Maliq Skrapari, patrioti që u pagëzua nga Ismail Qemali **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Maliq Skrapari, patrioti që u pagëzua nga Ismail Qemali

Fatjon Kaloci
14.8.21

Një shkrim nga Bashkim Koçi

Është e vështirë, madje nuk ta thotë as zemra, që të mbeten në harresë figura të shquara të kombit të cilët kanë kontribuar, kanë dhënë shpirtin në të mirë të vendit, të Shqipërisë. Sepse, si për këdo tjetër personalitet të shquar, edhe për Maliq Sanxhaku (Skrapari), harresa do të ishte vdekje e dytë për të, nëmos si një hakmarrje për ata që nuk duan t’ja dëgjojnë emrin.

Maliq Sanxhaku (Skrapari) u lind në fshatin Vlushë të Skraparit në vitin 1884 në një familje patriakale të cilën ai, si fëmijë, nuk do ta mbante mend për kujdesin dhe gjërat materiale që i kishin ofruar, por për ndjenjat që i kishin dhuruar, për përpjekjetdhe sakrificat shumëvjeçare që ai të arsimohej dhe të formohej, të mësonte se ç’ishte jeta e vërtetë.  Por jeta me të u tregua e pa drejtë qysh në fillimet e saj, duke ia rrëmbyer dashurinë e nënës qëkurse ai nuk kishte mbushur ende dy vjeç dhe humbjen e përkujdesjes së të atit, Fetiut, plot dy vjet më pas. Pra dashurinë dhe pëkëdhelitë prindërore Maliq Sanxhaku (Skrapari) nuk do t’i provonte kurrë. Nënë dhe babë do t’i bëhej dikush tjetër, e emta (xhaxhesha), e cila e mbajti e u përpoq që ai të rritej pa e ndjerë mungesën e nënës së vërtetë, duke e trajtuar me zemër dhe dashuri, duke e iu shfaqur kudo me dhimshuri, duke e përciellë e pritur ngado që shkonte krahëhapur. Shkollën fillore e përfundoi aty në fshat, në Vlushë, dhe për rezultatet e mira që arriti dukej si ai ishte një “letër ku duhej shkruar pambarim” për t’u bërë njeri i kompletuar,  me dije e me kulturë.

Thuhet se fati ndonjëherë është vullneti i të tjerëve, ashtu si ndodhi me Maliq Sanxhakun (Skrapari).Vëllai i tij, Adili, i cili si shumë shqiptarë të tjerë kishte emigruar në Selanik, duke parë se i vogli kishte prirje dhe zell për të vazhduar shkollën, e mori me vete. Nuk i shkoi mendja për ta punësuar, por e regjistroi menjëherë në një shkollë të mesme bujqësore të qytetit të Selanikut. Sigurisht që përpara nxënësit të ardhur nga Shqipëria u shfaqën situata të vështira ku një ndër to ishte problemi i mësimeve që zhvilloheshin në një gjuhë tjetër, në greqisht. Por ky njeri pasionant e me vullnet të hekurt nuk bëri pyetjen “përse kështu?”, por i tha vetes “provomë”.  Dhe falë guximit të tij, falë pasionit e dëshirës  për të mbetur “mbi libra”, arriti të përfundonte shkollën me rezultate të shkëlqyera, u veçua si nga më të mirët e shkollës, duke përfshirë edhe nxënësit me kombësi të tjera që nuk ishin të paktë në numur.



Një gjë e mirë që fitohet në jetë nuk është e rastësishme, është mundim. Në këtë kuptim edhe buzëqeshja e suksesit fitohet me mundim. Fakti që Maliq Sanxhaku shkëlqeu në rezultatet që mori në shkollën e mesme bujqësore të Selanikut, u dërgua me bursë të plotë në shkollën e lartë bujqësore “Hallkaly” të Stambollit. Përveç të tjerave ia solli rasti që të mësonte edhe një gjuhë tjetër të huaj, turqishten. Nga të dhënat e jetës së tij studentore mund të veçojmë faktin që ai e kalonte kohën e pushimeve verore në punë, aty në fermën e shkollës. Punonte dhe fitonte. Dhe të gjitha të hollat që i siguronte me djersën e ballit i përdorte për të siguruar librat dhe veshmbarthjen për të mos mbetur kokëulur përpara shokëve që vinin nga familje të kamura. Motoja e tij, edhe pse në moshë fare të re, ishte: Duhet të luftosh mespërmes disa ditëve të këqia, për të fituar ditët më të mira të jetës tënde. Ai e përfundoi shkollën e lartë bujqësore “Hallkaly” të Stambollit me rezultate të shumë të mira. Nga vajza e tij e vogël, Drita, e cila sot është 92 vjeç, mësojmë se për rezultatet e  larta në përgatitjen mësimore shkolla e nderoi duke i dhuruar një unazë dhe stilograf  të florinjtë. Unazën e mbajnë si kujtim njerëzit e tij të afërm edhe sot e kësaj dite.

