Neki Sula (Zaloshnja), “froni me kadife” ku rehatohej mirësia **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Neki Sula (Zaloshnja), “froni me kadife” ku rehatohej mirësia

Fatjon Kaloci
16.8.21

Një shkrim nga Bashkim Koçi

Aty nga fillimi i viteve ’70 të shekullit të kaluar mbaj mend diçka që më është bërë pjesë e gjërave të vyera, të veçanta, të atyre të mëvetësuara që “të mbeten në mendje” sa je gjallë. Isha ulur për një kafe në një nga lokalet më të preferuara të qytetit të Ҫorovodës, tek “Sorkadhja”, siç ia kanë vënë emrin skraparlinjtë për shkak të një sorkadheje “të derdhur “ nuk di me çfarë, por që është në “vendin e saj”, nëse kemi parasysh atë mjedis buzë lumit që “çan” qytetin,  të mbytur nga gjelbërimi. Teksa lokali ishte mbushur tej e tej, vjen një burrë i moshuar të cilin nuk mbaj mend nëse e shoqëronte kush, por mbaj mend tjetrën që njerëzit, ata që ishin ulur nëpër tavolina për “qejf të vet”, lëvizën nga vendi, e përshëndetën ardhësin sipas zakoneve të vendit, ndërsa dikush tjetër u ngrit në këmbë për ta takuar e përshëndoshur. Nuk e kisha parë ndonjëherë atë njeri, por kur më thanë se personi që bëri “të lëvizte” lokali ishte Neki Sula, brënda ndërgjegjes time mu shfaq një “drejtqëndrim” sepse, edhe pse isha shumë i ri, më kish rënë rasti të dëgjoja për të, të më kishin treguar ngjarje e episode që e lartësonin si figurë, si kuadër i rangjeve të rëndësishëm të Skraparit.

Në kujtesën e popullit mbetet vetëm ai të cilin populli e ka dashur. Neki Sulaj, personazhi për të cilin po shkruajmë këto radhë, është një ndër ata të paktë skraparlinj, që falë kontributit të tij të çmueshëm për të qëndruar në krah të punëve të mira, edhe pse ka kaluar afro një gjysmë shekulli që është ndarë nga jeta, mbetet si ajo kënga e bukur që përcillet nga brezi në brez, duke e kënduar. Dhe kur them “duke e kënduar” kam parasysh të treguarat, shpalosjen e virtyteve të këtij njeriu me zemër të madhe tek i cili mirësia rehatohej si në një kolltuk me kadife.

Neki Zaloshnja i përket një brezi të lashtë, disi të largët. Ai u lind këtu e një shekull më parë, në 15 Maj të vitit 1917 në fshatin Zaloshnjë të zonës së Tomorricës, në Skrapar. I përket plejadës të njerëzve të sakrifikuar, të atyre që e marrin vlerësimin  për mënyrën sesi u arsimuan, që u bënë “me emër” në saje të “luksit të kushtueshëm” nëse kemi parasysh pjesmarrjen në Luftën Nacionalçlirimtare apo përpiekjet për të mposhtur varfërinë dhe injorancën në një zonë malore si Skrapari.

Nekiu u shkollua, por siç thoshte ai, “arsimimi është durim i gjatë”. E filloi në fshat, në shkollën e Zaloshnjës, ngritur në muajin tetor të vitit 1914 dhe, më pas, meqë kishte një hallo në Vërzhezhë, e konsideroi veten me fat për të mësuar në internat, shkollën e famshme të patriotit Pasho Hysi i cili, sipas kujtimeve të tij, “ u tregua burrë, duke më ndihmuar për të vijuar mësimet me bursë”. Ishte viti 1925.

