Si i mblodhi Neim Mustafaraj mijëra faqe mbi folklorin dhe i shkroi me makinën që i dhuroi Agolli? **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Si i mblodhi Neim Mustafaraj mijëra faqe mbi folklorin dhe i shkroi me makinën që i dhuroi Agolli?

Fatjon Kaloci
14.8.21

Një shkrim nga Bashkim Koçi:

Nuk di pse më ka mbetur në kujtesë,  këtu  e gjysmë shekulli  të shkuar, portreti  i një mësuesi disi të çuditshëm, i Neim Mustafarajt,  nga qyteti i Çorovodës  në Skrapar. E mbaj mend që ai  ishte trupshkurtër, kishte ca tipare të një  njeriu të heshtur, paksa të mbyllur  e enigmatic në vetvete  dhe që të krijonte përshtypjen,  se ky njeri,  jetonte më vete dhe për vete, pa u ndikuar aspak  nga bota që na rrethonte  ne,  të tjerët. Jo pak “enigmatik” e bënte mësuesin e pa gojë,  e pa zë, çanta që mbante gjatë gjithë kohës më dorë, duke mos e lëshuar për asnjë çast, si të kishte brenda saj vlera shumë të çmuara. Ndoshta edhe nga ky fakt më ishte krijuar bindja se askush nuk e dinte cili  dhe ç’përfaqësonte  mësues  Neimi,  pale pastaj,  të kishe  informacion  të saktë se  çfarë  thesari mbante  brenda  vetes së tij! Sigurisht, që në mjedise intime, kafene apo “muhabete  rruge”,  nuk mungonte të sillej “informacioni” se mësues Neim Mustafaraj,  ishte mbledhës  folklori dhe kishte lidhje të drejtpërdrejta  “me ata të Tiranës”,  me drejtuesit e Institutit të Kulturës  Popullore.  Madje thuhej,  që kishte simpati  e njohje personale me personalitete të shkencës dhe kulturës të asaj kohe, siç ishte Kryetari  i Lidhjes së Shkrimtarëve Dritëro Agolli, studjuesi i njohur i folklorit, Zihni Sako, drejtori i Institutit të Historisë e Gjeografisë,  Androkli  Kostallari,  etj. Madje  mësues Neimi,  pjesën më të madhe të punës së tij e hodhi  të shtypur  në letër me një makinë  shkrimi  që i kish falur shkrimtari i madh, mik i rrallë i familjes së tij, Dritëro Agolli. Këto të dhëna nga sa intime,  po aq edhe publike,  e bënin edhe ca  më shumë mistik emrin dhe punën e mësues Neim Mustafarajt.Jetë  me “ngrihu, rrëzohu e prapë ngrihu”

Neim Mustafaraj lindi plot një shekull më parë në fshatin Radësh të Skraparit,  më 17 Mars të vitit 1920. Radëshi është fshat shumë afër  Çorovodës,  madje  konsiderohet  “ballkoni” i saj. Që do të thotë të jetë po kaq afër edhe me lumin Osum. Por edhe shumë afër malit të Ramijes, i cili i qëndron mbi krye  si çati e mbuluar me rrasa bore. Vargmali  zgjatet për në perëndim dhe majë pas maje të çon në Qafën e Kulmakut,  e pastaj në Çukën e Tomorrit. Pra Radëshi, një këmbë  e mban në vërri, “në Myzeqe”, dhe tjetrën në mal, nën dëborë. Ndoshta  ky pozicion gjeografik bëri  që Neimi të kishte ca lidhje jo të zakonshme  me vendlindjen,  dhe që jo pa nostalgji e frymëzim, siç thoshte ai, “më ka ushqyer  me ëmbëlsinë e me mirësitë e natyrës  të atij vendi të bekuar  nga  Zoti”.Shkollën fillore, Neim Mustafaraj e mbaroi në qytet, në Çorovodë, për të qëndruar  e përjetuar më pas aty në fshat, pranë familjes, të mirën e të keqen, të hidhurën e të ëmblën, ashtu si ia solli jeta deri në vitin 1938.  Janë çudirat e kohës, por duhet thënë ky fakt,  se ai e filloi klasën e pestë në qytetin e Beratit, kur kishte mbushur  moshën 18 vjeç(!) Por në jetën e njeriut  shpesh dalin pengesa  të paparashikuara, të egra e të mundimshme, aq sa të gjitha planet rrëzohen vetëm për një moment, si të ishin kështjella të ndërtuara  mbi  rërë. Ashtu siç ngjau edhe me Neim Mustafarajin.