Maliq Sanxhaku (Skrapari) nuk mund t’i duronte dot zemrat e ndrojtura e që nuk guxonin kurrë për të arritur diçka. Ai posa mbaroi studimet në Stamboll vendosi të kthehej në Greqi me mendimin për filluar diku një punë për të provuar aftësitë e tij si specialist, por edhe si një djalosh i porsa diplomuar që i kishte vënë detyrë vetes për të mos patur frikë nga detyrat “e mëdha”. Por vajtjen në Greqi atë  e diktonte edhe fakti që aty kishte shumë shokë e miq me vlera të çmuara. Sepse sipas tij në jetë nuk ishte vështirë të krijoje famë, tituj e pasuri. E vështirë ishte të krijoje miqësi, të kishe shokë e miq besnikë. Kur ishte në shkollën e mesme bujqësore në Selanik, edhe sepse vëllai i tij Adil Vlusha ishte njëri me vlera dhe shumë i respektuar nga mërgimtarët,  ai njohu shumë shqiptarë, burra që i mbajti miq deri në fund, midis të cilëve ndjehej mirë kur përmendte emrat e Fejzo Osojës (Caka), Seit Strenecit, Sulejman Qafës, Riza Shahinin  (Vërzhezha), Musa Demin etj. Megjithëse i ri në moshë, në vitin 1908 ai u emërua drejtor i bujqësisë në Vilajetin e Janinës. Në këtë qytet, ditën qëndronte në zyrë, e kohën e lirë e kalonte në klubin e Shoqërisë Shqiptare “Bashkimi” me të cilën kishte krijuar kontakte nga koha  kur ishte student në Stamboll. Aty ai gjeti ngrohtësi dhe frymë vëllazërore edhe sepse posa shkeli në ato mjedise ku vlonte fryma e patriotizmit, konstatoi se pjestarët e shoqatës ia njohën menjëherë “melodinë e zemrës”. Ndaj menjëherë, sikur të ish gjendur aty qysh nga themelimi i Shoqatës, krijoi kontakte me burra të shquar e veprimtarë të zotë si Jorgo Qiriazi, Zija Kërçuku, Nuçi Naçi. Me këtë të fundit Maliq Skraparit iu desh të lidhej edhe më shumë sepse Nuçi Naçi punonte  si sekretar dhe redaktor i gazets “Zgjimi”. Kujtojmë se në Shoqërinë “Bashkimi” kontribonin edhe patriotët e mëdhenj  Bajo e Çerçiz Topulli, Petro Nini Luarasi, Mihal Grameno, Spiro Ballkameni e mëmëdhetarë të tjerë.

Miqtë e vërtetë janë të vështirë për t’u gjetur, por nëse i gjen ata kurrë nuk duhen braktisur. Maliq Sanxhaku (Skrapari) e kishte këtë “pasuri”, bënte pjesë tek ata njerëz që i vlerësonte shokët si një dhuratë e çmuar. Për këtë ai nuk i humbi asnjëherëlidhjet me shokët dhe miqtë shqiptarë të Stambollit. Madje edhe me figura të larta, siç ishin deputetët shqiptarë e në mënyrë të veçantë me Ismail Qemalin, me të cilin kishte ca lidhje disi të veçanta. Nga dokumentat arkivore del se ky patriot i palodhur për çështjen shqiptare, edhe pse punonte në Vilajetin e Janinës, nuk e shkëputi lidhjen dhe veprimtarinëpatriotike me vendlindjen, Skraparin. Ndihmat e tij ishin nga më të ndryshmet, por ajo që ra në sy ishte përpjekja e pandërprerë për të dërguar libra shqip. Ishte ky angazhim prej patrioti të flaktë që ai të ishte një ndër intelektualët e përzgjedhur e që iu bë ftesë nga “Komiteti i Stambollit” për të qenë pjesëmarrës ditën e shpalljes së pavarsisë më 28 Nëntor në Vlorë. Kjo ditë për Maliq Skraparin do të mbahej mend gjatë jo vetëm si Dita e Flamurit, por edhe sepse ai po atë ditë mori vendimin për të braktisur detyrën si nëpunës i Vilajetit të Janinës dhe të qëndronte përfundimisht në shërbim të vendit të tij.

