Ish-futbollisti i njohur i ekipit të Partizanit, më 20 qershor,
mbushi 65 -vjeç dhe u përball me një surprizë nga miqtë, kolegët sportistë,
trajnerë e ushtarakë, të cilët u mblodhë në një takim e drekë të
veçantë, për t'a uruar për ditëlindjen dhe për kontributin që ai ka
dhënë me ekipin e futboll-klub “Partizani” dhe jo vetëm por edhe si trajner, me disa
ekipe të vendit, veçanërisht me ekipin e “5 shtatorit” të Skraparit,
vendlindjes së tij.
“E nëse
vlerësohet se unë kam dhënë diçka si sportist e trajner me ekipin e
“Partizanit” dhe ekipe të tjera, me ekipin e vendlindjes sime, gjithçka
ja dedikoj të madhit të futbollit, ikonës Loro Boriçi. Ai më përzgjodhi
si talent, më ofroi që skënderbegas me ekipin ëndrrave të mia
“Partizanin”, ai më stërviti e mësoi të jap maksimumin si futbollist e
si trajner më vonë” – u shpreh mes të tjerave për gazetën “Telegraf”
Luftar Guri.
Në intervistën e dhënë, (të cilën mund t'a lexoni në versionin origjinal në Gazetën Telegraf duke klikuar këtu), ndër të tjera, përveç futbollit, ai na
flet me pasion dhe për jetën e tij si pedagog në Akademinë Ushtarake,
për kolegët, për brezat e studentëve dhe studenteve që ai ka përgatitur.
Luftar, urime për ditëlindjen!Si ndjeheni me këtë status të ri?
Luftar Guri:
Faleminderit për urimin, së pari. Së dyti, sa për statusin e pensionistit, megjithëse më duket se pensioni ka ardhur shpejt, (buzëqesh), jeta bën të sajën e duhet ta pranojmë se s’ka rrugë tjetër. Nëse do të përmblidhja jetën time në pak fjalë mund të thosha: Jam krenar dhe i lumtur, pasi jam përpjekur të bëj më të mirën, si sportist, si trajner, si pedagog, si familjar. Këtë e kam parë në çdo hap të jetës, e shikoj dhe sot që jam zbardhur, kur më flasin, më duan më respektojnë kudo që shkoj apo këdo që takoj. Sigurisht, në atë që kam arritur, kanë meritën e tyre dhe bashkëshortja Idërsha e dy fëmijët, djali e vajza, të cilëve dhe ndonjë borxh u kam, pasi u kam munguar shpesh, nuk kam qenë mes tyre për shkak të angazhimeve. Kjo është lumturia më e madhe që të jep jeta, pasi dihet, në këtë botë ne jemi pasagjerë dhe stacioni i fundit vjen më shpejt se sa e mendojmë.
Kujtim Boriçi:
Të kthehemi tek futbolli, në përmbushjen e karrierës si sportist e si trajner…
Luftar Guri:
Dua të them që në fillim se, nëse vlerësohet se unë kam dhënë diçka si sportist e trajner me ekipin e “Partizanit” dhe ekipe të tjera, me ekipin e vendlindjes sime, gjithçka ja dedikoj të madhit të futbollit, ikonës Loro Boriçi. Ai më përzgjodhi si talent, më ofroi që skënderbegas me ekipin ëndrrave të mia “Partizanin”, ai më stërviti e mësoi të jap maksimumin si futbollist e si trajner më vonë…
Hapat e parë lidhen me vendlindjen tënde, në Skrapar apo?
Luftar Guri:
Po, në vendlindjen time, në Skraparin e mrekullueshëm. Kam filluar të luaj futboll me ekipin e moshave që në moshën 13 -vjeç, në vitin 1968. Kam luajtur dy vjet këtu, ku kujtoj me respektin më të madh trajnerin, Abaz,Beqollari. ,Futbolli atë kohë i jepte jetë atij qyteti, dhe ndeshjet ishin festë e vërtetë, ku merrnin pjesë i madh dhe i vogël. Por kur nuk kisha mbushur 15 -vjeç, largohem nga ky qytet për në Tiranë, pasi më kishte dalë bursa për në Shkollën e Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej”. Bashkë me dëshirën për të arritur rezultate shumë të mira në mësime e të ndiqja karrierën e bukur të oficerit aktiv, mbartja në zemër dhe ëndrrën për të ndjekur pasionin tim, futbollin, pasi Tirana do më jepte mundësi të tjera, e unë vetëm duhet të punoja. Pse ta fsheh, kisha dëgjuar se në këtë shkollë kishin përparësi sportet, se aty punonin legjendat e futbollit të “Partizanit” dhe të ekipit kombëtar e, unë dëshiroja të provoja veten…
Kujtim Boriçi:Kështu, me ardhjen në Tiranë, “zgjate duart” tek “Partizani”?
