Pakot e Ndihmës ndaj Covid-19 - Shifra të çuditshme të institucioneve përplasin opinionin në Skrapar **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Pakot e Ndihmës ndaj Covid-19 - Shifra të çuditshme të institucioneve përplasin opinionin në Skrapar

Fatjon Kaloci
29.4.20
Kanë mjaftuar dy raportime javore (të dy javëve që lamë pas) nga ana e një institucioni që të fusin në ngatërresë dhjetra njerëz në Skrapar. Shkak janë bërë disa publikime të raportimeve javore të operacionit të shpërndarjes së ndihmave ushqimore dhe atyre të asistencës sociale për Skraparin. Më herët në një shkrim të ATSH të datës 26.04.2020 me titull: "Prefektja e Beratit, Zylyftari për ATSH: 13 010 pako ushqimore për familjet në nevojë, operacioni vazhdon", duke dhënë shifrat për bashkitë e Qarkut Berat, ka cituar se në Skrapar 5 851 ndihma nga të cilat 4 289 pako ushqimore 1 037 mjekësore dhe 526 të tjera.

Corovoda Online i ka pasqyruar rregullisht këto raportime, më së tepërmi nisur nga natyra humane e institucioneve apo donatorëve por pse jo edhe për të synuar një dritëz transparence kur flitet për mijëra apo qindra shërbime.

Shifrat mbeten ngërci, dhe si të tilla kur ofrohen për publikun përtej "delirium" të drejtuesve institucional të tipit "i'm thë One and Only", rikthehen si një bumerang kur ato nuk gjejnë mbështetjen e njerëzve të thjeshtë. 

Në shifra të tjera.

Skrapari i 01.01.2020 ka gjithësej në rreth 6 000 Kryefamiljarë. Shqipëria po në shifra ka një koeficient të përafërt të njësisë ekonomike mesatarisht një familje ka 2.9 anëtarë. Gjithësej po sipas të dhënave të INSTAT në 01.01.2020 Skrapari nuk ka më shumë se 16 900 banorë.

Të thuash në parim janë shpërndarë 4 289 pako ushqimore, nënkuptohet se këto pako u jepen kryefamiljarëve në nevojë. Sipas këtij aludimi të parë i bie që vetëm 2 000 familje kanë mbetur pa ndihma në Skrapar, dhe kaq ka mjaftuar për një mori kundërshtimesh dhe mosbesimi të qytetarëve. Në blogun e vetëm lokal komentet dhe mesazhet numërohen në dhjetra kundër kësaj mënyre.

Në variantin e dytë, pakot ushqimore të dhëna (sipas prefekturës) mund të aludojnë më pak numër kryefamiljarësh që janë furnizuar, por disa herë jo vetëm një herë të vetme. Që nga shfaqja e pandemisë në Shqipëri u publikuan edhe urdhëra dhe udhëzime edhe për shpërndarjen e pakove ushqimore, ku parashkruheshin artikujt made edhe vlera minimale e pakos ushqimore. Pakoja ushqimore duhet të ishte e vlefshme për 15 ditë. E thënë kështu, në 45 ditët e para të pandemisë, 1 familje i bie të jetë furnizuar minimalisht 3 herë (45/15=3) pra nëse qëndrohet tek ky variant i bie që minimalisht janë 1 430 familjet që u është dhënë rregullisht 3 herë furnizimi me ushqime.

Çfarë ka tjetër që s'shkon?

Bashkia Skrapar jozyrtarisht nuk e pranon këtë shifër të dhënë nga Prefektura. Në një mbledhje këshilli burime thanë se një përfaqësues i lartë Bashkisë ka mohuar shifrat e dhëna nga Prefektura. Sipas tij, referuar një informacioni të datës 28.04.2020 Bashkia nuk ka dhënë më shumë se 700-800 ndihma ushqimore gjithësej. Gati gjysma e tyre janë mundësuar nga donatorë tha i njëjti përfaqësues i lartë pranë Bashkisë Skrapar.

Quo vadis?

Edhe përse pa asnjë rast të konfirmuar zyrtarisht me Covid-19, shifrat e bëra publike nga një interviste me ATSH e bëjnë Skraparin si Bashkinë me shifrat më të larta në qark. Madje duke ja kaluar edhe Beratit që ka një popullsi rezidente gati 7 fish më të madhe se e jona.

Kush mbetet në mes...

Pa dyshim njerëzit e thjeshtë... ata nuk dinë kujt ti besojnë, shifrave apo realitetit...

Burim të dhënash referues: ATSH