Maliq Sanxhaku (Skrapari) tashmë e kishte lënë zemrën të rrihte vetëm për atë që ja dëgjonte të rrahurat, për Shqipërinë. Falë përgatitjes dhe formimit të tij si specialit i lartëQeveria e porsaformuar e Vlorës, vet Ismail Qemali, e emëroi Drejtor të Bujqësisë. Thuhet se virtyti nuk është asgjë më shumë, se sa mirësjellja e shpirtit! Ismail Qemali për të shprehur respektin dhe mirënjohjen ndaj patriotëve skraparas, për ndihmën që ata kishin dhënë e jepnin për çështjen kombëtare,  i doli nga shpirti ajo që Maliq Sanxhakun një ditë prej ditësh, në një çast të vetëm, ta thërriste Maliq Skrapari, mbiemër që nuk do t’i ndahej sa qe  gjallë, por edhe tek pasardhësit e derisotëm.

Maliq Skrapari çdo pozicion të detyrës që i jepej e i besohej e vlerësonte si çështje vazhdimësie. Aq më tepër kur ai shërbente për vendin e tij. Në qeverinë e drejtuar nga Princ Vilhelm Vidi ai u emërua kryeinspektor i bujqësisë, pozicion që do ta braktiste kur mori informacon për masakrat e andartëve grëkë në Jug të vendit dhe në Skrapar. Ndoshta për të qëndruar pranë njerëzve të tij dhe patriotëve skraparas ndërgjegja e ngacmoi të pranonte detyrën e nënprefektit të Skraparit me qëndër në Çorovodë. Sigurisht një intelektual e nivelit të Maliq Skraparit nuk mund të mos bëhej pjesë e veprimtarisë të patriotve të krahinës së tij dhe të ishte inicues për lidhje  me luftëtarë si Sali Butka. Murat Panariti, Kasëm Qafëzezi etj. Eshtë koha kur atij, bashkë me Xhelal e Ali Koprënckën, Servet Zaloshnjën e shumë patriot të tjerë skraparasiu desh të bëhej pjesë e forcave vullnetare për të luftuar kundër esadistëve, të cilët arritën ti largonin nga qyteti i Beratit.

Maliq Skrapari bënte pjesë tek ata intelektualë që e karakterizonte kthjelltësia në vendimet që merte. Kështu ai nuk mund të kundërshtonte vendimin eqeverisë austro-hungareze për  emërimin e tij si drejtor të pasurive të shtetit nga Shkumbini e deri poshtë në Jug me qendrër  në Libofshë. Ishte viti 1917.Si njeri i përgjegjshëm në kryerjen e detyrës ai zhvilloi një veprimtari të madhe për ruajtjen e pasurive shtetërore në zonën e Myzeqesë.Për këtë ai u vu në shënjestër për ta hequr qafe edhe fizikisht. Dokumentet flasin se Vrionasit i ofruan para një bashkëpatrioti të Maliq Skraparit,  Arshin Koprënckës, i cili duhet të merte përsipër që t’u tregonte rrugën nga shkonte Maliqi për në Fier. Por skraparlliu nuk e tradhtoi, bile ai e njoftoi Maliqin për rrezikun që i kanosej. E dini si ua dha përgjigjen? Nuk më shpon dot plumbi i tyre, o Arshin se unë për popullin e varfër punoj dhe ata më mbrojnë, nuk vras e nuk grabis si ata.

Maliq Skrapari bëhej ashtu siç edhe e  mendonte veten, të lidhur e të shqetësuar për zhvillimet  në vend. Në këtë kuptim ai nuk e linte mënjanë, nuk  harronte të lidhej me patriotët skraparas për çka ata ishin të interesuar për çështjen kombëtare. Në vitin 1919  në fshatin Zaloshnjë, me iniciativën e tij dhe të Ali Koprënckës, Servet e Hysen Zaloshnjës, Riza Cerovës, Muço Kapinovës, Sali Butkës e Sinan Leshnjes, u krijua “Komiteti i Shpëtimit Kombëtar” i cili  luajti rol të madh në mobilizimin e njerëzve kundër politikës përçarëse të kohës. Kjo bëhej edhe në kuadrin e mbrojtjes të tërësisë teritoriale në kundërshtim me veprimet e qeverisë të drejtuar nga Turhan Pasha.

