Si e kam njohur profesor Pëllumb Piperon? - Një shkrim nga Zylyftar Hoxha **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Si e kam njohur profesor Pëllumb Piperon? - Një shkrim nga Zylyftar Hoxha

Fatjon Kaloci
21.4.20

Një shkrim nga Zylyftar Hoxha
Ka qenë viti 2003 kur bashkë me Xhevahir Spahiun nxirrnim gazetën “Dielli i Tomorrit”. Në këtë gazetë kishim një rubrikë me okelion “Njerëz të suksesshëm”, ku botonim shkrime për personalitete dhe figura të spikatura të fushave të ndryshme, të artit, të letërsisë, të shkencës, të biznesit me origjinë nga krahinat e Skraparit, Beratit, Gramshit etj., që ishte edhe spektri publikues i gazetës.

Një ditë dikush n'a rekomandoi të shkruanim për një mjek të njohur, me origjinë nga Vishanji i Tomorricës, por që ishin larguar herët nga fshati dhe ishin vendosur në Vorë të Tiranës. E quanin Pëllumb Pipero dhe ishte drejtor i “Fufarmës”, ndërmarrje farmaceutike në privatizim e sipër.
Shkova menjëherë atje dhe pas një bisede të gjatë me të shkrova një portret, të cilin e botova në numrin më të afërt të gazetës.

Aty mësova se ai ishte djali i këngëtarit popullor, Sulo Pipero (i ndritët shpirti atje ku është), të cilin e njihja dhe kisha shkruajtur për të. Mësova gjithashtu se ai kishte edhe një vëlla, Ganiun, një djalë shumë i mirë, që kishte qenë shef Krimesh në Kuçovë dhe në Durrës, por që ishte liruar, siç ndodhte atëherë, në kohën e Berishës. Tani Ganiu administronte një depo farmaceutike private në Laprakë të Tiranës.

Pasi u njohëm, në zgjedhjet e vitit 2005 Pëllumbi më kërkoi ta ndihmoja në fushatën elektorale, ku ai kishte vënë kanditaturën për deputet në zonën e Vorës. Natyrisht që më erdhi mirë, më shumë për faktin që një djalë nga Skrapari të zinte vënd në forumin më të lartë të shtetit shqiptar, se sa për karrierën dhe zgjedhjen e tij personale.

E vërteta është se Pëllumbi bëri fushatë korrekte dhe të hapur, zona e njihte mirë, pasi kishte lindur dhe ishte rritur atje. Unë i nxora një gazetë elektorale që e titulluam “Vora”, si dhe shkrova në disa gazeta për të në atë kohë.

Si përfundim, Pëllumbi nuk fitoi dot, nuk u bë dot deputet, jo se nuk e deshi populli i Vorës, por se kolegët e krahut tjetër politik, ia vodhën votat. 
Kjo humbje, natyrisht, e pezmatoi shumë, si kompensim e vunë në një post të rëndësishëm në Ministrinë e Shëndetësisë, ku punoi deri sa Ilir Meta bëri piruetën e radhës, u bashkua me Ramën.
Pas kësaj ai iu rikthye punës, si shef i Infektivit në QSUT dhe pedagog në Fakultetin e Mjekësisë.
Unë nuk e kam takuar që atëhere Pëllumbin, pasi kam një tip të vështirë, nuk u rri dot prapa njerëzve edhe pse kam patur shumë nevojë për të, por edhe ai nuk është kujtuar të pinim një kafe, pasi kishim “bërë një kurbet të vogël bashkë”.

Nejse, pak rëndësi ka, por ajo që doja të thosha, ishte se ai duhet t’u jetë mirënjohës asaj pjese të popullit që nuk e votoi në Vorë si dhe duhet të puthë në ballë ata që i'a vodhën votat, pasi sot ndoshta do të ishte duke ngrënë fara në ndonjë bordur bashkë me disa eksponentë të politikës dhe do të dilte të broçkolliste si ata kundër kolegëve që ka sot në krah.

Ndoshta nuk do të ndodhte kështu, dhe kërkoj falje nëse e preka Profesorin, pasi unë e njoh mirë karakterin e tij, por në këto lloje definicionesh e konkluzionesh na kanë çuar e gjithë karriera e politike e politikanëve tanë.

Ëndërra e trembur del hair, thotë populli.
Falë karakterit të tij të palekundur, si njeri punëtor dhe i ndershëm, ai e mori kthesën shpejt dhe në kohë për të rigjetur veten e për të qenë "si peshku ne uje" në zanatin e zgjedhur që në fillim të herës.

Humbja e atëhershme dhe divorci me politiken i doli për mirë, e çoi në vendin ku duhej, te puna, te profesioni, te djersa, te sakrifica.

E bëri siç është sot, njeri të dashur dhe të respektuar nga të gjithë.
Urime profesor i nderuar Pipero!