Kahreman Ylli: “Vitet e mia të rinisë në Francë” **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Kahreman Ylli: “Vitet e mia të rinisë në Francë”

Fatjon Kaloci
16.8.21

Një shkrim nga Zylyfar Hoxha.

Para se të paraqes disa nga shënimet e Kahreman Yllit të mbajtura në vitet e rinisë, kryesisht në Francë, të cilat i kam gjetur të ruajtura me kujdes në arkivin e një prej të afërmve të familjes, kunatit të tij, Izet Dyrmishi, dua të shpreh mirënjohjen e thellë për këtë të fundit, për Izetin e paharruar, pasi më ka ndihmuar shumë jo vetëm në këtë rast, por edhe në shumë raste të tjera sme materiale dhe dokumente me vlera të rëndësishme historike. Kujtimet e Kahreman Yllit për vitet e para të rinisë së tij, vërtet nuk i kalojnë të 20 faqet, por në to, ashtu siç do ta shohë edhe vetë lexuesi më poshtë, gjen një pasqyrë të qartë të atyre viteve, informacione të shumanshme, ngjarje e data të përshkruara me ngjyra të gjalla, fraza të shkurtra, port ë plota, si dhe me një stil të rrjedhshëm letraro-publicistik.

Në Normalen e Elbasanit

Në fillim të shënimeve, Kahreman Ylli përmend jetën shkollore në Normalen e Elbasanit. Ai thotë se për disa vite me radhë ka qëndruar në familjen e mësuesit të kësaj shkolle, mikut familjar të Yllajve, Ali Myftiut. Në familjen e Myftiut unë trajtohesha mirë, shkruan ai, megjithëse ishte nje familje e varfër. Këtu bëheshin takime midis mësuesish. Nuk kishte ndonjë gjë të organizuar, por në përgjithësi bëhej një propagandë antizogiste. Nga Skrapari, dhe që takoheshim shpesh, ishin: Ismail Çelo, Izet Hysi, Tajar Grepcka si dhe Neshat Hysi, nënoficer ushtrie.

Në qershor 1935, pasi mbaruam maturën, siç ishte zakon, bëmë një udhëtim në jug të Shqipërisë dhe në Tiranë. Aty rastësisht takuam Riza Cerovën. Nuk na tha gjë për Lëvizjen e Fierit, por i hapur, i çiltër, na tha se Zogu i kishte propozuar një audiencë dhe ishte në dilemë ta pranonte apo jo, por më shumë anonte për ta pranuar dhe pastaj, me anë të saj, ta godiste. Rizai na befasoi, na elektrizoi dhe na futi në mendime- shkruan në kujtimet e tij Kahremani.

Mësues në Zaloshnje

Viti’35-’36 më bëri mësues në Zaloshnje, shkruan autori i këtyre shënimeve. Banoja në shtëpinë e Mahmut Zaloshnjes, mik i babait, patriot e luftëtar denbabaden, zemërmirë sa ai. Mahmuti ma lehtësoi shumë detyrën time fillestare, duke dhënë një panoramë tepër të vërtetë të fshatit, por edhe portrete të fshatarëve të veçantë, të një djali 9-vjeçar që, para se të vinte në shkollë, me një tas në dorë, u binte shtëpive me radhë për një grusht miell a bereqet, të një evgjitke me emrin Hamide, që shëronte të sëmurët me ilaçet e saj çudibërëse. Aq e madhe ishte injoranca e Hamidesë dhe e hallexhinjve, sa që kur Hamideja mori vesh se ishte një vegël që vendosej nën sqetull nga mjekët, dërgoi e bleu. Vinin fakirë nga e gjithë Tomorrica për të vënë atë vegël çudibërëse nën sqetull dhe kujtonin se shëroheshin. Hamideja as që e dinte se ajo vegël duhej lexuar.

Në Francë

Me interesimin e Ali Myftiut, njeriut që i kam shumë detyrime, në vitet 1936-1937 do të nisesha për studime në Francë, në Akademinë Pedagogjike të Lionit me pagesë, shkruan në kujtimet e tij, Kahreman Ylli. Me gjithë edukatën liberale të babait, pagesa në një farë mënyre ishte e rëndë. Por më ka ndihmuar xhaxahi im, Sakua, që merrej me blegtori, dhe ditën që u përcolla me të, më dha një porosi: “Bëj si di vetë, por me politikë mos u merr”! Sipas tij, pot ë merreshe me politikë, nuk do të merreshe me punë, jo për gjë tjetër!

Në tetor 1936, bashkë me Lirak Dodbibën, student i vjetër dhe që Ali Myftiu e kishte porositur të më kishte kujdes, u nisëm për në Bari. Ishte hera e parë që dilja jashtë shtetit. Në Bari, në kafe “Staporni”, ku rrinin shqiptarët takova Sheh Karbunarën, mikun e ngushtë të babait tim, Fanolist, Bahri Omarin, Qamil Çelën, Muharrem Vllamarin e shumë të tjerë që s’i njihja. Pas një rruge të gjatë me tren, që s’e njihja e ngatërrohesha nëpër stacione, arrita në Lion. Atje ishin 25-30 shqiptarë dhe disa familje, si ajo e Sokrat Nushit, i ati i Gogo Nushit, Ilia Jani dhe Jordan Shani, berberë nga Përmeti. Këta dhe Ymer Dëshnica, Dhori Samsuri, Kozma e Gogo Nushi bënin pjesë në grupin e gjuhës, por, të merrje pjesë në atë grup, duhet të ishe anëtar i Partisë Komuniste Franceze.


