Një shkrim nga Zylyftar Hoxha
Ka shumë tregime e legjenda për të, disa të vërteta dhe disa të pavërteta. Herë-herë ai paraqitet si një çetar kryengritës, si mbrojtës i njerëzve të varfër nga administrata ushtarake turke; herë-herë si hajdut ordiner i karvaneve tregtare të rrugëve kryesore të Jugut; herë-herë si shpëtimtar i njerëzve të pambrojtur nga hasmëritë dhe padrejtësitë, herë-herë si aventurier pa pikën e moralit, si vrasës me pagesë; herë-herë si frymëzues e hero romanesh, herë-herë sa s’të bën dora të shkruash ngjarjet e tij të papërfytyrueshme.
Veprimtaria e tij fillon në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të, aty nga vitet 1870. Për 25 vjet me radhë, me çetën e tij prej 40-50 vetësh, u end maleve të Skraparit, Përmetit, Kolonjës, Korçës, Voskopojës, Verçës, Sulovës dhe Beratit. Tmerri i autoriteteve turke e postkomandave të tyre. Madje sa qe gjallë ai ato nuk kryenin dot asnjë funksion në këto zona, kishin dalë pothuajse jashtë loje. Dhe ligjin e bënte Shashua komiti.
Ka një gjë të përbashkët në të gjitha historitë që tregohen për të, morali: atij që s’i kishte borxh, nuk i a bënte borxh kurrë. Thonë se s’dinte gjuhë tjetër veç gjuhës së pushkës. Por ai kishte kohë të mjaftueshme t’i mendonte e t’i kthjellonte gjërat, natyrisht sipas kodit kaçak. Herën e parë ai ulej e bisedonte, linte hapësirë për zgjidhje, në qoftë se kjo s’bëhej, të dytën të paralajmëronte pasojat, ndërsa të tretën, s’ta falte, bënte atë që i thoshte mendja. Dhe mos harrojmë se ajo ishte një mendje kaçaku, që s’i kishte rënë kurrë brinja në dyshek.
Nuk kemi marrë përsipër ta zbërthejmë deri në fund këtë figurë kaq komplekse dhe kontradiktore, pasi është një kohë e gjatë, mbi një shekull, që ka kaluar dhe ndodhitë janë shformuar, janë zmadhuar apo dhe janë harruar. Aq më tepër, që për të ka fare pak dokumente, për të mos thënë fare.
I vetmi dokument, po ta quajmë kështu, është libri i Eqerem Bej Vlorës, botuar në Sarajevë në 1911, që mban titullin “Ditar-Nga Berati në Tomorr”, ku jo pa një farë simpatie portretizohet “heroi i pyjeve”, Shasho Gjergjova. Le të lëmë jashtë hamendjet tona dhe të marrim të mirëqena ato që thotë Beu i nderuar, një nga figurat më të shquara të kulturës shqiptare dhe pastaj të nxjerrim përfundime.
Në faqen 156 të librit Eqerem Bej Vlora shkruan:
“Pranë vendit të quajtur Tërrovë, më treguan shtegun ku para dhjetë vjetve, kapedani i famshëm i komitave, Shasho Gjergjova me shtatë shokë, kishte çarë rrethimin e 200 ushtarëve. Edhe sot e kësaj dite shokët dhe pasardhësit e këtij heroi të pyllit bredhin maleve, por “tani,- më tha me seriozitet dhe trishtim çaushi im, Hysniu, nip i Shashos, “zanati i vjetër e ka humbur shkëlqimin dhe është bërë i zakonshëm. Përse të bredhësh e të copëtohesh maleve, duke qënë se të njëjtën gjë mund ta bësh në shtëpi?” Dhe ruajtësi i ligjit filloi të mburrë me zjarr gjyshin e tij dhe i këndoi atij dhe sojit të tij këngë pas kënge”.