Janë ca gjëra që njeriu i asimilon, i bën të tijat që në vogëli, në moshën që është ende “letër e pashkruar”. Në këtë sens, Neki Zaloshnja (Sulaj) nisi të kryejë “vepra të mëdha”, gjeste që edhe sot të frymëzojnë për ta dashur vendin, Shqipërinë tonë, të cilën armiqtë tanë kanë dashur e duan ta asimilojnë. Në Internat, diku në korridorin e shkollës, qëndronte një “hartë politike” tek e cila ishulli i Sazanit ish ngjyrosur ashtu si harta që i përkiste territorit të Italisë. Nekiu nga çka pa nuk e mbajti veten dhe, për t’u shfaqur para shokëve nxënës i guximshëm, njeri që nuk kish frikë për të kryer veprime që ia kënaqnin shpirtin, e ngjyrosi ishullin, Sazanin që kemi sot, me ngjyrën e atdheut të tij, Shqipërisë. Të mos harrojmë që Nekiu-fëmijë, ai që guxonte të korrigjonte, të thoshte të vërtetën rreth “pronësisë” të Ishullit të Sazanit, ishte vetëm 8 vjeç. Ky veprim dikujt i duket paksa i pabesueshëm, në mos i sajuar kur sot politikanët tanë, “burrat me kollare që e duan Shqipërinë si gjithë Evropa”, ia shitën Detin, qindra kilometra katrorë, fqinjit tonë me pretendime territoriale, Greqisë. Por e vërteta është kjo, ndoshta me pak “firo” për shkak të kohës shumë të largët kur ajo ka ngjarë, në çerekun e parë të shekullit të XX-të. Ajo, çka kam mendimin të ruhet, të njihet, dhe për më tepër t’u përcillet brezave, është që lavdinë e paraardhësve tanë ta vlerësojmë si një gjë të shtrenjtë dhe ta ruajmë si diçka të tillë, pra të shtrenjtë.


Vlerat e njerëzve, emrin që ata lenë tek brezat që vijnë, tek pasardhësit, duhet të standardizohet sipas mënyrës sesi e kanë arritur atë. Emri i Neki Zaloshnjes ka kaluar disa filtra për të mbritur tek personat-elitë të Skraparit. Një ndër këta “filtra”, më i patolerueshmi, është ai i Luftës Nacionalçlirimtare. Për luftëtarin skraparas mbetet pjesa më me kuptim e jetës, mbeten vitet që ai arriti të bëhej vërtet njeri, vite që më në fund mësoi se ç’vlerë kishte liria. Neki Sula e konsideronte veten “të lindur me këmishë” jo vetëm pse punoi e u këshillua, ndërmori veprime e udhëtoi fshat më fshat si veprimtar dhe Sekretar i rininë për zonën e Tomorricës, krah “Heroit të Popullit” Ajet Xhindole, Sekretar i Rinisë për Qarkun e Beratit, por edhe për një fakt tjetër që ai e vlerësonte si “dekoratë” të falur nga një tjetër “Heroi i Popullit”, Ramiz Aranitasi. “Dekorata” kishte të bënte me betejën e fituar me luftë, atë të 28 gushtit të vitit 1942 kundër Milicisë Fashistë në fshatin Melovë. Më duhet të shënoj që ky luftëtar energjik ishte bërë pjesë e Batalionit Territorial të krijuar në Zaloshnje rreth një muaj më parë, më 14 korrik të atij viti e ku, po në këtë formacion partizan, ishin rreshtuar ajka e djemve të Tomorricës si Ismail Gjerbësi, Veri Dosti, Nazmi Diko, Hajredin Fërtuna, Përparim Sula, Kasëm Sojati etj, dhjetë prej të cilëve ranë në përpjekje me pushtuesin dhe sot janë dëshmorë të Atdheut.

Këtij njeriu të urtë e të matur i kënaqej shpirti kur bindej se ajo çka shikonte e dëgjonte ishte e vërtetë. Në kujtimet e tij gjen plot episode, ngjarje nga më të pabesueshmet, madje edhe që të diktojnë të bësh një pyetje si kjo: more, vërtet të ketë qenë Neki Zaloshnja kaq i fortë, të ketë duruar muaj e vite për të plotësuar ca ëndrra që dikujt i dukeshin “teka” të moshës së rinisë? Përgjigja merret e plotë dhe e saktë kur njihesh me atë çka ai arriti të bënte, si veprimtar i shquar i viteve të Luftës dhe si drejtues e organizator i zoti, idealist, i periudhës së pasçlirimit. E shkurtër, por me një të vërtetë të madhe brënda, është kjo çka i shkruante një bashkëluftëtar i tij, Et’hem Kapinova, kur Neki Zaloshnja doli në pension: Ҫuditem, i dashur Neki, sesi ia dolëm të bënim luftë dhe të dilnim fitimtarë, të drejtonim sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, të politikës e të shoqërisë, edhe pse kishim zbritur nga fshati, edhe pse kur na u ngarkuan ato detyra shumë të rëndësishme, ne sapo kishim lënë tufat e bagëtive.