Me komunistët francezë

Kishte kaluar një muaj dhe unë u njoha me shumë shqiptarë, antizogistë, si Enver Sazani, Dhimitër Vangjeli, Dhori Mihali, Preng Kaçinari, Pandi Cici, Halim Budo, Koço Theodhosi, Niko Bello, Vasil Çomo etj. Një ditë në kafe “Dela Cycogne”, Ymer Dëshnica më prezanton me Ali Kelmendin, i cili më pyeti për gjendjen në Shqipëri, se kisha ardhur rishtaz. I thashë sa dija. Aliu ishte i shqetësuar sidomos për koncesionet hileqare të Italisë në Shqipëri dhe për organizimin e një lëvizje të madhe në këtë vend. Aty nga maji i vitit 1937, në dhomën time, Ymer Dëshnica, Dhori Samsuri dhe Dhimitër Shuteriqi më morën në “provim” se si e kuptoja unë komunizmin. Unë u thashë mendimet e mia. Që nga kjo ditë, më thanë, ti do të jesh komunist, anëtar i Partisë Komuniste Franceze. Bëja pjesë në një celulë ku kishte shumë punëtorë francezë dhe mbaja pseudonimin “Burlati”, vijon kujtimet e tij Kahreman Ylli.

Dështimi i një kryengritjeje

Në pranverën e vitit 1936 në shtypi francez njoftoi se në Shqipëri po përgatitej një kryengritje antizogiste, nën drejtimin e Et’hem Totos, ish-ministër i Brendshëm i Zogut. Fillimisht patëm besim se do të bëhej gjë, sepse ai e njihte mirë situatën. Teni dhe Hasimi (Voshi) ishin nisur që një ditë më parë në Spanjë, dërgojnë një letër urgjent dhe pyesnin në ishte e dobishme të ktheheshin në Shqipëri për të marrë pjesë në kryengritje. Por kryengritja e Totollarëve dështoi Brenda ditës. Teni dhe Hasimi shkuan në Spanjë për të mos u kthyer kurrë më.

Nga Lioni në Paris

Pas pushimeve të verës të vitit 1937, vijon tregimi, aty nga muaji tetor, kur u ktheva në Lion, marr vesh se kishte ardhur Ali Kelmendi dhe Zai Fundo, i dërguar i Kominternit. Në mbledhjen e grupit të gjuhës, që ishte grup komunist, ishte diskutuar gjerësisht puna e mëtejshme që duhej bërë sipas vijës së re, bashkëpunim me organizatën “Bashkimi Kombëtar”, me qendër në Paris, ku bënte pjesë Ali Këlcyra, Kolë Tromara, Hazis Çami etj., veprimtaria botuese e grupit si dhe përqendrimi i veprimtarisë nga Lioni në Paris, pasi aty kishte mundësi kontakti me të gjithë shokët. Kjo ishte edhe arsyeja që nuk gjeta aty Ali Kelmendin, Ymer Dëshnicën, Zai Fundon, Ismail Çelon etj. Ata tani vepronin nga Parisi. Spostimi i qendrës nga Lioni në Paris i mërziti disa nga shokët tanë, por kështu u pa e udhës dhe do të zbatoheshin vendimet e mbledhjes.

Letra e Zai Fundos

Kishte kohë që me qëndrimet e tij, Zai Fundo ishte bërë shqetësim për grupin, shtynte për sot e për nesër realizimin e detyrave, abuzonte me fondet që dispononte, bënte propagandë anti-sovjetike. Me një fjalë, ai u vu në opozitë me grupin dhe qëllimin tonë, por s’ishte e lehtë të veprohej, se ai vinte nga Kominterni dhe duheshin hedhur hapa të matura, dhe argumentet ndaj tij duhet të ishin të plota. Pas tre-katër muajsh çështja ishte e qartë: Zai Fundo s’kishte ndërmend të punonte, por kishte kaluar në fakt në anën tjetër të barrikadës. Shokët e Parisit kishin arritur në konkluzionin se tani duhej vepruar. U ngarkova unë së bashku me Kozma Nushin për të shkruar dhe firmosur letrën. E firmosa letrën me pseudonimin “Burlati”, e futa në zarf të kuq, ashtu siç kisha marrë porosi, dhe shkrova në këtë adresë: Wilhelm Pick – Komintern, Moskë”. Të dy me Kozmanë shkuam një pasdite vonë në Komitetin e Partisë Komuniste Franceze, në departamentin e Lionit. Takuam Arioldin, sekretarin e komitetit të partisë, të cilin e njihte mirë Kozmai, dhe i dorëzuam letrën, e cila duhej, si duket, të ndiqte rrugën zyrtare, dmth, me postën e Partisë Frënge.

