Tri Qafa, një histori **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Tri Qafa, një histori

Fatjon Kaloci
19.4.20
Një shkrim nga Zylyftar Hoxha.
I vogël ka qenë fshati ynë, Qafa, në rrethin e Skrapari, por ka një histori interesante, me breza burrash, të moçmit, por edhe ata që arrita unë, punëtorë, të zgjuar, të shkuar dhe të bërë me njëri-tjetrin, por edhe shumë mikpritës. Nuk më rrëmben nostalgjia, apo se më vjen mirë kur shkruaj këto radhë, por ky ishte një realitet i dukshëm dhe i prekshëm për gjithë ata që kanë patur miqësi me qafallinjtë, të fshatrave fqinjë përreth, por edhe e atyre që u ka rënë rasti të kenë shkuar e të kenë bujtur në këtë fshat. Më duhet të theksoj gjithashtu se Qafa është edhe me një histori shumë të lashtë. E dëshmon këtë qeramika dhe gjetje të tjera arkeologjike në lagjen e sipërme të fshatit në arat e quajtura Evgjitkat, Qafa e Stanit, Ara e Malos, por veçanërisht në Dunckë, që janë me shumë interes.
Më vjen vërtet keq, dhe do të më ngelet peng për tërë jetën, që unë ose ndonjë tjetër nga fshati ynë, që pati mundësi për shkak të kulturës që kish marrë, të interesohej më tepër për Dunckat, arat tona të Qafës, që fshihnin nën tokë plot mistere antike.
Të vendosura rreth një orë larg nga fshati, në një gropë midis përrenjve që zbrisnin nga Gora e Potomit, këto ara jo vetëm kanë qenë hambari që mbante me bukë një fshat të tërë, por ato fshihnin poshtë tyre një thesar të vërtetë arkeogjik të një vendbanimi të lashtë, fshat apo qytezë, i cili, për fat të keq, u zhduk rreth viteve ’80, pasi aty dikujt i ra ndërmend të ndërtohej një ujëmbledhës që do të vadiste tokat e Qafës, Visockës, Gjergjovës dhe Potomit. Punimet vazhduan gati dy vjet dhe u ndërprenë, pasi erdhi koha e ndërrimit të sistemeve, kohë kur po prisheshin edhe ato që ishin ndërtuar, jo më të pyeste njeri për ato që ishin në ndërtim e sipër. Skrepa e buldozerë s’lanë asnjë gjurmë nga ky vendbanimi i vjetër, rrethuar nga kisha të shumta, mbi të gjitha dhe më interesantja, ajo në majë të Gorës së Potomit.
Kur ishim fëmijë, aty gjenim monedha antike, ca si çibukë balte, copa enësh balte të pikturuara e të pa pikturuara, qeramidhe pa hesap, qypa të mëdhenj të pa prishur me grykë e fund të ngushtë, që i merrnim nëpër shtëpira dhe hidhnim në ta zahiren e bagëtive, okërr, përcel, tërshërë apo hime. Sa për gjetjet, pasi ne shuanim kuriozitetin e çastit, i flaknim, se aq dinim në atë kohë. Ndërsa pleqtë, duke i rrotulluar këto objekte nëpër duar, i krahasonin me enët dhe veglat që përdornin vetë dhe flisnin me respekt për të parët që kishin jetuar në këtë vend, që dukeshin se kishin qenë punëtorë. Ata hamendësonin shpesh se shtatë burimet, që ishin në fund të arave, mund të kishin qenë dikur çezma dhe aty pranë punishtet e poçerisë. Në kodrat rreth arave të Dunckës kish varre, disave u kishin dalë edhe rrasat e mëdha të gurëve, por që asnjeri nuk i prekte se ishte gjynah.
Tani në këtë vend s’gjen asgjë, dheu i arave u hoq dhe u hodh në përrua, kështu që mundësia e një studimi apo zbulimi është vështirësuar së tepërmi. Megjithatë specialistë të fushës së arkeologjisë mund të gjejnë ende gjurmë dhe mund t’i bien në të, se cilës periudhe i përket ky vendbanim i lashtë.
