Një shkrim nga Viktor Bakillari
Kurrë nuk keni dëgjuar një interpretim të tillë me vegël muzikore popullore veriore, interpretuar nga një jugor. Vegla muzikore kordofone gege çifteli, në duart e virtuozit tosk Fahri Breshani, mësues nga Çerrica / Tomorricë – Skrapar, nxjerr tinguj të magjishëm të padëgjuar më parë.
E kisha dëgjuar me veshët e mi, qysh në “Kohën e Largët të Zborit”, qysh në vitin 1985 (e mbaj mend mirë!), zborin që i bënte mjeshtri violinës së vet (diçka e rrallë në Tomorricën e asaj kohe), kur vinte nga Çerrica e luante me të në vatrën e kulturës në Grevë, sidomos gjatë pushimeve verore korrik-gusht të neve nxënësve, në mbrëmjet argëtuese të rinisë së fshatrave Grevë-Kovaçanjë-Postenë.
Gjallëronte rinia në atë kohë! Le të dalë qoftë edhe një që ta mohojë!
Ditën, qysh pa gdhirë, krejt rinia e Grevë- Postenë -Kovaçanjës korr e shi, në mbrëmje, gjer në mesnatë, vu! këngë e valle, në vatrën e kulturës dhe lodhje s’ndjente njeri. Sa çudi! Kjo ndodhte në çdo fshat të madh të Tomorricës nga vitet 1960 – 1990. Unë mbaj mend vitet 1980-1990. Më para isha i vogël, më pas, vajmedet, shkrehje e përgjithshme dhe shpopullim i Tomorricës dhe i Skraparit...
Por sot, po befasohem me lojën që bën mjeshtri me një nga veglat simbol të Shqipërisë Veriore, të Gegërisë, me çiftelinë.
Po, t’i lëmë fjalët e komentet e tepërta.
Ndiqeni vetë!
Binduni vetë!
Faleminderit Fahri!