Luftar Guri:
Shpejt do ndodhte kjo. Në shkollën “Skënderbej” vajta në shtator të vitit 1974. Që në ditët e para provohem në ekipin e shkollës dhe menjëherë bëhem lojtar i këtij formacioni. Zhvilloheshin aktivitete të shumta atë kohë, në Tiranë dhe kombëtare. Kujtoj dhe shokët e mi Agim Bedini, ArjanShore, etj, me të cilët shumë shpejt u bëmë dhe anëtarë të ekipit të të rinjve të “Partizanit”. Kjo shkollë, siç e përmenda, kjo shkollë ka qenë filial i “Partizanit” dhe ekipi i të rinjve, kishte pothuaj lojtarë nxënës të kësaj shkolle. Ka qenë një periudhë kur ekipi ynë i të rinjve të “Partizanit”, ka shkëlqyer. Në vitin 1976, kalojmë njëherazi me Hajro Leskën dhe Agim Bedinin tek ekipi i parë i “Partizanit”. Kisha arritur ëndrrën time. Trajnerë kishim të madhin Loro Boriçi dhe Ilia Shuken. Kam luajtur përkrah futbollistëve-ikona të kohës në këtë ekip si, Ilir Lamen, Feim Brecën, Astrit Ziun etj. Por sigurisht, mosha, angazhimet në karrierën ushtarake si pedagog dhe dëmtimet, sollën dhe momentin e ndarjes nga fusha e blertë si futbollist, por jo nga futbolli, duke u kualifikuar dhe ushtruar detyrën e trajnerit…
Kujtim Boriçi:Diçka nga karriera juaj si trajner?
Luftar Guri:
Bëra disa kualifikime për të arritur licencat zyrtare në këtë sport. Në këtë udhë, fitova licencën “Pro-A”, që është dhe më e larta për trajnerët në Shqipëri. Sigurisht, kam ushtruar më pas aktivitetin e trajnerit në disa ekipe. Kështu, bashkë me Sotir Seferin kemi drejtuar ekipin “U-23”, ekipin e futbollit “Arbëri” të Tiranës, për disa vite etj… Mund, preokupim maksimal, rezultate dhe kënaqësi më ka dhënë puna si trajner i ekipit “5 shtatori”, ekipit të vendlindjes sime.
Kujtim Boriçi:
Më konkretisht, për kohën dhe rezultatet, kur keni drejtuar ekipin “5 shtatori” të Skraparit?
Luftar Guri:
Drejtimin e këtij ekipi e mora në vitin 2007, që në fakt ishte një
kohë e vështirë. Ishin një grup djemsh pasionantë, por që duhej shumë
punë në të gjitha aspektet, në përgatitjen fizike, në atë teknike e
psikologjike për të arritur rezultate. Kur e mora drejtimin e ekipit
“5 shtatori”, ekipi ishte në kategorinë e tretë. Me këmbëngulje, punë
të palodhur dhe me mbështetjen e strukturave shtetërore lokale e
kryesisht sportdashësve të zjarrtë vendin, ia arritëm që nga kategoria e
tretë, të vinin në kategorinë e parë. Ishte një sukses i dëshiruar ky.
Kujtoj lojtarët e mrekullueshëm Vilson, Çaushi, Mario Bytyçi, (portier
që luan edhe sot), Redi Haka, Isidor Sekseri, (luan sot në Itali), Andi
Lame (djali i Ilir Lames) etj, të cilëve u kërkoj ndjesë që nuk po u
përmend emrat.
Pohuat se për sukseset dhe karrierën tuaj në futboll, falënderoni të madhin Loro Boriçi?
Luftar Guri:
Po. E them me plot gojën që unë kam pasur fatin të punoj me tri “kapelet e arta” të futbollit shqiptar, me të mëdhenjtë Refik Resmja, Panajot Pano dhe Loro Boriçi. Dhe ky është privilegj i madh. Falenderime nga zemra për këta mjeshtra të papërsëritshëm të sportit shqiptar.
Ilir Konduri - futbollist, Angli:
"Për profesor Luftar Gurin, unë dhe brezi im ruajmë respektin më të madh, si trajner i aftë, tejet i përgatitur dhe mbi të gjitha një njeri që e njihte mirë futbollin dhe dinte të të vinte në punë, të përgatiste në mënyrë cilësore. Unë karrierën time ia dedikoj pikërisht trajnerit Guri, të cilit i jam shumë mirënjohës!"
Urim për Luftarin, në 65-vjetor!
I dashur shoku e miku ynë Luftar Guri! Të urojmë nga zemra: “Gëzuar 65-vjetorin”, jetë të gjatë, shëndet, gëzim e lumturi në familjen tuaj. Ju keni qenë e mbeteni sportisti i palodhur, trajneri i përkushtuar, pedagogu i aftë, intelektuali me interesa të gjera, e njeriu model. Këto cilësi, u kanë bërë që të shkëlqeni e të zini një vend me dinjitet në fushën e lojës dhe në jetë. E kështu do të mbeteni, pasi me vullnetin e palëkundur, ju nuk u dorëzuat dhe në ato momente kritike përballë sëmundjes së rëndë.
Familja juaj, ne shokët e miqtë, ndjehemi krenarë me një shok të tillë si ju!
Dhe një herë, urime pa fund!
Bardhyl Kollçaku, Maksim Fejzulla, Ramazan Zelia, Arben
Prusta, Artan Stroka, Agim Bedini, Edmond Shahollari, Rasim Boriçi,
Tomorr Lamçe, Luan Lamaj, Agim Duro, Gjergji Binaj, Shaqir Zhama etj.