I vetmi që është marrë me zbulime në këtë vend është specialisti Nuri Çuni, i cili në vitet ’80, në mënyrë vullnetare, kur ishte me punë në Potom ka bërë studime për Dunckën. Sipas tij dhe kolegëve të tij arkeologë, Duncka ka qenë e banuar në shekullin e 4-t p.e.s, dmth, në periudhën e hekurit, ndërsa gjetjet arkeologjike në Qafë, dy çekanë bronzi, i përkasin shekullit të 7-të p.e.s., dmth, periudhës së bronzit.
Për historinë e mëvonshme të fshatit ka shumë pak dokumente, i vetmi dokument i vjetër është regjistri osman i vitit 1431, në të cilin thuhet se Qafa (Ishkifti) kishte10 shtëpi, 1 vejushë (shtëpi pa burra) dhe 772 akçe si të ardhura vjetore. Ndërsa në një regjistrim tjetër zyrtar të çerekshekullit XX, atë të vitit 1920, del se fshati kishte 15 ekonomi (shtëpi). Edhe me kujtimet e pleqve nuk shkon dot më tej veçse në mënyrë të mjegullt nga koha e Ali Pashë Tepelenës e këtej, ndërsa për atë që fshati ka qenë i krishterë e dëshmojnë siç përmendëm më sipër kishat në Dunckë e rreth saj, por edhe disa toponime si Ara e Nikollit, Luadhi Gjinit, Veshti i Selagjinit, Ara e Brajkut etj.
Me që jemi te toponimet, është interesant fakti që një pylli të madh me disa lëndina në mes, që duken qartë që dikur kanë qenë ara, përballë fshatit nga juglindja, i thonë Skrapare, por askush deri tani nuk ka bërë ndonjë lidhje ose shpjegim nëse ka të bëjë apo jo me emrin e Skraparit si rreth.
Fshati ka qenë me banorë autoktonë, por nuk përjashtohen edhe familje të ardhura nga Labëria, siç thoshin pleqtë, ndoshta shumë më herët se koha e Ali Pashë Tepelenës, pasi po të ishin të asaj kohe do të mbahej mend ndonjë e dhënë që do të ish transmetuar nga brezat deri në ditët e sotme.
Për më vonë kam dëgjuar që shumë bashkëfshatarë kanë rrahur kurbetin, më shumë Selanikun, ndërsa të tjerët merreshin me bujqësi dhe veçanërisht blegtori, mbarështonin më shumë dhi, pasi për to kishte hapësira të mëdha kullote. Aq e vërtetë është kjo, sa nofka e familjes sonë ishte Xharo, e vënë për shkak të zileve e këmborëve, që bënin xhërr-xhërr ditë e natë.
***
Meqënëse ra fjala e kurbetit, kam qejf të tregoj një histori interesante të një bashkëfshatarit tonë që kishte qenë në Stamboll, Sabri Mekollari e quanin. E kam arritur edhe unë, dhe mbaj mend se desh e bënë kulak, pasi nuk donte të hynte në kooperativë.
Sabriu ishte burrë shumë i mençur. Ishte shtëpi që hahej buka. Miq e udhëtarë që i zinte nata ktheheshin te ai. Ishte e vetmja shtëpi në fshat që kishte odë me tavan. Ne vinim shpesh atje për të parë tigrin, që ai kishte vënë në murin përballë derës. Një sixhade e bukur me një figurë orgjinale, që trembte çdo njeri që hynte në atë dhomë, pasi me atë gjuhën flakë të kuqe dhe dhëmbët e bardhë rrezëllitësh, ngjante si i gjallë.
Kur kishte ardhur Sabriu nga Stambolli, i gjithë fshati ishte mbledhur në shtëpinë e tij atë darkë. Ishin llafosur gjatë e gjërë, i kishin thënë se kush ishte martuar, kush kishte lindur, kush kishte shkuar nizam dhe kush kishte vdekur.
Nga ana tjetër edhe ai u kishte treguar për Stambollin, për kurbetin, për shokët e miqtë e tij atje etj. Pastaj kishte kërkuar t’i sillnin aty plaçkat që kishte sjellë, mes të cilëve ishte një gramafon. Pasi e kishte kurdisur këtë kuti magjike, prej asaj gjëmoi një melodi e bukur sazesh. Ishin Sazet e Leskovikut, dhe ajo që këndonte quhej Afesa, një këngëtare më nam në të gjithë perandorinë turke, u kishte thënë Sabriu bashkëfshatrëve.
