Një shkrim nga Zylyftar Hoxha:
Megjithëse kanë kaluar 72 vjet nga krijimi dhe janë përkujtuar 72 përvjetorë të Çetës së Parë të Skraparit, siç quhej në popull “Çeta Plakë”, ose “Çeta e Mestan Ujanikut”, emri i komandantit, figurës më popullore, “legjendës së maleve të Skraparit”, siç shkruante shtypi ndërkombëtar i asaj kohe, nuk zihet në gojë. Një keqkuptim dhe paragykim nga regjimi i kaluar, që në ditët e para të çlirimit e ndëshkoi rëndë këtë burrë malesh, aq rëndë, deri dhe me humbjen e jetës në burgjet e regjimit komunist.
Për të mësuar më tepër se çfarë është bërë e po bëhet për rehabilitimin e figurës së këtij luftëtari të shquar kemi intervistuar një nga pinjojtë e familjes Ujaniku, nipin e Mestanit, Kujtim Musabelliun (Ujaniku), me banim në Florida të SHBA-së:
Keni ardhur nga SHBA, ku jeni me banim prej disa vitesh dhe, siç na keni thënë, me një mision, vënien në vend të nderit dhe të dinjitetit të gjyshit tuaj?
Për të qenë i vërtetë dhe i sinqertë, për mua, figura e kapedanit të maleve të Skraparit, Mestan Ujanikut, tani në një farë mënyre është reabilituar. Për të vënë në vend nderin dhe emrin e komandantit heroik, ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, të cilin e falënderoj me këtë rast, e ka vlerësuare me dekoratën e lartë “Shqiponja e Artë”. Kohët e fundit veterani Dule Kalemi nxori dhe monografinë “Mestan Ujaniku, legjenda e maleve të Skraparit”.Por megjithë këto vlerësime, Mestan Ujaniku meriton më shumë.Ai është një dëshmor i pa cilësuar dëshmor, pa një varr. Ne familjarët e tij, kur bëhen festa përkujtimore të Luftës, nuk dimë ku të çojmë një tufë lulesh në shenjë nderimi, varr jo, një shenjë jo. Është ky meraku që më ka sjellë që nga Amerika, që, me rastin e 70-vjetorit të Çlirimit të Atdheut, të bëhej diçka.
Dhe u bë?
Absolutisht asgjë? Një bust në qyetin e Çorovodës, të cilin Mestani e çliroi që në vitin 1942, dhe një emër rruge apo institucioni në qytetin e Beratit, ku ai veproi deri në çlrimin e Shqipërisë, më shumë se do të nderonte vetë këtë luftëtar, do t’u bënte nder atyre që e nderojnë dhe respektojnë. Kryetari i Bashkisë të qytetit të Çorovodës, Nesim Spahiu, siç na tha dhe u përpoq, ka pasur dëshirën, por nuk u gjetën fonde!…Një dokumentar që nisi me iniciativën e disa krijuesve mbeti në mes po për mungesë parash!…Shoqata Atdhetare Kulturore “Tomorri” për të bërë një aktivitet fare të vogël dhe modest kërkonte pará. Familjarët, mund të bënin diçka, por aq sa munden dhe sa u takon, sepse edhe të persekutuar kanë qenë. Dhe kur them kështu, besoj se më kuptoni, të gjithë kanë qenë punëtorë krahu.
Ja pra, për të bërë diçka më shumë, është edhe arsyeja që unë prej 8 muajsh po rri këtu, por, si përfundim, u zhgënjeva, pasi nuk munda të bëja asgjë, as për t’i gjetur varrin, as për të bërë një varr simbol në varrezat e dëshmorëve ku ka dhe shokët, as për të marrë dëmshpërblimet si i persekutuar që nuk ia japin se gjoja në burg ka vdekur për shkaqe natyrale (shkaqe natyrale nga torturat)! Pa le pastaj për një bust, siç thamë më lart, për një emër institucioni apo rruge nuk bëhet fjalë. Ndaj të lutem, mos më ngacmo më shumë!…
Kalojmë në një aspekt tjetër, lidhjet tuaj me gjyshin?
