Në Tomorricë, nën Malbabá **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Në Tomorricë, nën Malbabá

Fatjon Kaloci
14.8.21

Një shkrim nga Zylyftar Hoxha

Sa del nga gryka e Dëvrisë, nuk ngopesh me panoramën që të shfaq e tërë lugina e Tomorricës me lumin mespërmes, me bokërrimat shterpë, gjithsesi me një pamje tepër piktoreske, me fshatrat radhë, si gjerdan fidishti, përtej në Tomorricën e Zezë: Grëmshi historik i kryearkitektit të Perandorisë Osmane, Mimar Kasëmit; Gjokovica me lule mjalti, Kuçi, Barçi, Floqi, Rehova, Vishanji, Straficka, Greva, Kovaçanji, Leskova, Zhepa, Çerrica, Gurrazezi, Çorotati, Burranji, Dobrenji, më tej Ermenji e më tej akoma Kërpica; ndërsa më këtë anë, Tomorrica e Bardhë:   Mëlova, Zaloshnja, Gjerbësi, Ujaniku, Gradeci, Luadhi, Shpatanji, Trebla, Duncka, Rromasi e Tërrova. Një pamje vërtet mahnitëse, por, po hyre brenda, në thellësi, zhgënjimi është vërtet i madh, një braktisje totale, me një varfëri proverbiale të atyre që kanë mbetur aty akoma.

Mes mjegullnajës së shekujve

Mos e shiko sot Tomorricën. Ka shenja të dukshme dhe të dhëna historike se dikur kjo krahinë ka  njohur disa lulëzime qytetërimesh e kulturash. Rrebeshet që zbrisnin nga malet, zjarret në pyje, luftërat dhe largimet masive të njerëzve kanë bërë që  erozioni të veprojë në mënyrë të pandalshme dhe të sjellë konfigurimin e sotëm të Tomorricës, mjerisht të shkretë dhe të copëtuar. Të duhet të kesh një imagjinatë të guximshme ta përfytyrosh Tomorricën e të paktën disa shekujve më parë, që, sipas shënimeve të Gjon Muzakës, para 500 vjetësh Tomorrica përbëhej prej 80 fshatrash, që përfshinte luginën e lumit Devoll, deri në Maliq të Korçës. Por pas vdekjes së Skënderbeut, shumë familje emigruan në Greqi dhe Itali. Sipas Çabejt emrat Gjerbës (Jerbës), Barç, Zhupë (Zhepë) të Kalabrisë e kanë origjinën prej këtej.

Deri në ’12-ën nën administrimin turk, Tomorrica ka qenë kaza (nënprefekturë-rreth), e ndarë nga Skrapari. Dy Shëmbërdhenjtë, Narta, Kullolli, Sotira, Kushova, Dardha, Sulova, Jança, Delvëni, Patozi, Tunja, Duzha, Bregasi e të tjera fshatra të rrethit të Gramshit deri në vitin 1923 kanë qenë me Tomorricën dhe Skraparin. Fshatrat Kërpicë, Ermënj, Vidhan, Lemnushë, Kotkë dhe Sqimar (Siman) kaluan me rrethin e Gramshit në vitin 1949.

Sot kjo krahinë përbëhët nga 31 fshatra dhe ndahet në dy pjesë në drejtim veri-jug nga lumi i Tomorricës.

