Dr.Luftim Ylli - Arkeologu i palodhur i Skraparit **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Dr.Luftim Ylli - Arkeologu i palodhur i Skraparit

Fatjon Kaloci
4.6.21

Studimet e tij në fushën e arkeologjisë për zonën e Skraparit, mbeten ende ndër busullat e vetme të orientimit për lexuesin. Emri i tij mbetet ende i rrallë dhe konsiderohet si “arkeologu i vetëm” i Skraparit. Në Skraparin e ditëve të sotme, kur flitet për gjetjet e pasura arkeologjike të zonës sonë, kryesisht tek brezi i ri dominon një informacion sipërfaqësor, përgjithësisht i ardhur përmes rrëfimeve dhe të thënave sesa përmes thellimit të njohurive përmes leximit. Dhe nëse kureshtja juaj e thellimit të njohurive në këtë fushë, është e madhe, sygjerimi i CorovodaOnline shkon patjetër tek një emër, Luftim Ylli. Ai lindi në vitin 1944 në Leshnje, Skrapar ku edhe kreu edukimin fillor. Në Beratin fqinj, ai do të ndiqte studimet në shkollën e mesme pedagogjike. Në vitin 1970’të, do të diplomohej në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë për degën Histori-Gjeografi. Mësuesi, siç do t’a thërrisnin më pas sa e sa breza nxënësish, për 35 vite ( nga 1971 deri në 2003) do të ishte kontribues aktiv në arsimin vendas. Fillimisht, ai ishte një bashkëpunëtor i jashtëm i Qëndrës së Kërkimeve Arkeologjike dhe drejtoi disa gërmime arkeologjike të rëndësishme në Skrapar ku përmendim gërmimet në qëndrat prehistorike Vlushë (1980 dhe 1990), Liqedh (1975), Selan (1987 dhe 1988) po ashtu edhe në zbulimet e rralla të Qëndrave Ilire të Antikitetit në Prishtë (1973 dhe 1975), në Kuç (1989) dhe në Leshnje (1971). Po në këtë periudhë ai do të bëhej anëtar i Këshillit Shkencor të Qëndrës së Kërkimeve Arkeologjike në Shqipëri. Në vitin 1994 do të merrte gradën doktor me temën “Këndvështrimi Arkeologjik i kulturës prehistorike dhe antike ilire në zonën e Skraparit”. I vlerësuar me disa tituj dhe publikues i materialeve të ndryshme të aktivitetit shkencor ku përmenden botimet në revistat e kohës si “Studia Albanica”, “Iliria” etj. Pak kohë më parë, botimi i tij “The evidence on Human Evolution” “Provat mbi evolucionin njerëzor” zgjoi interes të madh tek lexuesi. Është në fakt e vështirë, të përzgjedhësh materiale nga puna e palodhur e dr.Luftimit. Kjo sepse, çdo gërmë, çdo fjalë ka një rëndësi shumë të madhe që vjen si rezultat i një pune të palodhur ndër vite.Ne zgjodhëm kështu, modestisht përmes këtij shkrimi të shprehim mirënjohjen e madhe e mbase të pathënë ende ashtu siç duhet ndaj tij, që gjithë jetën i'a ka dedikuar Skraparit. E ndërsa brezat i lënë radhën njëri-tjetrit, puna e palodhur e tij dhe emri i tij do të kenë ndër shekuj një vend unik, për arkeologun Luftim Ylli!