i sëmurë pas koperativizimit të fjalëve. “Fshatlindje”- shkruante mes të tjerash. Tamam si një tendencë globalizmi. Mund të shkruajmë; pakashumë, apo hëpërhë, sepse janë fjalë të bashkangjitura, por kjo s’mund të ndodhë me çdo fjalë, sepse fjalët e gjuhës shqipe janë si lapidarë të bardhë me veçori të ndryshme morfologjike. Mbasi ke shfletuar një libër të tillë duhet të lashë duart dhe të mendohesh mirë se çfarë duhet të zgjedhësh për të ushqyer trurin, për shpirtin s’bëhet fjalë. Të jesh dhe të përpiqesh t’u ngjash të tjerëve janë dy gjëra krejt ndryshe. Imitimi në art është njëlloj si të çveshësh tjetrin dhe ti marrësh rrobat e trupit për veten tënde. Më pëlqen të citoj një gjykim të Shopenhaurit; “Askush s’mund të bëhet artist nga studimi i estetikës, dhe asnjë karakter fisnik s’është formuar nga studimi i etikës”. Kategoria e kalemxhinjve për të cilët jam duke shkruar, s’bëjnë gjë tjetër veçse shfletojnë librin e ëndrrave sipas rastësisë. Po mirë, si mund të flakësh një përvojë të çmuar poetike apo publicistike (të kolegëve, bashkëkohësve apo atyre që i gjejmë mes librave të tyre të vyer ) dhe të nxjerrësh në tregun e shitjes kashtën pa kokrra? S’guxojnë të bëjnë studime serioze për Branko Merxhanin, për Mitrush Kutelin, për Petro Markon. Ngurojnë të bëjnë objekt analizash krijimtarinë e poetëve të shquar shqiptarë, të cilët s’na mungojnë. Për Naim Frashërin janë publikuar punimet serioze të Rexhep Qoses dhe Moikom Zeqos, për të tjerë – jo. (Autori i këtyre rreshta, te libri “Ngjyrat e mendimit” ka publikuar analiza kritike për mendjendriturin Isuf Luzaj-“Filozofia e bukurisë”, për krijimtarinë e Rexhep Qoses, kryesisht të veprës dinjitoze “Popull i ndaluar”, të Dritero Agollit, Koçi Petritit, Agim Shehut, për profecinë poetike të Petraq Ristos, për lëvizjen kombëtare në frymën e Rilindasve, etj.) Veprat e Rilindasve s’janë përkthyer të gjitha, e studiuesit tanë s’i njohin ato, edhe rinia studentore. Sami Frashërin e shikojnë si një planet të largët tek i cili s’mund të mbrish. Për syrin mund të duken të largët shumë personalitete, por jo për mendjen. Aftësia e dominimit të frikës rri e zgjuar brenda genit të përzgjedhur nga natyra, jo kushdo mund ta bëjë atë. “Nuk duhet prishur e mira e tashme me dëshirimin e gjërave që s’kemi, por duhet menduar se edhe gjërat që tashmë i kemi, i kemi dëshiruar” Është gjykimii Epikurit. Prandaj pyes; ku janë publicistët e shquar, zëri i tyre? Ku janë poetët e rinj? Jo kurvat, poetët që ngarkojnë dhimbjen e popullit dhe pikëllimin e kthejnë në këngë. Jo më kot Migjeni vazhdon të lexohet me të njëjtën vëmëndje dhe interesim si dikur, Frederik Rreshpja dhe poetë të tjerë. Të përkëdhelurit e djeshëm s’kanë arsye të bëjnë rolin e Malkomit (te “Hamleti” i Shekspirit), “Heth mjaltën e pajtimit në skëterrë”. Kësisoj, vogëlanët apo këta fëmijë të plakur, krijojnë pyllin e shkurreve duke parë me lakmi kurorën dhe hijen e lisave madhështorë. Këto janë bindjet e mia. Zëri im qoftë i vetëm dhe në shkretëtirë. Le të presim. Kush ka durim mund të ketë ç’të dojë, thoshte Benjamin Franklin. Ashtu qoftë!

