Skrapallinjtë e Durrësit... - Një shkrim nga Hajri Nuhu (3) **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Skrapallinjtë e Durrësit... - Një shkrim nga Hajri Nuhu (3)

Fatjon Kaloci
24.7.19

Si dhe të tjerët më parë, këtë shkrim e kam nxjerrë nga arkivi im. Ka qenë botuar dikur në gazetën DITA dhe “Dielli i Tomorrit”, ndaj do parë në kontekstin kohor. Po e ripublikoj për t’u dhënë mundësi ta lexojnë atyre që nuk e kanë ndeshur në atë kohë.
Duke vazhduar serinë e shkrimeve për skraparllinjtë, këtë radhë do të “ndalemi” në Durrës, me një shkrim të kryetarit të shoqatës “Tomorri” – Durrës, Hajri Nuhu.
Hajri NUHU
Afër detit, afër mbretit…Ky proverb që përdoret në Skrapar ka lidhje me dëshirën e banorëve të asaj treve për të lëvizur drejt zonave urbane. Dëshira që ata të ishin ‘afër mbretit’ në fakt ka munguar. Këtë e thotë historia. Dhe në kohë të ndryshme ata erdhën tek ky qytet i lashtë. Luftuan dhe punuan në këtë qytet. Një pjesë u kthyen përsëri atje në vendlindje, në prehrin e maleve. Të tjerët, qëndruan këtu, lidhën jetën me këtë qytet, lanë gjurmë, shkruan emrin diku…
Ti që vjen më pas kërkon të dëgjosh e të mësosh për ta. Dhe çuditërisht, herë sinqerisht dhe herë me doza “xhelozie”, durrsakët flasin për skraparllinjtë.
Burra që bënë histori...
Ata erdhën në vite të ndryshme. Kishte punëtorë, siç kishte e ka kuadro e specialistë të fushave të ndryshme. Ecën rrugëve të këtij qyteti dhe tek kalon nëpër lagje e mes pallatesh të thonë: “Këto i ka ndërtuar Qemal Mançe...Nuk kishte burrë si ai...” .
Në fakt në kohën që ai drejtonte ndërmarrjen e ndërtimit në këtë qytet u zbut problemi i strehimit që ishte “gangrenë’ e jetës qytetare. Deri në fund të jetës ai ishte burrë i fjalës, i sertë e i qartë në ato që thoshte. Ndaj e donin të gjithë. Ishte edhe veteran e invalid i Luftës. Ishte kreu i organizatës së veteranëve. Dhe mbiemri Mançe njihet në tërë qytetin që është rritur këto vite. edhe për faktin se i biri Kapllani është një nga stomatologët më të mirë të qytetit dhe klinika e tij ka një emër të madh.
Jo vetëm Qemal Mançe. Një tjetër Qemal, me një emër të nderuar, Qemal Hate, ishte në krye të Flotës Tregtare. Punoi shumë, mbeti i ndershëm deri në fund. Për vlerat i dhanë edhe titullin e kohës “Hero i Punës Socialiste”. Më shumë se dekretet titullin ua jepnin njerëzit, ata që punonin me ta e pranë tyre. Dhe këdo të pyesësh për Qemalin, do të marrësh përgjigjen:”Ishte burrë i rrallë…
Burrë të rrallë nuk të bën detyra e pozicioni. Të bën kultura e punës dhe e komunikimit, ndershmëria. Në pozicionin e kryetarit të Gjykatës ka qenë juristi Hajri Shehu. Një pozicion delikat që mund të anatemohej në këtë kohë…Po jo.Për Hajriun flasin me respekt. Ai zbatonte ligjet e kohës me korrektesë, pa mllefe e inate, pa ngarkesa që impononte lufta e klasave. Kjo vinte se ai ishte një erudit, ishte edhe autor e bashkautor librash për këtë fushë…
Kështu mund të vazhdosh pafund.
Se në Durrës ka qënë e ka punuar edhe Iljaz Sevrani e Aqif Ylli, Teki Malindi e Njazi Braçe, Hetem Hysi e Fatmir Zaimi, Adriatik Muka, Gëzim Bega e Servet Carkanji…Secili një histori më vete në këtë qytet. Dhe jo vetëm aty...
