Portieri Daut Naço, përfaqësuesi i “gardianëve” skraparas në arenën ndërkombëtare - Një shkrim nga Ilir J. Hoxha **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Portieri Daut Naço, përfaqësuesi i “gardianëve” skraparas në arenën ndërkombëtare - Një shkrim nga Ilir J. Hoxha

Fatjon Kaloci
24.7.19
Daut Naço – Portieri, një “zanat” që gjithmonë ka ekzistuar vetëm falë zotësisë. Vetëm te portierët nuk ka miq!
Jeta futbollistike e Dautit do të niste që në fëmijërinë e hershme, atëherë kur Shtëpia e Pionierit do të bëhej promotorja e një portieri që do të shkruante historinë me talentin e tij duke shkuar deri te përfaqësuesja shqiptare. Fati do të ishte dy herë me Dautin.  Viti 1975 në Çorovodë do të fillonte për herë të parë klasa sportive, por më shumë se kaq “mbifat” do të ishte se këtë nismë do ta drejtonte profesori i trajnimit i pasionuari, prindi Avdyl Shkëmbi. Ndoshta kaq do t’i mjaftonte Dautit që të shkëputej nga bashkëmoshatarët për t’u bërë pjesë e “BIG”-ve të vegjël, të rinjve. 15 vjeç ishte, dhe me trajnerin Astrit Harizajn do të niste “marshimin” për t’ju ngjitur “Everestit”. Do të “përfitonte” nga një dëmtim për të zëvendësuar Albert Musabelliun dhe më tej për t’u bërë i pazëvendësueshëm. Thuhet se fati ndihmon më të mirin, ndoshta ka qenë kështu sepse mrekullia ishte fshehur bash në këtë rast të parë. Pritja e një penalltie do t’ia betononte më tej karrierën si një portier të pazëvendësueshëm! Në moshën 17-vjeçare trajneri M. Baze do të bënte një lëvizje të çuditshme në kohën kur në ekip ishin plot 5 portier dhe të nivelit “super”, ai do thërriste pranë ekipit të parë edhe Dautin…!!! Ishte koha kur mbas largimit të Maksi Bregut çuditërisht gjithë ky “popullim” portierësh do të binte në boshllëk, çka do t’i jepte rastin aktivizimit të parë Dautit me të rriturit dhe si çdo rast i parë do të kishte impresionet e para. Takimin e parë Dauti shënon atë të zhvilluar në Himarë, Vetëtima – “5 Shtatori” 1- 0 në vitin 1981 -2. Ishte një humbje që për Dautin  është shënuar te “libri” i fitoreve sepse paraqitja e portierit minor do të shënonte jo vetëm kalues por edhe me “notë” të mirë. Miqtë e kanë fituar këtë lojë në të 94’ dhe me një penallti të dyshimtë. Dauti mban mend se golin e ka shënuar portieri rival me penallti, gjithsesi paraqitja vlen më shumë se humbja.

Më tej do të vinte ai rast (Përparimi- “5 Shtatori” 2-0), ishte një moment që takimi po shkonte drejt barazimit dhe një tifoz kuksian do t’ju thoshte të tijve: “S’keni turp që t’ju rrahë edhe Skrapari që 5 pallate ka”. “Hazerxhevapi” nuk vonoi dhe Muharremi do t’ia kthente: “Po mirë o, po ne nuk po luajmë me pallate këtu…!”
Rikthimi i Vladimir Begës në ekip nuk do t’i linte mundësinë e aktivizimit të më shumë se 4-5 ndeshje, gjithsesi ato patën rëndësi te portieri sepse i krijuan besimin te vetja dhe perspektiva ishte vetëm për të.
Përpara se të ikte ushtar do të provonte edhe një eksperiencë të suksesshme me ekipin e Bistricës së Delvinës, ku skraparlliu Tajar Blezëncka do të bënte “menaxherin” e këtij transferimi. Dauti tregon se ka qenë një mikpritje nga ato që më ka lënë mbresa, këtë dozë mbase e shtoi edhe paraqitja ime e mirë, gjithsesi mbaj mend ndeshjen e parë në Delvinë që e kemi fituar me Korabin 1-0 dhe ka qenë një nga ato eksperiencat që jam ndier i privilegjuar. Mospërmbushja e kushteve minimale do të bënte që Dauti të rikthehej për të vazhduar shërbimin ushtarak. Drejtuesit në rreth do t’i mundësonin që 8 muajt e fundit të ushtrisë të aktivizohej me “5 Shtatorin” Nga viti 1984 -1990 do të ishte gardiani më “fanatik” i portës së “5 Shtatorit” ku paraqitja e tij do ta bënte një nga portierët më të mirë të kohës së bashku me Maksi Bregun dhe Vladimir Begën.