Mund të jetë njeri me cilësi të larta, me vlera, vetëm kush ka zemrën të madhe. Në këto kohëra që po jetojmë gjen shumë pak njerëz që të meritojnë këtë emër të lartë e fisnik, NJERI. Shumica janë përbindësha, idealistët janë në minorancë.

Neki Zaloshnja radhitej tek të rrallët, ishte njeri me zemër të madhe. Mund të sillen fakte e shembuj të shumtë, por në atë mori mirësish që ai bëri në një jetë të tërë, po marr vetëm një, disi shumë i veçantë. Në fshatin e tij, në Zaloshnjë, beu i fshatit në vitin e largët 1903, kishte marrë disa familje evgjitësh nga qyteti i Korçës për të kryer shërbime të ndryshme, por kryesisht për të punuar tokën. Kaluan vite dhe erdhi një moment që fëmijët e këtyre familjeve u rritën dhe për këtë u duhej që të krijonin familje, të martoheshin. Nga Korça, andej nga kishin ardhur, nuk bënte vaki që të merrnin nuse sepse jetonin e punonin në fshat. Vajzat po, u krijohej mundësia që të martoheshin andej nga kishin ardhur apo gjetkë ku banonin evgjitë. Neki Zaloshnja atë kohë ishte në detyrën e Sekretarit të Parë të rrethit të Skraparit. Pra fuqiplotë. E di ç’vendim mori ai për të ndihmuar, për të martuar djemtë evgjitë të Zaloshnjes? I transferoi të gjitha familjet në qytet, në Ҫorovodë. Edhe sot e kësaj dite shumica e tyre jetojnë e punojnë aty në saje të mirësisë që tregoi Neki Zaloshnja.

Vështirësitë e jetës sigurisht që të lodhin, por nga ana tjetër edhe të forcojnë. Të forcojnë besimin për mos u tërhequr para malit me probleme që duhen të japësh zgjidhje dhe, nga ana tjetër, të kalisin karakterin, i cili është kriteri i vërtetë për të vlerësuar njeriun. Njohja me jetën, me veprimtarinë paksa të rënduar e me gjithfarë peripecish të Neki Zaloshnjës vetiu del në përfundimin se ai nuk u turpërua asnjëherë vetëm pse i gjykoi gjërat me mendje të ftohtë  dhe vuri në punë me kapacitet të plotë forcën e karakterit.

Erdhi një kohë që këtij burri të nderuar skraparas iu kërkua të zbriste disa shkallë nga përgjegjësitë dhe funksionet e larta që mbante . Ndërkohë, për shkak të kontributit që kishte dhënë në luftë dhe në punë për disa dekada, por edhe të vlerave intelektuale që bartte, iu ofruan pozicione të përzgjedhura, të lakmueshme, madje në Kryeqytet, në Tiranë. E, cila qe përgjigja e Neki Sulës (Zaloshnjes)? “Jo, jo! Nuk do të pranoja kurrë të largohesha nga Skrapari, nga Ҫorovoda, nga vendi ku lashë rininë, të gjithë vitet e jetës time aktive, nga shokët e miqtë e shumtë të cilët do të më mungonin tani kur unë kam shumë nevojë për prezencën, për ngrohtësinë e dashurinë që më falin”.

Ai, për vitet e punës që i mbetën, qëndroi si drejtues në disa ndërmarrje të rrethit të Skraparit. Deri sa doli në pension. Pastaj, ashtu si mund të veprojë një njeri me ideale të kristalta, iu bashkëngjit Organizatës së Veteranëve për të kontribuar deri në fund, për të dhënë aq sa të mundte, sa të kish frymë, ashtu siç kishte bërë gjithë jetën. Ndoshta kjo është “magjia” që popullariteti i Neki Sulës (Zaloshnjes) nuk qëndroi vetëm tek bashkëkohësit, por arriti deri në ditët e sotme, tek pasardhësit.

       
         
close