Se skraparllinj kishte e ka edhe në Sukth, në Kullë, në Manzë…Tërë Sukthi flet mirë për Bajram Gërxhanin e Sabri Gurin. Ecën rrugëve të këtij qyteti dhe kujton vargje nga ushtaraku e poeti Hetem Hysi. Poezi dhe tekste këngësh që kishin gjëmimin e maleve, por edhe pastërtinë e gjuhës naimiane.
Të duket sikur të del përpara Baftjar Nonaj dhe me atë fletorkën që mbante me vete do të recitojë vargje e bejte për Muzhënckën e Osumin, për Frashërin e Tomorrin.
Pastaj rrugës mund të takosh edhe Njazi Braçen, një ushtarak që po kalon shekullin. Në janar feston 100 vjetorin. Ai ecën më këmbë…Pak ditë më parë iu dha titulli “Mirënjohja e Qytetit” nga Bashkia Durrës.
Dhe mes burrave të “rëndë” ka edhe gra. E tillë ka qënë Donika Muço, inxhinierja që u specializua edhe në Kinë e drejtoi për shumë vite një ndërmarrje të madhe siç ishte ajo e Gomë-Plastikës.
Po skraparasit nuk kanë qenë vetëm në drejtim, “të rëndë” nuk i bënte detyra. Më shumë se ajo ishte përkushtimi për detyrën,ishte intelekti i tyre. Në Durrës takon edhe Përparim Zaimin profesori nga Dobrusha që nuk “heq dorë” nga studimet në fushën e astronomisë e ku pa diskutim të bëjnë përshtypje hulumtimet për misteret e malit perëndi, malit Baba, Tomorrit tonë. Ai është qytetar nderi në SHBA, është i nderuar edhe në Durrës. Por tek e takon ai ka dëshirë të të flasë për rrënjët, për Skraparin.
Ka emra të tjerë...Dëgjon për ta fjalë të mira dhe ndihesh mirë. Një pjesë e tyre nuk janë më. Ndoshta pjesa më e madhe ka ikur. Pas ka mbetur kujtimi i mirë, respekti, mirënjohja.
Në gjurmët e të parëve…
Ëndrra për të qënë afër detit mori udhë me demokracinë. Liria e lëvizjes vuri në “lëvizje” skraparllinjtë. Një pjesë, kundër dëshirës së tyre, ngarkuan nëpër makina “varfërinë e kohës” dhe mbërritën. Një pjesë nga malli, por shumica nga halli. Se politika zbrazi fshatrat e trevës. Se iku mësuesi, iku mjeku, se mungonte infrastruktura, se...arsyet janë të shumta.
Në një regjistrim të vitit 2005 në Durrës e rrethina jetonin 15.400 skraparllinj të ardhur në periudha të ndryshme. Një pjesë prej tyre gjithsesi nuk ndali aty, ”kapërceu detin” dhe iku në Itali e gjetiu. Gjithsesi biem në sy…
Shprehja “na mbytën skraparllinjtë” ka filluar të dëgjohet gjithnjë e më pak. Jo vetëm se kaluan vite, por edhe se është komuniteti që është integruar më shumë në jetën e këtij qyteti. Tani dëgjohet shprehja “lagjja e skraparllinjve” Vetë ne e quajmë lagja “5 Shtatori’, se aty është grupimi më i madh.
Juristi e politikani Spartak Braho shprehet: “Skraparllinjtë të mësuar me malet zunë kodrat më të bukura të Durrësit. Nuk u dyndën si “barbarë ”. Respektuan ligjet dhe ndërtuan. Ndërtuan dhe bukur, pastër. Se janë komuniteti më punëtor. Skraparlliu nuk rri “tek platea” me lopatë në dorë, nuk pret. Atë e gjen puna….”
Po nëse dikush gjykon se Braho na mban “anën” si skraparlli, ish –prefekti dhe tashmë deputeti i Durrësit, Roland Xhelili në një takim me skraparllinjtë e shoqatës “Tomorri” shprehet:
“Ju i keni sjellë energji e jetë këtij qyteti. Se jeni të organizuar, shumë punëtorë, rrezatoni kulturë, dini të jetoni”…
E, në këto vlerësime më vijnë ndërmend vargje që regjisori i dikurshëm i Çorovodës sonë, Edmond Agolli, ua kushton skraparllinjve të mirë…
Vërtetësinë e integrimit të këtij komuniteti në këtë qytet e tregojnë dhjetëra biznese që kanë çelur skraparllinjtë në këtë qytet. Disa lokale kanë emrin e vendlindjes, në veçanti të Tomorrit.