Ata kishin hapur sytë e gojën naaa dhe ishin habitur se ku ishin futur ata njerëz e nga dilte ai zë që ta bënte shpirtin behar.
Sabriu shikonte e qeshte pa të keq. Kështu i kishte ndodhur edhe atij kur e kishte parë për herë të parë atë vegël. Nuk e kishte menduar dy herë, e kishte blerë menjëherë, sido që shumë shtrenjtë.
“E dija se do të vinit, u mendova ju, ndaj e mora, tha ai si i dalë nga një ëndërr, të kënaqemi darkave”.
Pastaj ai kërkoi t’i sillnin plaçkat e tjera që ishin, një kofin (kosh) me thupra bambuje që nxinte brenda plot 120 okë dhe një samar hamalli me rripa (unë kam parë të tillë samarësh më vonë që i mbanin hamejtë e Gjirokastrës/Z.H).
“I shikoni këto, u kishte thënë ai bashkëfshatarëve, këto kam mbajtur në kurriz gjithë ditën rrugëve të Stambollit. Shisja lakra. Ky ka qenë kurbeti im. Ky është kurbeti për këdo që shkon andej. Kush të dojë, le të shkojë, si gomari do të ngarkohet”!...Dhe nuk kishte folur më.
***
Nga ana ekonomike të parët e familjes sonë duket se kanë qenë relativisht mirë. Kanë pasur rreth 100 dynymë tokë dhe një sipërfaqe të konsiderueshme korijesh dushku dhe pyjesh. Shtëpitë kanë qenë dykatëshe, të punuara me gurë të skalitur dhe të ndara disi nga lagjet e tjera të fshatit, të vendosura pranë tokës. Shtëpitë tona, sidomos qoshet, i kishin të ndërtuara me gur të zi, jo të jeshil, por bezhë, si shtuf, i cili nuk gjendet në Qafë. S’dihet nga është marrë. Është e çuditshme, por ku erdhën disa italianë me Sazanin, vëllanë tim, për të parë gurë të ndryshëm, ata kishin pëlqyer pikërisht atë lloj guri që janë edhe qoshet e shtëpive tona, çka të çon në atë që ndërtuesit kanë qenë me të vërtetë specialistë dhe njohës të mirë të cilësisë së gurit.
Këto shtëpi janë djegur në 1914-ën nga greku. Veç gjyshit tonë, Rushanit, i cili u kthye nga ku shkuan atëherë muhaxhirë dhe ndërtoi një shtëpi sidokudo mbi gërmadhat e shtëpive të vjetra, pjesëtarët e tjerë të familjes, Vezirja me djemtë, Myrton, Rexhepin dhe Arifin qëndruan në Berat. Atje ata ndërtuan shtëpi, blenë prona, toka, dyqane, hane. Ishin njerëz punëtorë dhe të zotë. Ata në Berat ishin mbështetje për të gjithë fshatin kur shkonin për pazare apo kishin ndonjë nevojë.
Ne, si familje, para çlirimit, si një gjak që kemi qenë, jemi bërë shumë me ta. Venim e vinim. Mytoja, vëllai i madh i vëllezërve Qafa, megjithëse kishte ndihmuar shumë Lëvizjen Nacionalçlirimtare materialisht, por edhe kish nxjerrë si oficer xhandarmërie shumë komunistë nga burgu, u dënua me burg se kish bashkëpunuar me Xhelal Staraveckën. Babai ynë ishte komunist, kështu që në regjimin komunist për 50 vjet me radhë u ndamë. Emiri, djali i Myrtos, mësues në Skrapar për një kohë të gjatë, njeri inteligjent dhe me vlera, në periudhën e demokracisë bëri përpjekje për të ndrequr atë që ishte prishur, erdhi me një grup pasardhësish të kësaj familjeje të njohur në Berat, në Qafë, më pas shkuam ne për disa sebepe që ata patën. Por Emiri i shkretë, që ishte rregullator dhe i dinte lidhjet, vdiq papritur, dhe ne, tani të larguar shumë, pak ose aspak bëhemi dhe dimë për njëri-tjetrin.