Erë lufte

Viti shkollor 1937-38 po mbyllej nga gjendja politike në Evropë e në botë. Qeveritë franceze, pas asaj të frontit popullor, të kryesuar nga Leon Blumi, që u rrëzua nga Senati, jepnin dorëheqjen njëra pas tjetrës për t’i shpëtuar përgjegjësisë. Me të drejtë gazeta satirike e majtë “Le canard en-chaine” në vend të kryeartikullit kishte vizatuar atë ditë një pemë, në të cilën kishin hipur ushtarë francezë dhe poshtë, në vend të fjalëve të Marsejezës “Aux armes citoyens”, shkruante “aux arvbres citoyes”, dy fjalë plot kuptim që tregonin frikën dhe nënshtrimin para kërcënimeve fashiste të Hitlerit – analizon në shënimet e tij, Kahreman Ylli.

Gjysmë ilegalë

Në këtë kohë të trazuar u morën masa shtrënguese kundër të huajve dhe emigrantëve. Liraku dhe unë nuk e kishim letërnjoftimin francez, por edhe se duhet të paguanim disa franga. Në qershor vajtëm në lokalet e policisë, por pamë kallaballëk atje dhe disave u bërtisni dhe u vinin gjoba. Atëhere ikëm me shpresën se nuk do të na gjente gjë deri në ditët e provimeve. Druheshim se, pot ë na kapnin pa dokumente, do të na nxirrnin nga Franca.

Duke vazhduar kujtimet, Kahremani thotë se në fund të qershorit mbrojti tezën e provimit para profesorit me emër, Bounjadi.

Kthimi në Atdhe

Nga fundi ai ka përshkruar shkurt kthimin në atdhe: Me të zbritur në Durrës, valixhja e librave, pa nja pa dy u vulos me dyllë të kuq, me porosi ta hapte rrethkomandanti i Skraparit dhe me një paralajmërim direkt nga oficeri i policisë së portit: “Ju që vini nga Franca i kini mendjen gjetkë, prandaj hapni sytë se këtu nuk shkojnë ato”. Komandanti nuk qe njeri i rreptë, pastaj meqenëse ishim në krahinën tonë, valixhja u hap pa ngatërresa.

Në Peshkopi

Megjithëse zura miq e bëra përpjekje të mos më degdisnin larg, nuk qe e mundur. Në tetor 1938 më dërguan në Peshkopi, drejtor i një shkolle dyvjeçare me drejtim bujqësor, që s’kishte as ndërtesë, as nxënës. Kur u nisa nga Ministria e Arsimit më dhanë një regjistër për nxënësit dhe një libër protokolli për shkresat. Ajo që më vlejti më shumë, ishte një solucion për falët e shkruara gabim. Të tërë shishen e harxhova se nuk dija të regjistroja shkresat që hynin e dilnin për në ministri.

Këtu mbyllen edhe këto shënime brilante të Kahreman Yllit të shkruara me dorën e tij për vitet e rinisë.

Kahreman Ylli lindi më 22 prill të vitit 1917, në Leshnje të Skraparit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Më pas kreu Shkollën Normale të Elbasanit. Pas saj, caktohet mësues në Zaloshnje të Skraparit. Në vitet 1936-1938 kryen studimet e larta në Akademinë Pedagogjike të Lionit në Francë. Aty lidhet me grupet antifashiste dhe aderon në Partinë Komuniste Franceze. Në ilegalitet, me pseudonimin Burlati, ishte një nga iniciatorët e parë për nxjerrjen e gazetës “Populli”. Në vitet 1938-1939 emërohet drejtor shkolle në Peshkopi. Pas viteve ’40 punon si inspektor arsimi në Berat. Në vitet 1940-42 bëhet frymëzues dhe organizator i ngritjes së çetave partizane në Skrapar dhe në Berat. Në vitet 1942-1944 emërohet komisar i Shtabit Nacionalçlirimtar të Qarkut të Beratit.

Menjëherë pas çlirimit ngarkohet me detyra të rëndësishme diplomatike, ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Paris, më pas përfaqësues i vendit tonë në OKB. Në planin diplomatik, është e njohur lufta që bëri ai për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Gjyqin e Hagës, ku me një frëngjishte të pastër e elokuencën e të folurit habiti trupin gjykues.

Më 1948 emërohet ministër i Arsimit e më pas zëvendësministër, derisa në vitin 1961 emërohet rektori i Universitetit të Tiranës. Kahreman Ylli njihet si një nga figurat kryesore, në mos më kryesori i zhvillimit të shkencës në kushtet shqiptare, sidomos në ngritjen e Universitetit të Tiranës, Akademisë së Shkencave dhe instituteve të tjerë shkencorë. Në vitin 1970 emërohet në një detyrë tjetër, por s’hoqi dorë nga arsimi dhe reformat që kishte nisur, veçanërisht në arsimin e lartë. Ndahet nga jeta më 3 shtator 1975, duke mbetur një nga figurat më të shquara të diplomacisë, sidomos të arsimit shqiptar.