Neim Mustafaraj


Për shkaqe ekonomike , ai i ndërpreu mësimet. Udhëtoi pastaj në disa qytete  të vendit  për të gjetur e realizuar punë të rëndomta  krahu, aq sa për të mundësuar e siguruar disa të ardhura për të mbajtur me frymë pjestarët e shumtë të familjes. Në këtë mjedis zemërimi  e urrejtjeje, tërbimi e pasigurie,  Neim Mustafaraj  mundi që, ca drejtëpërdrejtë,  e ca “vjedhurazi”,  të arsimohej aq sa të kishte aftësi të jepte mësim për fëmijët e vegjël të fshatit Radësh. E, meqë kishte filluar Lufta e Dytë Botërore, mësues Neimi u bë edhe pjesë e Çetës të luftëtarëve  të Radëshit dhe të një strukture edhe më të lartë, siç ish Komanda  e Vendit. Për këtë personazh të çuditshëm, në fillimet e jetës së tij si mësues, e si luftëtar,  ekzistojnë ca momente  interesante kur heshtja  jehon më fuqishëm se çdo gjë tjetër. Për të ilustruar sadopak atë çka mësues Neimi e përcillte në situatë lufte çdo vatre familjare, që fshatarët të ngriheshin në këmbë për t’u ndërgjegjësuar në luftën për çlirim, shkëputëm vetëm një paragraf nga libri i tij monografi – “Radëshi tre mijë vjet histori”. “Vazhdimisht  leximin e këtyre trakteve e bënte në dyqan Lipe Reveli, kurse në fshat e bënte  mësues, Neim Mustafaraj. Aty porositej: -Asnjë të mos bëhet anëtar i fashizmit, të mos shkruhej asnjë milic, të mos shkojë asnjë ushtar në ushtrinë fashiste; të mos jepen taksa, si xhelep e të dhjeta; të bëhen sabotime, të merret pushka e të luftohet  kundër pushtuesit.” Të gjitha këto mësues Neim Mustafaraj,  i  konsideronte  pjesë të programit mësimor, por të disiplinuar në detyrën  për situatë të jashtëzakonshme:  - për  luftën.

I frymëzuar nga vetvetja

Çdo gjë lind e vogël dhe pastaj rritet. Neim Mustafaraj  ishte dhe e përkrahte këtë filozofi të menduari,  ndaj emrin e bekuar  të mësuesit  nuk mund ta konsideronte  të plotë  pa u arsimuar e edukuar  në  shkollë  profesionale,  në shkollë që të përgatiste për mësues. Madje,  për shkak të kësaj “egoje” ai, pasi përfundoi  me sforco arsimin 7-vjeçar, menjëherë pas çlirimit të vendit filloi  të studjonte për mësuesi pranë shkollës Pedagogjike në qytetin e Beratit, nga ku pa as më të voglin dyshim,  e shikonte jo vetëm rrugë të suksesit  e të ardhmes së tij, por të të gjithë djemve  e vajzave  të fshatit, tek të cilët shikonte  etje e padurim  për të parë dritën e diturisë. Në këtë kuptim ai nuk mund t’i vinte fre pasionit, e ca më shumë këmbënguljes  së  tij për  të shërbyer  në arsim, në fushën  e edukimit të fëmijëve. Dhe është absolutisht rrjedhë e kësaj vendosmërie që ai, Neim Mustafaraj, në moshën 44 -vjeç të përfundonte  edhe studimet e larta në UT, në Fakultetin  Filologjik, dega Gjuhë-Letërsi. Nga  ky vit, e më pas, ai shëtiti gati të gjithë fshatrat e Skraparit në detyrën aq të preferuar e fisnike për të, atë të mësuesit. Janë dhjetra fshatra, që do të thotë, po kaq shkolla, ku Neim Mustafaraj, bëri të qeshnin qindra fëmijë,  ku faktorë të tjerë ekonomikë të kohës ndikonin fort që t’i bënin për të qarë.Neim Mustafaraj,  “Thimi Mitkoja” i Skraparit