Unë jam i biri i Xhemalit, djalit të madh të Mestanit, komandant i çetës së së dytë të Skraparit, pasi, pas zmadhimit, u nda nga ajo e Mestan Ujanikut. Dua të them me këtë rast se pas djegjes së shtëpive tona në Ujanik nga Xhaf Bali në gusht të vitit 1942, e tërë familja jonë ishte partizane, se s’kishin ku të rrinin.Xhemali, Hetemi, Vehapi ishin me “plakun”; i vogli, Nuriu, ishte i vogël dhe gjatë gjithë atyre tre-katër vjet luftë, bashkë me të ëmën, Pemen, kanë jetuar ose bashkë me çetën ose në familje miqsh e patriotësh në Skrapar.
Ju, sa vjeç keni qenë atëherë dhe a e keni njohur gjyshin?
Kur kam lindur unë, gjyshi ka qenë në burg. Një ditë prej ditësh më çojnë te gjyshi në burg. Siç më tregojnë më pas, ka kërkuar që të më fusnin ashtu siç isha kopanec mes hekurave.Pasi më kanë futur, ai më ka puthur në ballë dhe ka pyetur për emrin.“Ia kemi vënë Kudret”, i kanë thënë. “Do t’ia ktheni, do t’ia vini Kujtim, kështu siç iu them unë”, ka thënë ai prerë në atë kohë, dhe më ka nxjerrë nga hekurat. Nuk e di a ka patur ndonjë kuptim apo simbolikë kjo, por të dy kishim marrë rrugën, unë drejt jetës e ai drejt vdekjes, pasi pas disa ditësh vdiq nga torturat në birucat e burgut.
Fundi tragjik i “Legjendës së Maleve” të Skraparit
Çarjet dhe kontradiktat e Mestan Ujanikut me Enver Hoxhën kanë lindur që herët. Nëpërmjet dokumenteve del qartë që Enver Hoxha nuk e ka parë me sy të mirë Mestanin për shkak të ndjenjave të tij nacionaliste. Siç shihet në letrën e mësipërme që Enver Hoxha i dërgon Gjin Markut në prill të vitit 1944, por edhe në një letër tjetër dërguar Kahreman Yllit po në të njëjtën kohë, Enver Hoxha shpreh shumë rezerva ndaj Mestan Ujanikut, madje Karemanit i thotë, “nëse nuk dëgjon, dekorojeni”, dmth, vrajeni. Por Kahremani nuk e bëri këtë gjë për shumë arsye, mbi të gjitha edhe se e kishte mik familjar.
Në Kongresin e Përmetit, grada dhe vlerësimi që iu bë Mestan Ujanikut, e krahasuar me shumë luftëtarë të tjerë, nuk qe ajo e duhura. Figura e “Legjendës së Maleve” këtu u zbeh shumë, çka e la të pakënaqur Mestanin.Thuhet se aty është bërë një takim kokë më kokë me Enver Hoxhën. Vërtet nuk dihen detajet e takimit, por ato nënkuptohen me veprimet e mëtejshme që u ndërmorën për ta denigruar dhe errësuar deri në fund këtë figurë të njohur dhe popullore.
Në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, kandidatura e Mestanit nuk u hodh atje ku njihej dhe kishte siguri të plotë, në Skrapar, por u hodh në zonën midis Tepelenës dhe Beratit, ku e njihnin fare pak që të mos fitonte. Megjithatë ai fitoi, duke u djegur kartat atyre që nuk e donin.Në vitin 1946 transferohet pranë Shtabit të Përgjithshëm në Tiranë me gradën kolonel.S’qëndron shumë aty dhe e transferojnë në Shkodër, ku ai bëri emër në qarqet intelektuale dhe zyrtare shkodrane, sidomos i fundit të tij tragjik. Aty ai u lidh me njerëz që kishin pësuar të njëjtin fat dhe që ishin zhgënjyer nga sistemi i ri që po lindte. Një nga këta ishte edhe deputeti Riza Dani, i cili i shprehte hapur idetë e tij për një demokraci më të gjerë dhe jo si ajo që kushtëzonte kushtetuta e re e sapo miratuar.