Grëmshi me njerëz të mëdhenj

Në gjithë këtë trevë në Mesjetë lulëzim më të madh pati fshati Grëmsh, sipas regjistrit osman, në vitin 1570 ai kishte 400 shtëpi dhe 18 dyqane, fshat-qytet jo i vogël për kohën, ku jetonin bejlerë e spahinj fermanlinj me tituj dhe me prona në Berat, Korçë, Fier, Maqedoni, Greqi, Thesali e gjetkë.  Kjo shtrirje bëri që emri dhe bëmat e Grëmshit të njihen brenda vendit, por edhe në sferat e larta të perandorisë osmane. Të njohur e bëri atë edhe biri i këtij fshati, Arkitekt Kasëmi, që në vitin 1595, pas shumë ndërtimeve që kish bërë në fshatin e tij të lindjes dhe në disa vise të tjera, u bë kryearkitekt i perandorisë me shumë kryevepra që janë edhe sot në Stamboll dhe Edrene. Edhe pse me një detyrë të rëndësishme e të vështirë, ai kishte merak Beratin dhe ka udhëhequr disa dhjetëvjeçarë ndërtimet e këtij qyteti. Grëmshi mori të tatëpjetën në kohën e shthurjes së spahillëkut, ku një pjesë e bejlerëve dhe spahinjve humbën pronat e tyre, sidomos në territorin grek ku kishte filluar revolucioni dhe lufta për shkëputje nga Turqia. E kësaj kohe ka qenë edhe lëvizja e frashërllinjve nga Grëmshi për të cilën Sami Frashëri në “Kamus Ul Alam”, faqe 123, thotë: “Bejlerët e Frashërit origjinalisht janë të shpërngulur prej rretheve të nënprefekturës së Tomorricës së Beratit dhe janë atdhesuar në katundin Stanimakë, që atyre iu dha si feud. Një tjetër figurë e shquar që pohon origjinën e tij nga kjo krahinë është edhe internacionalisti  italian Antonio Gramshi. Në një letër drejtuar motrës së gruas së tij nga burgu i Turit, më 12 tetor 1931, ai shkruan: “…Vetë unë nuk kam asnjë racë; im atë është me origjinë shqiptare të vonshme, familja iku nga Epiri pas ose gjatë luftës së vitit 1821…”.

Miq dhe udhëtarë

Që para 300 e ca vjetësh, Evliha Çelebiu thotë se që nga Evropa mjekët e atëhershëm i dërgonin pacientët e tyre në Tomorr për barërat shëruese të këtij mali; gati 160 vjet më parë, piktori i madh anglez, Eduard Lir bën një nga pikturat më të bukura dhe që ngeli kryevepra e tij me pamje të Tomorrit dhe të zonave përreth tij.  Më vonë janë të njohura dhe të dokumentuara udhëtimet e studimet në Tomorr të udhëtarëve e dijetarëve të shquar evropianë si Martin Lik, Margaret Halcuk, Antonio Baldaçi etj. Naim Frashëri, jo pa një ngacmim, shkruan “A mos vjen prej Çamërie,/ prej Skrapari, prej Dobreje”. Muza poetike i solli me njëherë në mend Dobrenjin, se ai aty kish njerëz të gjakut të tij, kishte një hallo.

Eqerem bej Vlora shkruan gjatë për udhëtimin e tij në librin “Nga Berati në Tomorr e kthim”. Duke shprehur pasionet e tij aventurore, udhëtimet dhe gjahun, ai gjeti në këtë vend gjithçka donte, të cilat i hodhi bukur në letër, ku bën përshkrime piktoreske të natyrës, por edhe të gjendjes së mjeruar të njerëzve. Ai ka bujtur në shtëpinë e Mahmut Zaloshnjës, por pa pyetur dhe pa e ditur se i zoti i shtëpisë ishte një luftëtar i shquar, se ky ishte ai “Mahmut nga Tomorrica/ me njëqind e ca kastriqa”…, siç i këndonte populli. Beu i bredhur, i zgjuar, por shumë qibar, veç një përralle të bukur që dëgjoi nga Mahmuti dhe e botoi më vonë, nuk e pa me vend të shkruante më gjatë për këtë fisnik krahine, që e priti si të priturit, me të gjitha nderet që i takonin sërës së tij. Po kështu, megjithëse Zybë Ujaniku “rrëzoi shtëpinë mbërdhe” për Beun vlonjat, ai e përshkruan atë ftohtë dhe pa një pikë simpatie, por më tej shënon se i kishte bërë shumë përshtypje zgjuarsia e atij njeriu për ta vënë shpejt paranë. Sido që të jetë, fisnikët tomorricarë e bënë detyrën, e diti a s’e diti miku, tjetër gjë. Dhe kjo besojmë se nuk i bën dëm figurës së Beut të shquar dhe tepër të kulturuar. Ndaj ne sot e quajmë nder të veçantë që ai ka shkelur në këto anë, që ka qenë mik e dashamirës i Tomorrit dhe i Tomorricës.