Ajo që vlerësohet në karrierën e portierit shtatlartë është se në gjithë karrierën e tij numri maksimal i golave të pësuar ka qenë deri në 2.
Më tej karriera e Dautit do të shkonte tek Flamurtari, tek ai Flamurtar që kishte në përbërje të famshmit; Çipi, Taho, Gjondeda, Memushaj dhe për trajner Edmond Liçaj, Koto Zilja dhe Petraq Bifsha. Paraqitja e portierit tonë, edhe pse luante në kategorinë e dytë kishte tërhequr vëmendjen e specialistëve të futbollit. Pa asnjë njohje personale, kumbar i këtij transferimi do të bëhej i pa harruari, trajneri i Kombëtares së asaj kohe Agron Sulaj. Diku ai kishte “skanuar” se gardiani i “5 Shtatorit” i plotësonte të gjitha parametrat për të mbrojtur portën vlonjate dhe këtë ua kishte sugjeruar stafit të Flamurtarit. Në këtë “mblesëri”, patjetër një ndikim jo të vogël luajti edhe dhëndëri i Skraparit ish shefi i Klubit Flamurtari, profesori Mynyr Bega. Një nga momentet me emocione dhe të vështira, ka qenë kur u bë prezantimi përpara ekipit. “Që të jesh portier i Flamurtarit nuk mjafton vetëm të jesh portier i mirë.- tregon Dauti, ironia dhe sarkazma e tyre është gjenetike. Një miku im më tregonte se nuk ua gjen dot “ujin” që kërkojnë. Kur pret mirë, të thonë “U këput me ca të mbaruar!”, kur nuk pret “mburrin kundërshtarin për “tolerancën”! Gjithsesi unë kisha eksperiencën me vete, pse jo edhe gjakftohtësinë. Dauti tregon më tej se – “Paraqitja e parë në Vlorë ka qenë emocionuese, dhe pse jo, prezenca e 5 portierëve në stërvitje me uniforma dhe veshje tejet estetike dhe bashkëkohore do më krijonte një emocion që shkonte deri te dyshimi, se mos dikush po bënte shaka me këtë lëvizje, sepse ata i kishin portierët…” Koha tregoi shpejt dhe ndryshe. Kolegët e tij kishin vetëm uniformën që lidhej me portierllëkun, ndërsa të tjerat jo… Po befasitë dhe mbresat nuk do kishin të sosur në këtë transferim. “Stafi i Flamurtarit më njihte vetëm nga opinionet – tregon gardiani, sepse nuk kishte asnjë rast që ata të më kishin ndjekur me “5 Shtatorin” në ndonjë ndeshje. Në këtë kushte presioni ishte mbi mua. Menjëherë sapo u krye marrëveshja jam paraqitur në klub dhe asnjë mundësi nuk patëm si palë që të prezantohesha para se të luaja në ndeshje. Çka i binte që prezantimin e parë do ta bëja direkt në ndeshjen me Gotenborgun, në Suedi…! Ishte 18 shtator 1991. Edhe pse eksperiencën e kisha të plotësuar gjithsesi emocion kishte edhe dalja jashtë shtetit dhe jo më përballja me një ekip që ishte nga më të mirët në Suedi. Ajo që do të ishte në kufijtë e së pabesueshmes ishte se u nisëm për në Suedi pa portier rezervë fare. Ashtu sikur ishin ata të stafit pa burokracira dhe me pragmatizëm të mbështetur në eksperiencën e gjatë dhe të pasur futbollistike thanë, nuk kemi ç’i duam dy portierë. Kjo ma shtonte përgjegjësinë edhe më tej, dhe pse jo më futi në një presion të papërballueshëm. Një ditë para ndeshjes ashtu sikur është praktika e zakonshme shkuam dhe u njohëm me fushën dhe bëmë stërvitjen paraprake. Nuk e di por edhe sot mbas 28 vjetësh më ngjethet mishi kur kujtojë atë situatë në atë stërvitje. Sikur Zoti më solli një dhimbje në kurriz dhe nga halli se mos pësoja ndonjë këputje mishi më të madhe stërvitjen e kam bërë të kujdesshme pa u sforcuar fare. Problemi ishte se ky ishte rasti i parë dhe të gjithë e kishin vëmendjen tek unë. Gjuajtjet që bënin në stërvitje kolegët vetëm i shoqëroja pa u sforcuar fare. Çdo gjuajtje gol…, kjo e alarmoi stafin..!. Pas stërvitjes në autobus isha jo rastësisht në sedilje me Eqerem Memushin, i cili direkt më thumboi: -Hë mo Naço si shpejt iknin topat, në stërvitje…! M’u desh t’i jepja kurajë vetes me përgjigje dorë për dorë:

– Do ta shikosh nesër, Memush – i thashë. Fati ishte me mua, për mua ka qenë një ndeshje nga më të veçantat. Ajo që më ndihmoi dhe më shkarkoi nga emocionet ishte një rast që në nisje kur sulmuesi kryesor i tyre Johnny Ekstrom gjuan nga diagonalja një top shumë të rrezikshëm. Kjo më dha rastin që të bëja të pamundurën duke e devijuar… Më shumë se mua, “siguroi” kolegët, që të kishin besim. Natyrisht të kishe mbrojtës të nivelit K. Çipi, Rrapo Tahon, Gjergj Demën, Elidon Lameborshi, Eqerem Memushi etj., etj., gjithçka ishte më e thjeshtë se e thjeshta. Takimi përfundoi barazim dhe, nëse do dal nga modestia unë kam qenë përtej vetes në këtë takim. Padyshim që barazimi Gotenborg –Flamurtari 0-0, bëri jehonë por edhe opinioni im shkoi me shpejtësinë e erës në Vlorë. Ajo që ishte pjesë organike e vlonjatëve ironia, nuk mund të anashkalohej edhe këtu. Në rreshtimin e fillimit të ndeshjes, suedezët ishin standard të gjithë nga 2 m. Në këtë kohë Latif Gjondeda më i shkurtri i të gjithëve 1.58 m, do të lëshonte batutën “bombë” që nuk do të na mbante të qeshurat. Latua duke parë futbollistët kundërshtarë do të thoshte : – Po hë ore, të na rrahin edhe këta vedhacukër, nuk është turp…!

Me besimin se ndeshjen e dytë e kishim në Vlorë, menduam se kryem më shumë se gjysmën e punës për të vazhduar më tej dhe të gjitha mundësitë i kishim. Ishte 2 tetor 1991. Deri në fund të takimit kemi udhëhequr 1-0 dhe fund të takimit jemi ndëshkuar nga një gol që na ndëshkoi kur nuk kishte më kohë, rikuperimi. Në planin “Global” humbëm, në atë personal “fitova”..! Luajta bukur. Kjo ishte një pjesëz e aventurës vlonjate e gjigantit të portës, që ende kujtohet në Vlorë. Karriera e gardianit skraparas do të vazhdonte me sukses absolute të Flamurtari dhe paraqitjet e shkëlqyera do të shërbenin si trampolinë për të qenë pjesë e Ekipit Kombëtar. Klanet krahinore brenda grupit do ta ndëshkonin për të qenë portier i parë, gjë që nuk do ta kapërdinte dot Naço dhe në grumbullimet e tjera do ta braktiste Përfaqësuesen. Më tej karriera do të mbyllej si trajner i portierëvë të ekipit të Teutës.
Dauti Naço:Gjithçka ia dedikoj atij grupi fantastik portierësh. Portierët e nivelit si Maksi Bregu, Vladimir Bega, po pse jo Bardhyl Zeneli, Albert Musabelliuu kanë qenë një shkollë brilante për të bërë portierin. Mendoj se ka qenë një nga traditat më të bukura të ekipit të “5 Shtatorit” që është përfaqësuar me një nivel kaq të mirë portierësh.
Ilir J. Hoxha