Ai ndjehej mirë kur jetonte për Shqipërinë, kur merte pjesë drejtëpërdrejtë  në ngjarjet kulmore të zhvillimeve në vend. I ndiqte ato me preokupimin e një intelektuali të lidhur me veprimtaritë kombëtare të cilat përbënin kthesa madhore për fatet e atdheut.Në muajin janar të viti 1920 Maliq Skrapari ishte delegat në Kongresin e Lushnjes i zgjedhur si përfaqësues i Skraparit.Më pas ai ndoqi dhe u bë një ndër luftëtarët më me emër të Çetave të Skraparit të cilat, të udhëhequra nga Riza Cerova e Muço Kapinova, me rreth 300 luftëtarë, morën pjesë në çlirimin e Vlorës nga pushtuesit italianë.

Maliq Skrapari radhitej tek ata intelektualë, të cilët punën që bënin si profesionistë në një profil të caktuar, e shikonin me sytë e shërbëtorit ndaj popullit dhe atdheut. Pra ai dëshironte tëgjendej aty ku mund të shërbente më mirë, aty ku edhe ia donte e zemra i qante,  siç ish bujqësia. Në vitin 1922  atij iu ngarkua detyra e drejtorit të Përgjithshëm të Pyjeve dhe pas një viti, për shkak të formimit të lartë professional, emërohet  drejtor i Përgjithshëm i Bujqësisë. Në vitin 1923 pati ngjarje politike sepse u bënë zgjedhjet për në Asamblenë Kombëtare. Për çka ngjau me Maliq Skraparin dhe patriotin tjetër skraparas Ali Koprëncka, të cilët kandidonin për të qënë pjesëe Asamblesë Kombëtare, të kujtojnë atë çka ka ndodhur e ndodh sot në Shqipëri pas afro një shekulli. Populli i Skraparit votoi masivisht për të dy këta patriot të ndershëm e atdhetarë, por marifeti i manipulimit të votës nga kundërshtarët politikë që ishin në pushtet, i la jashtë Asamblesë.

Ndoshta ka qenë ky momenti që Maliq Skrapari të lidhet  me Fan Nolin, Bajram Currin, Avni Rustemin dhe  patriotë të tjerë dhe të merte pjesë aktive në Revolucionin Demokratik të Qershorit. Ndërkohë ai u tregua shumë entuziast dhe filloi menjëherëtë punojë pa u lodhur për zbatimin e programit të qeverisë së Nolit. Është shumë domethënës fakti që ai u bë protagonist i zbatimit të reformës agrare. Gjendet e shkruar puna dhe vendosmëria e tij ku në mënyrë konçize thuhet “ai me metër në dorë i ra pashë më pashë Myzeqesë”. Eshtë edhe një gjetje tjetër  nga inisiativat e tij si njeri me vizoin dhe i ditur. Fushën që sot është ndërtuar qyteti i Fierit, e ka “vizuar” Maliq Skrapari. Madje këtë gje e bëri me mendjen e tij, pa pyetur për kundërshtimet e forta të Vrionasve të cilëve iu prekeshin interesat. Ai mbahet mend si njeri guximtar dhe që hidhej në rrezik për të vërtetën, për mbrojtjen e të dobëtit. Shpesh, në bashkëpunim me intelektualin  tjetër nga Libofsha e Fierit, Naum Priftin (Doko) organizonte takime për demaskimin e bejlerëve të mëdhenj,  duke shfrytëzuar ditët e pazarit. Dhe për të gjitha këto “mbrapështi” kundër regjimit  ishin edhe arsyet që e pezulluan nga puna.

Si shumë patriot të tjerë të përndjekur nga regjimi i Zogut edhe Maliq Skraparit iu desh të largohej jashtë atdheut, për në Greqi. Aty u sëmur, mori një bronkopneumoni të rëndë e cila, për shkak të mungesës së të hollave për t’u kuruar, e detyroi të kthehej  në atdhe. Por ai ishte mendjendritur dhe regjimi kishte nevojë për të. Madje  mbretëria i ofroi një post të lartë, por Maliq Skrapari e kundërshtoi me këto fjalë: Për sa kohë qëkëtë vend do ta drejtojnë Musa Jukët e Lal Klosët (Abdurrahman Krosi) unë nuk e pranoj atë vend.” Atëhere regjimi gjen rastin ta dërgojnë (ta internojë) me detyrën e drejtorit në fërmën e Lushnjes, por që në vitin 1926 do të kthehej përsëri drejtor i Bujqësisë.