Mësues Neimi nuk ishte nga ata që i shfaqte lehtë pasionet e tij me njerëzit e zakonshëm. Ishte njeri i heshtur ndaj atë çka kishte dhe mbante  përbrenda vetes,e kishte vetëm për vete. Por diku, çast që i duhej të deklaronte  diçka nga suksesi i tij në punën  si mbledhës i folklorit, nuk nguroi të pranonte këto fjalë: “ U bëra më i fortë si mbledhës dhe përpunues  i traditës popullore,  sepse duhej  të bëhesha nga pasioni im i brendshëm, por  edhe  më i mençur,  sepse mësova gjatë rrjedhës  së jetës sime në gërmimet  për folklorin dhe kulturën gojore të popullit  të krahinës së Skraparit”.  Pra mësues Neimi,  kontributin e tij të shquar si intelektual e ka në fushën e folklorit, të historisë dhe të krijimtarisë në fusha të tjera të jetës. Si  mbledhës i folklorit, pa as më të voglin  dyshim, ai mund  të krahasohet me Thimi Mitkon, me autorin e përmbledhjes folklorike “Bleta Shqiptare”. Nuk është rastësi që mësues Neimin, për punën dhe produktin  që ka lënë në këtë fushë me vlera të jashtëzakonshme  për kulturën shqiptare dhe për brezat, ta pagëzonin  si  “Bleta e Skraparit”.  Si mbledhës  i fjalëve të urta, të frazeologjizmave  e shprehjeve të figurshme  dhe prozës popullore,   puna e tij është titanike dhe pakush e di se si dhe ç’shërbesa i bëjnë  të ardhmes së vendit.  Edhe sot e kësaj dite në bibliotekën e tij “flenë” me dhjetra  punime e dorëshkrime që presin  të botohen për t’u bërë pjesë e fondit  të arkivit të Institutit të Kulturës Popullore.

Arkivi dhe mbledhësi i një libri

Emri i Neim Mustafarajt radhitet me plot dinjitet në fondin e artë të krijuesve më të mirë e më me zë skraparas. Ndër librat që mbeti të renditej në serinë  “Mbledhës të folklorit”,  është vëllimi voluminoz , “Kënga popullore  e Skraparit”.  Në këtë linjë ai na ka lënë edhe plot libra të tjerë studimorë  me vlera të rralla  jo vetëm për Skraparin, por për kulturën tone mbarëkombëtare. Duhet  të përmenden disa prej tyre si: “Toponimia për 81 fshatra të Skraparit”, “Fjalët e rralla”, “Shprehje frazeologjike”, “Përralla dhe gjë a gjëza” etj.  Edhe një tregues  tjetër, që lartëson punën voluminoze  e  të palodhur  të këtij studiuesi e hulumtuesi  të jashtëzakonshëm,  janë dorëshkrimet  e tij që i kalojnë 15 mijë faqe. “Kënga popullore e Skraparit”,  është ndoshta kryelibri  i Neim Mustafarajt. Për sistemimin dhe botimin e tij (1998),  u morën dy personalitete të mëdhenj, dy intelektualë të shquar, siç janë poeti Akademik  Xhevahir Spahiu dhe Prof. Shaban Sinani. Nuk është vendi këtu për të sjellë e zbërthyer  faqe pas faqeje, punën sfilitëse dhe me shumë përgjegjësi  profesionale të autorit, por një vlerësim serioz, nëpërjet opinionit që sjell Prof. Shaban Sinani, duhet thënë me patjetër:“Kënga popullore e Skraparit”,  në vështrimin e studiuesit  ka rëndësi,  jo vetëm pse zgjeron përfytyrimin e larmisë tematike dhe topologjike  të këngës popullore shqiptare, por edhe për të dëshmuar  vazhdimësinë  e saj nga një zonë në tjetrën, nga një brez në tjetrin, nga  një kohë në tjetrën, deri në ditët e sotme, kur teknika tashmë ka ndyshuar  rrënjësisht  skemën e qarkullimit  të forklorit. Ky është një botim i denjë për të dëshmuar  para mediumeve  kulturorë dhe letrarë,  pasurinë e trashëgimit  të popullit  të Skraparit. Lexuesi do t’i jetë mirënjohës mbledhësit  Neim Mustafaraj, për ndërmjetësinë e tij të suksesshme prej burimit  në arkiva dhe prej  arkivave në botime.” Vëllimi përmbledh balada, këngë nizamësh, këngë kurbeti e këngë të tjera elegjike, këngë historike, dëshmorësh, këngë dashurie, dasme, këngë djepi dhe lirika të tjera. Janë plot 571 të tilla. Suksesi i Neim Mustafarajt,  duket se ishte i lidhur me veprimin. Pra ai kish pranuar të ishte në  lëvizje vazhdimisht. Të shëtiste fshat më fshat, të takonte atje njerëz  të thjeshtë, nga ata që shërbenin  si burim i folklorit e pastaj gjithçka ta hidhte të shkruar në letër. Mandej ai nuk harronte  të lidhej herë pas herë me kompetentët,  që kishin njohuri  të thella, me ata që ishin ustallarë  të trajtimit shkencor të mbledhësit  nga burimi i forklorit. Një nga këta përfaqësues të denjë, dhe që Neim Mustafaraj ndjehej  si “i shtëpisë”, ishte Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë pranë  UT,  me të cilin kishte komunikim  të pandërprerë. Rastësisht na ra në dorë një nga këto korespodenca,  e cila mban datën 16 Qershor të vitit 1969,  të firmosur në fund nga Drejtori i Institutit, Prof. Androkli  Kostallari.  “Morëm fletoren me toponime  të mbledhura  në fshatrat Kala, Munushtir, Grepckë, Strafickë, Kavaçaj, Grevë, Postenë, Vishanj, Barç, Kuç, dhe Floq-Rehovë të Skraparit,  si dhe leksikun e avëlmëndit dhe të mullirit (22 fjalë).  Sektori i leksikologjisë dhe i leksikografisë  ju falenderon për punë të mirë dhe nëpërmjet bashkëpunimit tuaj edhe në të ardhmen”. Ky studiues i vëmendshëm  e shikonte folklorin  si përcjellës  të vlerave  shpirtërore,  të tipareve e të virtyteve më të qenësishme të banorëve  të asaj treve, të ndjenjave e të shijeve të tyre në jetën e përditëshme, të shtrirë në shekuj.