Sali Butka kishte dy çeta në Tomorricë që komandoheshin nga Dostllarët e Zaloshnjes, Serveti dhe Mahmuti, me të cilët kishte lidhje të afërta miqësore. Ai ka vepruar gjatë në këto anë. Dhe siç thotë kënga: “Në Konak thërret tellalli,/ thërret Sali Kapedani”…

Në vitin 1923 Fan Noli kalon një natë në Dobrenj. Në një debat që bën në Parlamentin shqiptar të asaj kohe ai thotë: “Sa për Shqipërinë e këtushme, kam parë rasën të udhëtoj nga Dobreja në Voskopojë 25 orë me kalë dhe kudo kam parë katunde të prishura…Patriotizmi dhe sakrifica e këtij populli nuk është kursyer aspak”.

Në vitet e Luftës Nacionalçlirimtare puna solli në këto anë, më saktësisht, në Çetën e Plakut të Maleve, Mestan Ujaniku, dy luftëtarë të shquar me përmasa kombëtare, Heroin e Popullit Ramiz Aranitasin nga Mallakastra dhe Gjin Markun nga Mirëdita, të cilët populli i Skraparit dhe i Tomorricës i deshi dhe akoma i do e i nderon si bijtë e tij.

Poeti Ali Podrimja nga Prishtina, më shumë se nga mali, u befasua, thuajse mbeti pa gojë, kur dëgjoi vargjet e tij të recituara nga një mësuese atje, në Tomorr.

Me atë famë që mori në vitet ‘70-‘80 me zërin e tij brilant, Artisti i Popullit Demir Zyko, domosdo që do të kishte miq të shumtë, gazetarë, shkrimtarë, regjisorë, skenaristë, por më i veçanti, që bujti disa herë në shtëpinë e tij dhe që u bënë miq të vërtetë, ishte Dritëro Agolli, i cili, pas kësaj njohjeje, nuk e linte më të flinte Xha Demirin në hotel kur ai vinte në Tiranë, por e merrte në shtëpi.

Se Tomorrica dhe Skrapari bëjnë mik pa mik.

Zylyftar Hoxha


Çuka e Tomorrit

Tomorrit, si mal me virtyte perëndie e njerëzore, krahina e Tomorricës, Dangëllisë, Sulovës, Dëshnicës, Mallakastrës dhe gjithë Myzeqesë, që e kanë Tomorrin gjithë ditën para syve, i drejtohen atij në të mira e në të këqija. Betohen “Për atë mal”! “Për atë re”! “Për atë çukë”! “Për Baba Tomorrin”! “Për Abas Alinë”! “Të rroni sa mali i Tomorrit”! Ose mallkojnë: “Të vraftë çuka e Tomorrit”! “Të paftë Abas Aliu”! Është kjo arsyeja që çdo vit më 9-12 gusht sipas kalendarit Osman ose 20-25 gusht, sipas kalendarit të ri, bëhet festë e madhe në Tomorr. Në këto ditë mali i shenjtë pret e përcjell mbi 100 mijë vetë, veçanërisht  pelegrinë bektashianë, por edhe të tjerë, për t’u falur e therur kurban për shëndetin e tyre, për shëndetin e tërë familjes, për mbarësinë e pjellorinë e kafshëve e prodhimeve bujqësore. Pelegrinët vijnë nga e gjithë Shqipëria, por edhe nga Mali i Zi, Kosova e Maqedonia. Nuk mungojnë as studiuesit, ekskursionistët dhe qejfllinjtë romantikë që me këtë sebep kalojnë disa ditë e net joshëse e të paharruara në këtë mal.

Gjurmë në histori

Familja e Muzakajve, sipas dokumenteve të shkruara nga dora e pinjollëve të kësaj dere, e kishte Tomorricën si “qilarin” pasurisë së saj, pasi aty kishte edhe minierën e floririt. Nëpër Tomorricë shkonte një degë e Egnatias, e cila ka funksionuar edhe gjatë Mesjetës ku Venediku çonte mallrat e tij në Voskopojë e më tej, në Grebene e Selanik, por askush nuk ka thënë një fjalë të saktë për të, nëse ajo ishte rrugë qerresh apo thjesht karvanësh me kuaj ngarkese. Në Tomorricë për shkak të dendësisë së popullsisë, ku ngriheshin 500 luftëtarë njëherësh, dhe grumbullimit në të të shtresave të të pasurve, ka patur edhe përplasje të fuqishme me Portën e Lartë, sidomos në kohën  e timareve, ku timarlinjtë nuk donin të shkonin më nëpër luftëra, por po merreshin me zgjerimin dhe administrimin e timareve të tyre. Ato nuk kanë qenë thjesht kapricio historike, por kryengritje të mëdha, si ajo e vitit 1570, e udhëhequr nga i pari i Tomorricës, Hamza beu nga Grëmshi.