Edhe familjet e tjera pësuan të njëjtin fat në ’14-ën, fshati u dogj i tëri, një pjesë qëndruan në Berat dhe një pjesë u rikthyen dhe filluan jetën dhe gjënë nga e para. Në përgjithësi të gjithë ishin të varfër, por mbanin me hua njëri-tjetrin. Mbaj mend se kur vinte ndonjëri nga pazari i Korçës ai Beratit ose edhe nga mulliri, thasët zbrazeshin brenda ditës nga që ndahej sahanë-sahanë. Me unitet e vëllazëri, ndryshe nuk përballohej ajo jetë aq e vështirë. E mira apo e keqja përballohej fshatshe.
***
Në dasma merrte pjesë i gjithë fshati. Muhabeti bëhej i mirë, megjithëse me dolli të rënda, mikun e ruanin dhe e respektonin, unë nuk mbaj mend të jetë bërë ndonjë sherr te ne, siç ndodhte rëndom në atë kohë. Megjithatë kur duhej, ata burra të tregonin vendin.
Qarkullon edhe sot një anekdotë, kur një palë krushq nga Qafa shkuan diku me një fshat për të marrë një nuse. Për t’i provokuar si do të reagonin, ose ndoshta gratë në kuzhinë ishin nisur për mirë dhe s’e kishin vlerësuar se do të merrej për ters, u shtrojnë krushqve në sofër si ëmbëlsirë edhe bakllava edhe revani. Kjo u mor për ofendim, dhe i pari i krushqve, pasi këndoi këngën, vargjet e së cilës i krijoi aty për aty: ”Qafalli, o qafalli,/ Bakllava e revani,/ Bakllvaja melazëm (mirë),/ Revania vajti dëm,/ Që kur të bëra mik ty qen”; përmbysi sofrën, nxori armën nga brezi dhe kërkoi t’i nxirrnin nusen.
Me dashje pa dashje nusja u mor dhe më pas muhabeti u gjet, u sqarua keqkuptimi.
***
Luftën e Parë Botërore fshati ynë e ka përjetuar rëndshëm, pasi veç grekut, që e dogji fshatin dhe njerëzit shkuan muhaxhirë në Berat, aty ishte vija e frontit të luftës midis grekëve dhe austriakëve.
Në Luftën e Vlorës të vitit 1920 kanë marrë pjesë gjyshi ynë, Rushani; File Hysko dhe Sulejman Veizaj (Qafa). Më pas Sulejmani ka patur një veprimtari të spikatur patriotike. Ai ka qenë nëpunës i Zogut dhe njëkohësisht kundërshtar i tij. Ka marrë pjesë në Revolucionin e Nolit në vitin 1924 dhe në Kryengritjen e Fierit të vitit 1935. Vëllai i Sulejmanit, Dervish Rexhepi, me iniciativën e tij mobilizoi fshatarët e fshatrave Gërmenj, Visockë, Osojë, Polenë dhe Qafë dhe ndërtoi në vitin 1936 shkollën fillore të Qafës, një godinë shumë të mirë për kohën.
Fshati ynë, Qafa ka qenë shesh lufte gjatë Luftës Nacionalçlirimtare. Që nga Moçalet, Gorricanbreku, Qilizma jonë, Stanet e deri në Galia në Luftën Italo-Greke është zhvilluar një betejë e madhe me shumë të vrarë nga të dy palët. Dëshmi e kësaj lufte ishin gëzhojat ku kishin qenë vendosur mitralozat dhe varret te Stanet. Po kështu gjatë Luftës Nacionalçlirimtare në Galina janë zhvilluar edhe dy beteja të tjera të mëdha me forcat nazifashiste.
Çlirimi e gjeti fshatin tonë, krahas varfërisë, por edhe të dërrmuar dhe të tronditur nga Lufta, shenjat e së cilës i kam hasur edhe unë. Pas çlirimit fshati ynë ka pasur 17 shtëpi: Ramadani, Zaimi, Safeti, Sabriu, Minia, Sulejmani, Veizi, Hysniu, Tahiri, Rushani, Abazi, Ahmeti, Demiri, Hakiu, Mukja, Slimja, Xhelua.