Emblemë e njeriut punëtor

Neim Mustafaraj, apo mësuesi “Ndrecë Ndue Gjoka” skraparas, i cili me një punë disa vjeçare,  në kushte tmerrësisht  të papërshtatëshme,  ka mundur  të hedhë në vandaqe  letrash format, me shirit  “të lodhur”  shaptilografi,  të gjithë thesarin dhe fondin shpirtëror  të popullit, të shkuarën e deri në ditët e sotme të Skraparit. Një gjë më duhet ta them. Mësues Neim Mustafaraj, gjatë leximit të librave të tij, sillet si një mik i qetë e i urtë dhe që “të jep fjalën” se do të jetë  përherë  këshilltar  i gjindshëm dhe mësues i durueshëm. Nxiret  ky  përfundim për faktin e thjeshtë: Materialet e grumbulluara  me aq këmbëngulje  e fanatizëm, me përpikmëri  të pashoqe,  nëse i referohemi  burimit popullor, në faqet e librave rrjedh lirshëm, pa asnjë sforcim të sajuar dhe me përgjegjësinë  njerëzore,  se dikur këta libra,  do të mund të ballafaqohen  me kërkesa shkencore.  Nga ky këndshikim, pra i “frikës” për të mos mbetur peng i ndonjë gabimi të mundshëm  njerëzor, autori  ka sforcuar veten, i ka thënë “jo” hedhjes të shënimeve “badjava”, studimeve  shkollareske. Njohja e së kaluarës, e historisë njerëzore të një krahine, e folklorit, toponimisë, qoftë edhe të një fshati apo zone të caktuar siç është Skrapari, është stoli, por është edhe ushqim i mendjes për breza njerëzish. Çuditërisht,  mësuesi Neim Mustafaraj,  nëpërmjet librave të tij, të shkruar me aq dashuri, na ka sjellë stolira të florinjta dhe, pa asnjë mëndyshje, do të shërbejnë jo për të shuar kuriozitetin  e lexuesit  rreth “fizionomisë” të mijravjeçarëve të shkuar, por për të shërbyer si fond i çmuar studimi për të gjithë ata që do të interesohen  për të gjetur realisht magjinë e jetës në shekuj. Shkrimtari  Neim Mustafaraj,  mbetet  emblemë  e njeriut punëtor, e intelektualit që sakrifikoi,  për të lënë diçka pas shumë përpiekjeve shumëvjeçare  në fusha të caktuara, por në veçanti,  në atë të folklorit. Por sado natyral që mund të jetë talenti i njeriut, akti i të shkruarit nuk mund të mësohet i gjithi menjëherë. Në këtë kuptim, nëse sjellim fakte nga puna e tij mahnitëse për të studiuar, për të mësuar të tjerët, për të nxjerrë “perla” nga e kaluara, mund të shihet  shumë bukur  krahasimi i sjellë nga redaktori  i njërit prej librave të tij “Radëshi tre mijë vjet histori”,  historiani Petrit Zeneli. Kur studion punimet e tij, thotë historiani, të duket sikur përballesh  me “Lulin e vocërr” të Migjenit,  “Gavroshin” e Hygoit, apo “Colin” i Debatikasve. Neim Mustafaraj,  nuk ka qenë një dhaskal fshati, një mësues, i cili paska guxuar të shkruaj libra folklorikë, historikë,  apo edhe monografi  luftëtarësh. Fatmirësisht,  ai është shumë, më shumë. Veprimtaria e tij kërkimore historike, gjuhësore dhe kulturore  është një pasuri e pafundme, me një larmi e tematikë të gjerë, deri në krijimtari të mirëfillta letrare. Mendja dhe vullneti i tij e paskësh patur të gjithë fuqinë  për të kapërcyer çdo sfidë.

       
         
close