Stoçeni, një fenomen i çuditshëm natyror

Jo rrallë në Tomoricë shfaqet një i ftohtë që të pret dhe që shoqërohet me një erë të fortë. Retë ngjishen pas tokës dhe shtrihen si qilim. Një dukuri e tillë nga vendasit quhet “stoçen”. Ky shfaqet në Qafë Pelë të malit të Tomorit, në gjithë Tomoricën, nga Qafa e Gostënckës dhe deri në Nartë të Grëmshi, por më i theksuar shpërthen në Gur të Prerë, në Qafën e Gjarprit dhe bllokon për tri-katër ditë fshatrat Postenë, Grevë, Kovaçanj, Straficë e Vishanj. Ndërsa në anën tjetër, në të njëjtat ditë, në krahun e Tomoricës së “Bardhë” mund të dalësh e të shullëhesh në diell.

 “Adresa” e sotme e grëmshiotëve të dikurshëm!…

Në një studim të Hetem Bakiasit, një personalitet i njohur në Skrapar që s’jeton më, gjen edhe këto të dhëna për shpërnguljen e grëmshiotëve në mes të viteve 1700:

Në fshatin Përrenjas të Tomoricës 60 familje, me mbiemrat Jaubelli dhe Ganxha; në Zaloshnjë, 50 familje, me mbiemrat Dosti, Musabelliu dhe Çarçani; në Mëlovë, me mbiemër Zhiti, 20 familje; në Turbëhovë, 80 familje me mbiemrat Koxhabellinj dhe Guri; në Ujanik 90 familje me mbiemër Musabelliu; në Trebël, 100 familje me mbiemrat Fejzo dhe Ismaili; në Davidh, 20 familje me mbiemrin Omeri; në Rehovë, 20 familje me mbiemrin Çeta; në Vishanj 50 familje me mbiemrat Metani dhe Kaposhi (Kapllani); Në Kuç, 15 familje me mbiemër Pollogati; në Floq, me mbiemrin Zhuri; në Krushovë, 40 familje me mbiemrin Zykollarë; në Nishovë 30 familje, me mbiemrin Goxhaj. Jashtë rrethit, në fshatin Çekin të Gramshit, 50 familje me mbiemrin Balliu; në Velmish të Roskovecit, 20 familje me mbiemrin Velmishi dhe Goduni; në Gjenoven, Velabisht e Palikësht të Beratit, 42 familje, me mbiemrin Grëmshi; në Mazrrekë të Korçës, 30 familje me mbiemrin Brahimaj; në disa fshatra të Korçës, 30 familje me mbiemrat Bejko dhe Ahmetas; në Kozarë të Beratit; në Sotirë të Gramshit me mbiemrin Agollarë; në Cërrunjë, me mbiemrin Osmënaj; fshati Gramsh mbi qytetin e Gramshit. Me origjinë nga Grëmshi ka edhe në shumë fshatra të tjerë të Skraparit, Beratit, Fierit, Korçës, Gramshit etj. Po kështu mjaft banorë të Grëmshit janë vendosur në fshatrat arbëreshe në Greqi dhe Italinë e Jugut. Gremshëllinjtë morën me vete si trashëgimi kulturore dhe tradita, virtytet e të parëve të tyre të cilat ua u lanë në traditë edhe pasardhësve të tyre siç ishin mikpritja, mirësjellja, trimëria dhe patriotizmi, veti këto që u reflektuan në breza, të cilët u dalluan si në fushën e luftës për liri po ashtu edhe në kulturë e mençuri. Internacionalisti dhe filozofi italian Antonio Gemshi pohon me gojën e tij se të parët e tij kanë qenë nga Grëmshi, një krahinë e Shqipërisë së jugut.