Dhe më poshtë vazhdon:
“Është një tabor, një postëroje, e cila kishte detyrë të siguronte këtë pjesë të rrugës Berat-Korçë. Nga e djathta e taborit dukeshin një mori grumbuj gurësh në formë piramide, përballë tyre dy pisha të stërlashtë, të vetmuara. Duke e ditur se në Shqipëri shenja të tilla kanë një kuptim tragjik, i kërkova shpjegime çaushit Hysni. Ai po kalëronte kokulur dhe i kredhur në mendime, sepse ai trishtohej dhe futej në të thella po qe se nuk i jepej mundësia të fliste, të këndonte, apo të na ngopte me gënjeshtra me ato historitë e tij plot vrasje. E tani ai shkëlqeu nga lumturia që iu dha rasti t’ia lëshonte frerin gjuhës në temën e tij të dashur. Po unë ia bëra sakaq të qartë se sot nuk isha në qejf për të dëgjuar përrallat e tij, të cilat ai i mbyllte zakonisht me fjalët:”na ishte dhe nuk na ishte.” Por ai ma ktheu me seriozitet:”Mos vafsha gjallë në shtëpi, zotëri, në pastë edhe një fjalë të pavërtetë në historinë që do të të tregoj,” dhe vazhdoi: “Shasho Gjergjova, për të cilin folëm sot, ka qenë një kapedan komitësh i famshëm dhe i drejtë, dhe unë bëj pjesë në familjen e tij – ne po e japim këtu këtë arsyetim gjenealogjik gjithmonë në versionin e Hysniut.- Ndër shokët e tij Shasho kishte dhe një djalë vllah, shumë trim, me emrin Sterjo, e ky Sterjo po vuante shumë nga dashuria, sepse prindët e vajzës, vllehë të pasur nga Voskopoja, nuk donin t’ia jepnin çupën një cubi. Shasho vendosi ta ndihmojë shokun. Ai u fut natën në shtëpinë e zemërkatilit, e rrëmbeu vajzën dhe ia solli shokut në kasolle. Po me të ikur Shasho, ky i fundit, duke mos dashur të shkonte kundër vullnetit të prindërve të vajzës, u dorëzohet autoriteteve në Korçë dhe pastaj vajza u kthye përsëri në shtëpinë e vet. Atëherë Shasho vendosi ta rregullojë njëherë e mirë këtë punë. Ai çoi fjalë në Voskopojë që të lirohet djali nga burgu, t’i kthehet atij e shoqja dhe për të gjithë telashet që u janë shkaktuar tu jepet edhe një shumë e madhe parash si shpërblim, ndryshe çifti i pleqve do të kishte të bënte me të. Urdhri i tij jo vetëm që nuk u vu në vend, por përkundër, u lajmëruan edhe autoritetet dhe vllahu, pa pyetur për kërcënimet e Shashos, vazhdoi të çonte karvane mallrash në Berat, por tanimë nën mbrojtjen e suvarive. Shashko priti deri sa vjehrri i shokut të tij erdhi me një karvan veçanërisht të pasur. Këtu, në këtë vend, zotëri, në të djathtë të grumbujve të gurëve,ai e sulmoi karvanin vetëm me dhjetë shokë, vrau 17 suvarinj dhe qiraxhinj, 8 mushka dhe mori me vete në mal plakun. Pastaj nxori fjalë se për ta liruar atë kërkon shokun e vet Sterjon, ende në burg, të fejuarën e tij si dhe 1000 florinj. Kushte u pranuan. Atje ku sot janë ata dy bredhat e lartë u bë dasmë e madhe për çiftin e ri, ku morën pjesë të gjithë miqtë, madje dhe ushtarët e taborit. Për kujtim të kësaj dite Shashko urdhëroi të priteshin të gjithë pemët, me përjashtim të këtyre dy bredhave. Kjo punë i dha Shashos nam të madh dhe miq të shumtë. Sterio me gjithë të shoqen, shumë mirënjohës, zbriti në fshatin e vet dhe jetoi atje i lumtur e me gjithë të mirat, e bëri edhe një tufë fëmijë. Çifti jeton ende, në mos pastë vdekur.”Me këtë formulë të zakonshme e përfundoi Hysniu historinë e tij. Dhe kur unë e falënderova për tregimin e bukur, ai shtoi plot gaz: “E shikon, zotëri, nuk ka sherr pa gruan, siç e thotë edhe fjala e urtë e popullit”.