Sapo kalon Drejtorinë e Policisë gjendet lokali i Fatri Mezinit. Fatriu vetë punon agronom, e shoqja, Mimoza, mësuese.
Pak më tej do të takosh Behar Zylyftarin, mësuesi i talentuar i edukimit fizik në Çorovodë, trajneri i ekipit të vajzave në basketboll e volejboll. Pasionant është edhe tani në shkollën e Katundit të Ri. Ka edhe lokalin ku me djalin e familjen punojnë shumë. Se skraparllinjtë kanë kërkesa dhe dinë të jetojnë. Dhe ngjitur me të është lokali i Ilirjan Sevdarit. Në të në çdo orë gjen skraparllinj të rinj e të moshuar. Kështu ndodh edhe me lokalin e Admir Ibros në Spitallë.
Vetëm në rrugën “Aleksandër Goga” gjenden 9 lokale e dyqane shërbimi që ju “takojnë ” skraparllinjve. Mbishkrimet “Bulmet Skrapari” apo “Mish Skrapari” janë të zakonshme. Do të gjesh aty për një kafe mësuesit tashmë në pension, Ismail Shiroku e Ferit Lushka, do të takosh në lokalet e tek “Pranvera” Hasan Hysin e Idari Carkanjin, Fiqiri Xhizdarin e Gëzim Aliajn, Nesim Shahinin e Petrit Shkëmbin…Kjo gjeneratë ta sjell Skraparin më pranë. Ata kanë çfarë të rrëfejnë...
Por biznesmeni që i bën nder Skraparit tonë, padyshim është Fatos Çerenishti. Kompleksi FAFA është ndër më të mirët në vend. Ka dy vjet që aty organizohet edhe Miss Globe. Shumica e punonjësve janë djem e vajza nga Skrapari me shkollë e me kulturë të admirueshme.
Po kështu është edhe skraparasi tjetër, Arben Qato. Vila Palmas është ndër resortet më të bukur përgjatë brigjeve të Adriatikut.
Galeri “Tomorri” ndodhet në Plazh .Aty do të gjesh piktorin Nuri Jaupllarin. Ka hapur disa ekspozita në qytet dhe është bërë i njohur në këtë qytet.
Aty në rrugën pranë spitalit gjendet një tjetër studio, “Musaj”. Infermieri e kameramani Leonard Musaj është i njohur në mjekësi e në median vizive të Durrësit.
Mësues e mjekë, ushtarakë, e punonjës në administratë, të tërë me emër të mirë. I tillë është gjyqtari Fejzo Hysi aq i njohur edhe në Skrapar, mjekët Gëzim Bregu e Bashkim Kullësi, stomatologu Agim Shabani dhe djali i tij, Andi…mjaft infermierë etj.
Janë 85 mësues në shkolla të ndryshme të qytetit e më gjerë . Disa drejtojnë shkolla të këtij qyteti. Zamira Qama është drejtoreshë e gjimnazit “Olsi Lasko”, Alketa (Nako) Bega në shkollën “Migjeni”, Fuat Zerdelia në shkollën “Demokracia”. Kështu edhe te tjerë...
Në portalet e organizuara ata që konkurrojnë për mësues renditen të parët. Ashtu si nxënësit që në çdo shkollë “dallojnë”.
Në drejtim të QKF është prej disa vitesh Avni Çuni…Myslim Hasanaj drejton një prej Rajoneve në Durrës.
Kështu ndodh edhe në media, ku kolegët tanë janë disa: Aleks Kalemasi është tashmë i “vjetër” si gazetar në këtë qytet, Leonidha Musaj moderator dhe komentator sportiv, Jona Doko gazetare televizive, Xhevahir Cirongu etj…
Këta janë pak emra nga ata skraparllinj të shumtë që me punë e ndershmëri po integrohen në këtë qytet. Ka të tjerë që kanë nisur të rikthehen në vendlindje. Po ndërtojnë edhe në fshatrat nga vijnë.
Se skraparlliu nuk rrondot pa malin e detin…Ai jeton mes dy dashurive. Nga një anë dashuria e “parë”, Skrapari, treva e historisë dhe nga ana tjetër, një dashuria “e re që po lind”, për qytetin e Durrësit, qytetin e lashtë të kulturës.