Nuk u kthyen më në fshat pasi mbaroi Lufta, por, ose u veshën ose qëndruan me punë në qytete të ndryshme, Hatem Myrtollari, Veli Mekollari, Mehmet Mekollari, Petrit Veizaj, Mino Veizaj, Mehdi Hoxha, Nuri Softa, Tahir Hyska, Kadri Hyska e shumë të tjerë.
Aty nga viti 1957-58, kur u formua kooperativa bujqësore, u larguan, disa familje në Sukth të Durrësit dhe disa të tjerë në Kamzë të Tiranës. Kështu ikën familjarisht Mehmeti i Sulejmanit; Veizi me djemtë, Novruzin, Hasanin, Avniun, Bukurien, Xhemalin; Hysniu me djemtë, Hysenin dhe Isufin; Tahiri me Faikun dhe Asllanin; Bazja; Myslimi me djemtë, Myftarin, Muçon dhe Bidon; Hakiu me të vëllezërit, Qemalin, Faredinin, Rafetin; Mukja; Dulja me djemtë.
Më pas nuk u kthyen pasi mbaruan ushtrinë djemtë e Xhelos, kurse një pjesë shkuan me punë si djemtë e Sabriut në Poliçan, unë e Bajram Myrtollari në Çorovodë etj.
Në vitin 1990 në Qafë ishin këto shtëpi: Qamil Myrtollari, Hamza Myrtollari, Safet Myrtollari, Kamber Mekollari, Skënder Veizaj, Xhaferr Veizaj, Arshin Myrtollari, Ismail Hoxha, Agush Ibrahimi, Gani Ibrahimi, Neshat e Bajram Hyska, Ali Hyska (Refikua), Xhemal Pepa (ardhur nga Suku), Shabani (ardhur nga Suku), Muhamet Gërmenji (ardhur nga Suku), Lulo Gërmenji (ardhur nga Suku), Elmaz Gërmenji (ardhur nga Suku), Bajram Gërmenji (ardhur nga Suku).
Sot në Qafë janë vetëm 6 shtëpi, edhe ata të ardhur nga fshatrat e tjerë.
***
Ne, por edhe fëmijë tanë kanë mall për Qafën, pasi atje na janë përgjakur kërcinjtë nga ferrat, kemi një pjesë të zemrës tonë. Po ku të vesh dhe çfarë të gjesh?! Më kanë thënë se s’ka më gardhe, s’ka më mure, ferrat kanë harlisur mbi shtëpi e kasolle. Të dhemb koka kur dëgjon kështu. Vjet ishim me pushime në Skrapar, Lavdia, ime shoqe, mu lut të ngjiteshim një copë herë në Qafë, por unë s’desha. Kur ka qenë rasti, për ndonjë mikun tim të mirë që ka vdekur, nuk kam dashur ta shoh xhenaze. Kam dashur ta mbaj mend ashtu siç ka qenë të gjallë, të bukur, jetësor. Kështu edhe Qafën, fshatin tonë, zemrën tonë, më mirë ta mbaj mend ashtu siç ka qenë në kujtime, se sa ta shoh si xhenaze!...
Nofkat dhe aforizmat e dikurshme miqësore, këta të rinjtë s’i dinë fare. Dhe kanë të drejtë, në Qafë s’ka më “okërrxhinj” se okërrit ka 30 vjet që i ka humbur fara. Do ta paguaja me çdo çmim atë që do të më gjente një grusht farë a një kalli okërri ta mbaja si kujtim. Besoj se shumica ëe lexuesve nuk e dinë se çfarë është okrri, ndaj më duhet ta sqaroj: Është një bimë si tërshëra që përdorej si tagji për blegtorinë, ndërsa kashta përdorej për të mbuluar kasollet (plevicat). Okrri bëhej edhe në toka të varfëra. Çuditërisht në fshatin tonë ai mbillej në masë dhe ishte tregues varfërie, ndaj dhe na kishin vënë nofkën “okërrxhi”.