Ky intelektual i përmasave kombëtare ishte këmbëngulës për çka i ngarkohej për ta kryer. Ai tregohej  aq i fortë në veprime, sa edhe  në mendime, gjë qëe bënte të lakmueshëm për detyrat e larta shtetrore.  Në vitin 1928 Maliq Skrapari emërohet sekretar i Përgjithshëm i Ekonomisë Kombëtare dhe qëndroi në këtë detyrë deri në vitin 1934.Gjatë qëndrimit në këtë post të rëndësishëm ia vlen të sjellim një fakt për qëndrimin e tij, për këmbënguljen për të  mbështetur e zbatuar  praktikat e përparuara shkencore. Ishte viti që në Shqipëri kishte ardhur nga Franca shkencëtari me përmasa evropiane, Dr. Bilal Golemi. Ai i parashtroi sekretarit të Përgjithshëm tëEkonomisë  kërkesën për ta mbështetur finaciarisht për ngritjen  e  themelimin  e  të parit laborator bakteriologjik të veterinariesë. Maliq Skrapari jo vetëm që nuk e ktheu mbrapsh, por e ndoqi problemin deri në fund duke “ushqyer” me para edhe ca kërkesa të tjera të shkencëtarit të famshëm, siç ishte importimi i racave të kafshëve, ngritja e të parave stacione shkencore të përmirësimit racor dhe prodhimi për herë të parë në vend i vaksinave kundër disa sëmundjeve të bagëtiveapo  përgatitja e kuadrove të para veterinarë. Edhe ngritja dhe organizimin  i të parave shkollave  bujqësore në Tiranë, Kavajë e Lushnjë është ndjerë  ndihmesa e pakursyer e intelektualit  Maliq Skrapari.

Ky njeri me kulturë, inteligjent prej natyre, njohës i thellë i çështjeve të ekonomisë shqiptaredhe  administrator i shquar nuk mund të bëhej palë me urdhëra e këshilla që ishin skllavëri për vendin. Kështu ai nuk firmosi aktin me të cilin italianëve u krijohej mundësia të shfrytëzonin pyjet e kullaotat që fillonin nga Mamurrasi e deri në veri të vendit.Iu bënë presione, e shantazhuan, por ai nuk firmosi, ndaj edhe e nxorën në pension para kohe. Ishte viti 1934.

Falë aftësive që zotëronte si njohës i shkëlqyer i ekonomisëregjimi kishteshumë nevojë  për të. Erdhi një ditë, në vitin 1938, dhe u kujtuan përsëri për ta ngarkuar si drejtor i pasurive tështetit  në Lushnjë.  Por “i pandreqëshi” do të mbetej deri në fund i tillë. Pas pushtimit të vendit nga Italia fashiste ai nuk pranoi, madje u bë pengesë e fortë që të mos i jepeshin Musolinit fshatrat  e Myzeqesë, Fier-Shegani  dhe Zhelizhani si dhuratë nga Drejtoriae Pasurive të Shtetit.  Dhe kulmi i rebelimit të këtij intelektuali trim e të guximshëm  arriti kur ai u vuri flakën, kur dogji të gjitha dokumentat e huas shtetrore që bujqit e varfër kishin marrë nga ajo drejtori. Të gjitha këto bënë që ai në muajin qershor të vitit 1939  të pushohej përfundimisht nga detyra me motivacionin “ spastrim i administratës shtetërore”.

Maliq Skrapari ishte një antifashist i vendosur dhe mbeti i tillë deri sa ndërroi jetë më 27 dhjetor  të vitit 1940  në moshën 56 vjeç. Vajza e tij, Drita mban mend se kur një ditë i ati e ndeshi shikimin, duke parë ushtarët italianë të parakalonin  poshtë  shtëpisë, në bulevardin e qytetit të Lushnjës, nuk e kishte mbajtur dot veten, i kishin rrjedhur lotët çurk nëpër faqe e që i mblidheshin  në fund të mjekrës  ku i  binin pikë-pikë.

Ai mbeti deri në fund intelektual i përmasave kombëtare, por edhe si luftëtar e patriot i gjendur në të gjitha ngjarjet më të rëndësishme të kohës. Për kujdesin dhe interesimin që tregonte ndaj bashkëpatriotve të tij ai meritoni t’ithërrisnin  “baba i skraparasve”.  Për kontributin  ndaj atdheut si patriot e luftëtar është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor më 31 gusht të vitit 1971 me Urdhërin “Për veprimtari të shquar patriotike”, ndërsa  bashkia e Skraparit i ka dhënë titullin e lartë “Qytetar Nderi”