Xhevahir Spahiu, poeti ynë i shquar
Jemi te klasa e inteligjencës krijuese, detyrat e së cilës rriten paralelisht me rritjen e dijes. Më konkretisht, të ndalemi te emrat e përveçëm; te krijimtaria e poetit të shquar Xhevahir Spahiu dhe publicistit elitar Zylyftar Hoxha. Të dy nga e njëjta trevë, megjithëse më pëlqen ta quaj krahinë (krah i Tomorrit, apo jo?), nga Skrapari. Poeti s’ka të ngjajshëm brenda vendlindjes, madje as brenda klasës së poetëve tanë të mirënjohur. Publicisti ka. Do përmëndja më të spikaturit; Iljaz Kapxhiu, Sefedin Çela, Naim Zoto. Këta të tre pretendoj se i njoh, e kam fjalën për krijimtarinë e tyre. Më besoni. unë jam përzgjedhës i atyre çfarë lexoj, ndikuar kjo nga eksperienca e gjatë pa harruar edhe gjëndjen e vështirë ekonomike. S’dua të vdes me borxhe, qoftë edhe me borxhe fjale. Ka edhe publicistë të cilët i njoh pak; Përparim Xhixha (nipi i Riza Kodhelit nga Backa), Bashkim Koçi, vëllezërit Caka (Lumani dhe Enveri) si dhe i palodhuri Hajri Nuhu. Arti i të shkruarit, gdhendja e fjalës dhe idetë, këto janë shtysat që ndalova pikërisht te këta dy krijues. Poeti merret me natyrën dhe idetë, publicisti me fenomenet dhe elementin njerëzor. Të dy gjurmojnë bukurinë; te njeriu, te natyra, te shpirti, te prushi i fjalës. Qysh në krye do ta quaj Xhevahir Spahiun poet të lartësive, autor i poezive-manifest, një përçues i fuqishëm i ideve të mëdha. Janë pikërisht idetë që ushqejnë shpresën dhe “një shpresë e fuqishme – shkruan Niçja – është një stimulues shumë më i madh për jetën se çdo lloj lumturie e veçantë që vjen me të vërtetë papritur.” Xhevahir Spahiu është elegant dhe sqimatar, mbi tehun e fjalës së zgjedhur ecën si mbi tehun e shpatës. Dy fjalë të kursyera të tij në vend të autoportretit; “Ditën bir i diellit/ natën bir i hënës”. Ndjesia interesante se këto fjalë të perëndishme zbresin tek ne nga mali hyjnor i vendlindjes, të shoqëron gjatë leximit të poezive të Xhevahirit. Farkëtari i fjalës troket në dyert e baladave, te eposet e kreshnikëve, ringjall farkëtarët e shpatave. Sa shumë ndikon vendlindja te psikika e njeriut, te karakteri i tij, te brendia shpirtërore. “Një mal kam në sy/ mali im s’bëhet dy”. Është Tomorri hyjnor, streha e Dodonës pellazge. Pushteti i këtij mali ka ndikim të padiskutueshëm te Xhevahiri, thuajse në gjithë krijimtarinë e tij. Edhe shtatlartësia e poetit thua se s’është rastësore, si për të qënë më afër majëmalit, pse jo, edhe më afër zotit. Mali është simbol lartësie, njëkohësisht edhe mburojë…Por, mbi gjithëçka është strehë malli. Në mënyrë imagjinare poeti shkon rregullisht atje, por jo vetëm. Ai e shpalos këtë brendi tunduese në njërën prej poezive të tij, e cila thotë aq shumë; (“Nesër jam aty; gurrës me kupën e gurtë i thoni /ta ruajë, po mundi, një grusht ujë për mua /Kam një etje të moçme /Vij ilodhur nga rruga”). Sa bukur! Çdo lexues, i prekur nga këto vargje, nxiton të rendë drejt vendlindjes së tij, të zbulojë gjurmët e fëmijërisë apo të qetojë plagët e mallit. Është e kuptueshme, njeriu i ditur (poeti) nuk kërkon kënaqësitë, por mungesën e dhimbjes. Këtë thekson edhe Aristoteli te vepra e tij “Etika Nikomakea”. Poeti shkruan, gjëmon me zërin e tij të fuqishëm, e përreth është heshtja e paspjegueshme e botës, është absurdi rreth të cilit ngrejmë pikëpyetje. Prandaj ngjirret poeti: “Çfarë ke, o njeri/ Ç’peshë t’i harkoi supet/ Fjalët e tua ku i ke humbur?/ Po s’fole, do pyes gurin ku je ulur”. S’ka altruizëm si tundim dëshire apo kënaqësie në vargjet e krijuesit, ka peshë fjale dhe fuqi mendimi. Të shkruash mes kësaj gjindjeje, mes kësaj lufte herë të fshehtë e herë të shpallur, në kushtet e mohimit të vlerave dhe hierarkisë, doemos do bësh pyetjen që Xhevahiri e bën në momente të vështira: “Çudi si jemi gjallë!” Andaj poeti e sjell poezinë si stoli për jetën, si barin magjik për të mjekuar plagën që dhëmb. Fjalë të rralla zbritur nga lart enkas për krijuesin e çuditshëm, herë thënë shkopërisht, të sapodala nga mademi e herë me veshje aristokrate. Poeti jeton në një botë të krisur që s’bën gjumë, ndaj është përherë i shqetësuar për lotin e fëmijës, për urtësinë e burrit, për dramën e një nëne. Është atdhetar Xhevahiri, madje e ka ngarkuar atë brenda shpirtit. E këtë gjë e kërkon edhe te bashkëbiseduesi. Ja një skenë nga qyteti i Prizrenit; “Unë ju afrova dhe pyeta:
-Pa thuaj xhaxhit, ç’emër ke? I vogli tha:
-Atdhe!”

Sa bukur! Edhe te poezia-manifest për plakun e Vlorës që bredh kancelarive të Europës, poeti përjeton dhimbjen e diplomatit të shquar sikurse fatin e Atdheut prerë me gërshërët e traktateve nga fuqitë e mëdha. “Hynte dhe dilte kancelarive, plaku orakull Europa akull”. Poeti është edhe filozof edhe sociolog. Ja, pra ky është Xhevahir Spahiu, rrebeli i fjalës së lirë. Në këtë rrugëtim të shkurtër më bëhet sikur kam zbritur nga lartësitë, atje ku shtrihet vendlindja e tij. “Mjegulla u var, mali s’duket më. Fusha ka mbetur pa Zot e pa Zë” Hapni sytë, o vdekatarë dhe lexoni të pavdekshmit, poetët.

Publikohet me të drejta publikimi për Corovoda Online:
Postimi i parë në http://www.fjalaelire.com/http-fjalaelire-com-analiza-php/37937.html?fbclid=IwAR1BMfJuMLarhuXR95ZBK8x3BxlTunRrcfLgCSUxm0NX1r9J1c1-qzZBXlk