Më 15 maj 1947 e arrestojnë. Akuza ishte “veprimtari armiqësore në bashkëpunim me 18 të tjerë, që më vonë u quajt “Grupi i deputetëve”, një akuzë e rëndë, veprimtari armiqësore kundër popullit dhe shtetit, përpjekje për të përmbysur pushtetin popullor dhe për vrasjen e Baba Faja Martaneshit dhe Baba Fejzos në Kryegjyshatë, për të cilën ai s’kishte dorë fare, veçse u gjet arma e tij që ai ia kishte dhuruar që më parë protagonistit të ngjarjes, Abaz Dedesë.
Gjyqi filloi më 4 shtator 1947 dhe përfundoi më 31 dhjetor të po atij viti.Edhe pse nga të tetë pikat e akuzës nuk u provua asnjë, akuza mbeti e njëjtë dhe e mirëqenë. Gjyqi u zhvillua me dyer të mbyllura Në dosjen e këtij gjyqi gjen edhe deponime të tilla që dëshmojnë qëllimin pse e kishin futur aty, si “nënvleftëson kuadrot dhe i quan të paaftë”, “urren komunistët, u thotë unë nuk jam komunist, nuk jam nacionalist”, “ka thënë se në qoftë se nuk rregullohet buka e popullit, do të bëj revolucion” etj. etj.
Dënimi për Mestan Ujanikun u dha më 31 dhjetor 1947, natën e Vitit të Ri. Prokurori Bedri Spahiu kërkoi për Mestanin dënim me vdekje, me pushkatim, kurse Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake vendosi më 22 janar 1948 dënimin me burgim të përjetshëm.Por torturat çnjerëzore në burg bënë që jeta e Mestan Ujaniku të këputet në moshën 46-vjeçare.Këtu mbyllet jeta e komandantit trim të Skraparit, duke vazhduar me të tjera peripeci e vuajtje për familjen e tij, sidomos djemtë që kishin qenë bashkë me të partizanë.
Letër e Enver Hoxhës drejtuar Gjin Markut për Mestan Ujanikun
I dashuri shok Gjini
U gëzova nga letra tënde shoqëruese, si edhe nga hapat e para dhe me sukses të Brigadës së VII. Jam i sigurt se ajo Brigadë do të shkojë përpara. Dhe do vihet në radhën e Parë të brigadave tona më të mira. Ajo varet nga ti dhe nga gjithë shokët e Partisë që bëjnë pjesë aty.Prandaj përvishjuni punës me urtësinë më të madhe, qoftë ushtarakisht, qoftë politikisht, zhvillimi i kuadrove të Brigadës të jetë i shumanshëm.Mestani erdhi këtu dhe u fjalosa me të.Zuri të qahej si plakat, të gjitha qarjet e tij të vogla, të cilat ai i ka si argumenta. Natyrisht qarjet ay i bazon tash për të forcuar bazën e tij (kupto nacionaliste) në ato lëshimet e gabimet që janë bërë në atë terren. Dhe kërkon të dalë si “engjëll” me flatra të bardhë…Megjithë drunë që i dhaç, se Mestani, njeri i vjetër dhe me egoizmë dhe ambiciet e një njeriu që kujton se është njeri i madh, ay e mban karshi teje mërinë e tenton e do të tentojë të thellojë hendekun në dëm të punës, në rast se shokët s’dinë të punojnë…Të vëmë re një gjë te Mesatani, i cili s’është budalla, çdo plumb që na fut mbështetet në një vend që ligjërisht duhet të marrim masa dhe qëllimi i tij është të godasë ty dhe Brigadën. Prandaj duhet të kesh kujdesin më të madh me të si dhe marrëdhëniet me shtabin e qarkut dhe komandat e vendit. …Çështjet gjykojini me gjakftohtësi. Të mos bini në prita të vështira dyke ditur qëllimet pse i bën Mestani këto. Kahremanin e kemi caktuar si komisar të Mestanit, por nuk e di a do ta bëjë dot punën që kërkojmë nga ay, pse kam frikë se mos bjerë në pozitat e Mestanit, dhe vaj halli. Prandaj Gjin, me kujdes të madh sa ti qëndron aty, me gjakftohtësi jep mendimet, pse ti duhet të zgjidhësh çështjet aty, të….(e palexueshme) të ndihmojë sa të jesh në atë terren.Na shkruaj për çdo gjë, për ndihmat që ti ke nevojë, për zgjidhje të koklavitura s’do të mungojë as një herë që të ndihmojmë që ti të shkosh përpara.