***
Një vit më parë, në maj, me një grup miqsh sihim në Kërçovë të Maqedonisë. Duke u ngjitur për në Jagoll, nga makina, drejtori shkollës të këtij fshati, Ismet Selimi më tregon fshtrat me radhë në shpat të malit të Ujëmirit. Përmend dhe një fshat me emrin Qafë, njësoj si fshati im në Skrapar.
Të them të drejtën, m’u bë qejfi që paska edhe një Qafë këtu, se një tjetër fshat Qafë e dija, që është edhe sot në krahinën e Sulit, në Mesollongj.
“Si, Qafë?- e pyes edhe një herë për t’u siguruar.
“Qafë, më thotë, pse”?
“Po dhe fshati im quhet Qafë”! – i them.
Zbrita nga makina për ta kundruar më mirë:
Çudi, i ngjante shumë fshatit tim, Qafës time, nga lartësia mbi nivelin e detit, nga ekspozicioni në drejtim të jugut, nga livadhet dhe gjelbërimi. Më thanë se Qafa është fshati më i bukur dhe më turistik, i tërë zonës së Kërçovës, ashtu si dhe Qafa ime, që është me resurse më të shumta turistike se të gjitha fshatrate e zonës së Potomit në Skrapar.
Por Qafa e Kërçovës, siç mësova më vonë nga bashkëbiseduesi, kishte ngashmëri edhe nga historia. Veçse historia e Qafës së Kërçovës ishte më e dhimbshme: Qafa e Kërçovës ishte djegur nga serbët në 1913-ën; ndërsa Qafa ime nga greku një vit më vonë, në 1914-ën.
Ndërsa banorët e fshatit tim braktisën fshatin dhe shkuan në Ullishtet e Beratit dhe të Vlorës dhe u kthyen më vonë përsëri në fshat kur iku greku; atyre të Qafës së Kërçovës sërbi iu bë rrësk te dera tërë jetën.
Ndërsa nga Qafa ime atë vit u vranë nga armiku apo vdiqën nga sëmundjet mbi 20 shpirt; në Qafën e Kërçovës është bërë batërdia, është vrarë tërë fshati, burra, gra dhe fëmijë.
Ndërsa Qafa ime episodet e heroike të luftës ndaj grekut i ka “me torbë”, Qafa e Kërçovës këto episode i ka “me thasë”, i ka më heroike, më të dhimbshme dhe më proverbiale.
Mjafton të përmendësh vetëm njërën prej tyre, atë të Sulltanës së Qafës. Ndërsa serbët nxirrnin nga shtëpia-burg banorët e fshatit dhe i thernin si shqerrat, Sulltana merr gërshërët e dhenve, del në oborr dhe vret të parin, komandantin, pastaj dy shokët e tij. U merr pushkën nga dora, por nuk di ta përdorë. Ushtarët ikin të lemerisur, ndërsa njëri nga ata, nga distanca e godet me një plumb dhe e vret. Në këtë rrëmujë, hapet dera burg dhe njerëzit shkojnë në pyll për t’u fshehur, por ushtria sërbe i zbuloi më vonë dhe i vranë të gjithë.Kanë shpëtuar vetëm ata që nuk kanë ndodhur për momentin aty.
Tani në Qafë lartësohet një përmendore që përjetëson aktin heroik të Sulltana Qafës, por që shërbën edhe si dëshmi historike, jo i jetesës së shqiptarëve, por i mbijetesës së tyre, edhe pse në trojet e veta amtare.
***
Sidoqoftë, të trija Qafa-t janë atje ku janë. Ato nuk i lidh vetëm emri, por edhe historia. Të trija sot janë pothuajse të shkreta. Me më shumë të vdekur në varre se sa të gjallë në arat, krojet dhe korijet e tyre. Ato janë atje, por dhe në mendjen dhe zemrën e pinjollëve të dalë nga gjiri i tyre, si dhe unë. Jataku i ëndrrave tona është atje. Atyre u pikon dhimbja e braktisjes, mua më pikon malli. Kush e dëgjon këngën e qyqes? Për kë kullojnë krojet? Ai blerim mahnitës, si prehër nëne, kërkon zërat e fëmijëve!