Të përqafoj
Taras
5/4/44
Çeta e Mestan Ujanikut, ndër të parat në Shqipëri
Çeta Plakë e Skraparit, e dyta pas asaj të Pezës, e komanduar ng Mestan Ujaniku zhvilloi disa aksione tërëndësishme luftarake, më të bujshmit ishte çarmatosja e milicëve të Xhaf Balit në Mëlovë në fund të gushtit 1942, çlirimi i Çorovodës etj. Ka një korrespondencë të gjatë të administratës së atëhershme nga qendra në bazë që tregon bëmat e Mestan Ujanikut dhe çetës së tij, por edhe tmerrin që i kish kallur ai armikut. Po kështu shtypi i kohës, radio BBC, përshkruajnë detaje të përpjekjeve që bënte çeta e Skraparit me komandantin e saj, i cili që atëherë u quajt “Legjenda e Maleve” dhe u vesh me shumë histori. “Zëri i Popullit” i atyre ditëve shkruan: “…ia mbrini patrioti Mestan Ujaniku dhe shokët e tij trima dhe çeta partizane e udhëhequr prej zemërluanëve, Mestan e Gjin, filluan luftën e lavdishme, luftën e çlirimit të atdheut dhe fshatrat e Mallakastrës e të Skraparit dhe kodrat e malet buçitën…”
Kalendari i luftimeve të Çetës së Mestanit
Që nga krijimi në mars dhe gjithë prillin e vitit 1942 çeta veproi në zonën e Nahijes së Beratit, në Roskovec dhe pjesërisht në Mallakastër. Aksionin e parë çeta e regjistron në qershor të vitit 1942 kundër një grupi karabinierësh në Shtyllë të Korçës. Në korrik të vitit 1942 çeta operon në fshatrat e Kolonjës, në Butkë, Qafëzës, Kozel, Rehovë, Selenicë të Pishës, Qinam, Qesarakë dhe Lubonjë, ku takohet me Xhaferr Lubonjën. Por beteja që shënon fitoren më të bujshme është çarmatosja e milicëve fashistë në Mëlovë më 30-31 gusht të vitit 1942 dhe disa ditë më vonë çlirimi i Çorovodës, që qe e para qendër administrative në vendin tonë, ku nuk u vendos më pushtet tjetër, veç atij nacionalçlirimtar. Më pas pati luftime të tjera shumë të rëndesishme.Mestani në çetë kishte dhe tre djemtë e tij, Xhemalin, Hatemin dhe Vehepin. Xhemali u bë komandant çete, Hatemi u caktua Zëvendëskomandant i Batalionit “Margarita Tutulani”.
Kush është Mestan Ujaniku?
Mestan Ujaniku lindi në fshatin Ujanik, një fshat në gji të Tomorrit, në lartësinë mbi 1000 m mbi nivelin e detit dhe shumë pranë vendit të shenjtë të Abaz Aliut. Ujaniku ka qenë bujtina më bujare e atyre që vinin në Tomorr, qofshin pelegrinë besimtarë, udhëtarë, studiues të huaj evropianë, gjahtarë e qejfëllinj romatikë, si fjala bie, Eqrem bej Vlora, që ndenji këtu për qejf mbi një muaj në vitin 1908 etj. Fshati ishte i tëri një fis dhe mbante mbiemrin Musabelliu. Që në moshën 18 vjeç, Mestani radhitet në ata 300 burra skraparllinj që nën udhëheqjen e Riza Cerovës dhe Ali Koprënckës morën pjesë në luftën e Vlorës Në vitin 1924 atë e gjejmë përkrah forcave fanoliste, ndërsa në vitin 1935 arrestohet si pjesëmarrës në Lëvizjen e Fierit, një nga organizatorët e së cilës ishte Riza Cerova.
Pushtimi fashist i 7 prillit të vitit 1939 e gjeti në burgun e Beratit për një vrasje banale në fisin e tij. Në rrëmujën e atyre ditëve ai del nga burgu dhe në vend të shkojë në shtëpi, bashkë me shumë patriotë të tjerë nga Berati dhe Skrapari krijon një çetë me 15 vetë, ku merr edhe djemtë dhe kushërinjtë e tij. Kjo çetë e vogël e krijuar që në vitin 1941 është bërthama e çetës së madhe që u krijua më 14 mars të vitit 1942, që u quajt Çeta Plakë e Skraparit dhe ku komandant u caktua Mestan Ujaniku. Partia Komuniste nëpërmjet Qarkorit të Korçës sa mori vesh këtë, dërgoi menjëherë përfaqësuesin e saj në këtë çetë, anëtarin e Grupit Komunist të Korçës, Gjin Markun për ta mbajtur këtë çetë nacionaliste në krahun dhe nën ndikimin e saj.
Më pas, me shkrirjen e çetave në formacione të tjera partizane, Mestani emërohet komandant i Shtabit të Qarkut të Beratit, ku komisar i këtij shtabi ishte Kahreman Ylli.Pas çlirimit caktohet në detyra të ndryshme, emërohet nënkolonel pranë Shtabit të Përgjithshëm në Tiranë, më tej transferohet nga Tirana në Shkodër, por s’kalon shumë dhe dënohet nga regjimi i atëhershëm për pjesëmarrje në të ashtuquajturin “Grupi i deputetëve”. Vdes në burg dhe ende nuk i është gjetur varri!
Të paktën një varr, qoftë edhe simbolik!
Drama e jetës së Mestan Ujanikut është një dramë që tejkalon çdo normë njerëzore, është një dramë shekspiriane që nuk ka penë ta përshkruajë e ta sjellë. Ja ç’shkruan Nuriu, djali i vogël i Mestanit, Nuri Musabelliu, që banon në Durrës:
“Ka qenë një natë e gjatë e plot ankth, burrat e shtëpisë së madhe nuk erdhën në shtëpi. Mungon Xhemali dhe Vehepi, që të dy ishin oficerë. Çfarë kishte ndodhur? Vetëm pas dy ditësh erdhi haberi, një kob që nuk e shkonim nëpër mënd, ishin arrestuar me ta edhe Barjami. Netët ishin të ftohta, të gjata edhe pse ishte maj i vitit 1947. Që nga ai moment dhe deri sa u bë gjyqi ishim as në qiell as në tokë, nëne Pemja, kjo bijë e një dere të madhe, të dëgjuar dhe të nderuar të Skraparit dhe një grua mjaft e fortë vinte rrotull nëpër shtëpi dhe përsëriste shpesh: “Nuk kemi pse ulim kokën se gëzojmë hasmin!
Akuzat ndaj Mestanit ishin një bllof, kapedani i maleve që kishte luftuar tërë jetën me armiqtë, tani akuzohet për veprime armiqësore!? Burrërisht qëndroi dhe në burg. Kaloi aty vetëm një vit dhe më 11 korrik 1948 ndërroi jetë në moshën 46 vjeçare, në një moshë më aktive që ka njeriu. Enigma e vdekjes dhe enigma e varrit është brengë e madhe për ne që nuk gjetëm eshtrat t’i bënim një varr dhe t’i çonim një tufë lule, ndoshta një varr simbolik në varrezat e Dëshmorëve në Çorovodë do ma lehtësonte sadopak dhimbjen”.
Këtu mbyll bisedën ky burrë, që në fëmijëri kalonte me të ëmën nga një fshat në tjetrin, që e merrnin në krahë bashkëluftëtarët e lirisë, shokët e armëve të babit të tij.