Skraparlliu që bëri epokë në një perandori të tërë **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Skraparlliu që bëri epokë në një perandori të tërë

Fatjon Kaloci
14.8.21

Një shkrim nga Zylyftar Hoxha: 

Ende në fshatin Grëmsh të Skraparit, që nuk duhet ngatërruar me rrethin e Gramshit,  banon një fis me mbiemrin Koxhaj; në Turbëhovë, fshatin ngjitur, Goxhabelliu, prej nga ka rrjedhur kryearkitekti i Perandorisë Osmane në fund të shekullit të 16-të dhe fillim të shekullit të 17-të, Mimar Kasëm Koxhaj.

“Vakufnameja”, testamenti autentik i arkitektit të njohur

Por ajo që hedh dritë dhe që historiani ynë i njohur, Dr. Sulejman Dashi e ka bërë të njohur edhe më parë për specialistët e fushës, historianët dhe lexuesit kuriozë, “Vakufnamenë”, testamentin e Arkitekt Kasëmit, i cili nuk është botuar asnjëherë deri më sot. Madje mendohet se origjinali i saj duhet të ketë humbur. Si rrjedhim, askush nuk e ka shfrytëzuar në vitin 1339 nga origjinali, i cili ndodhet në Arkivën e Përgjithshme të Tapive dhe Kadastrës në Stamboll, por edhe  në Arkivin Qëndror Shtetëror të Tiranës. Testamenti i Mimar Kasemit ka një rëndësi të madhe për atë si personalitet i kulturës shqiptare, për historinë e arkitekturës së perandorisë osmane, por edhe për arkitekturën shqiptare ku ai ka disa vepra.

Jetëshkrimi i Kasëmit në “Vakufname”

Që në fillim ai aty shkruan se ka lindur në fshatin Grëmsh të Skraparit rreth vitit 1570. Pas rinisë së parë, të cilën mjeshtri e kaloi në vendin e tij, në Berat, u dërgua nga i ati Aliu, në kryeqytetin e perandorisë, në Stamboll, për studime në fushën e artit të të ndërtuarit. Thuhet por nuk është vërtetuar se ai ka qenë një nga asistentët më të rinj në moshë të Sinanit të madh, ashtu si edhe Sefedqar Mehmeti nga Elbasani, të dy shqiptarë. Në vitin 1595 ai u konfirmua si arkitekt i oborrit perandorak.

Kryearkitet në Stamboll

Pak kohë përpara vitit 1627, Kasemi u vendos në postin e kryearkitektit të perandorisë, post të cilin e mbajti deri në vitin 1655 vetëm me një vit ndërprerje (1644-45). Nga Vakufnameja del se, përveç veprave të shumta që ka krijuar në Stamboll e gjetkë, Kasemi ka qëndruar disa herë radhazi në Shqipëri, i angazhuar me ndërtimin e veprave të tij. Kuptohet se kujdes të veçantë ai ka treguar për qytetin e Beratit. Veç veprave të tij të mirëfillta që ka ndërtuar në Berat, ai ka udhëhequr për disa dhjetëvjeçarë edhe zhvillimin urbanistik të tij. Studiuesit thonë se  Veprat origjinale të Mimar Kasemit qëndrojnë përkrah mjeshtrave të mëdhenj të mëparshëm. Madje, Mimar Kasemit i takoi barra ta mbyllte epokën e artit dhe të arkitekturës klasike osmane, ta mbyllte mbasi e përcolli atë në kulmin e saj, kur, si pasojë e zhvillimit të mëtejshëm të artit osman, nisi jetën e vet periudha e stilit barok. Për më se gjysmë shekulli ai ndërtoi një mori veprash monumentale, jo vetëm si arkitekt, por edhe si inxhinier konstruktor, hidroteknik dhe urbanist i shquar. Ai, gjithashtu, dha një ndihmesë të madhe për riorganizimin shtetëror të veprimtarisë ndërtimore të të gjithë perandorisë, por edhe si një personalitet me peshë në historinë e perandorisë osmane edhe në jetën e saj politike dhe shoqërore. Mjafton të përmendim këtu se është ai i pari që i propozoi sulltanit për të parin e Qyprilinje, të cilët më pas bënë një dinasti të tërë qeverisëse.

Grëmshi i shekullit të 16-të

Në kohën që flasim Grëmshi ishte një qendër e zhvilluar në Nahijen e Tomorricës. Ai kishte kishte 400 shtëpi dhe 18 dyqane, fshat-qytet jo i vogël për kohën, ku jetonin bejlerë e spahinj fermanlinj me tituj dhe me prona në Berat, Korçë, Fier, Maqedoni, Greqi, Thesali e gjetkë.  Mimar Kasemi ishte një mjeshtër i artit të ndërtimit me përmasa botërore. Nga studiuesit tanë, nga ana e Institutit të Monumenteve të Kulturës, veçanërisht Dr. Sulejman Dashi, janë bërë ekspedita kërkimesh për të gjetur veprat e përmendura në “Vakufname”, në Grëmsh, Berat, Dushnik, Roshnik, Dushar, Xhyrë, Kozarë, Fier-Mimar, Shals Ferras, Zhalzhan, Murrizë, Avaleas dhe Dragot të Elbasanit etj. Me interes ishin ato të fshatit të lindjes, në të cilat kishte gjurmë të të gjitha ndërtimet aty si xhamia, imareti, banja. Sipas traditës të gjitha këto objekte kishin qenë publike, të vakufuara. Bashkëkohëse me këto ndërtime ishin edhe varrezat e vjetra në hyrje të fshatit.

Merak të veçantë Beratin

Sipas studiuesve, dora dhe mendja e Mimar Kasëmit në Shqipëri, ndjehet më tepër se kudo në qytetin e Beratit të shekullit XVII, ku  përveç banjos publike me shumë dhoma dhe mullirit me gjashtë gurë të mëdhenj, ai ndërtoi për sadaka në pika të ndryshme të qytetit shtatë çezma monumentale. Por vepra madhështore e Mimar Kasemit në Berat   është ujësjellësi. Ky ujësjellës fillonte me mbledhjen e ujërave në kuotat e larta të lagjes Vakëf dhe e përshkonte me anë të një galerie nëntokësore të mbuluar me qemer. Më pas kalonte pranë xhamisë së plumbit, përshkonte lagjen e Skurajve dhe Pazarin e Vjetër, tashmë mbi rrugët e qytetit me anë të një arkde të lartë me harqe të panumërta dhe arrinte deri në lagjen Mangalem. Prej kësaj aorte, shpërndaheshin në të katër anët arteriet ujore të qytetit.



Veprat e arkitekt Kasëmit akoma nën tokë

Përveç veprave të tjera ndërtimore si mullinjtë, çezma, faltoret, banjot, shtëpi banimi, etj, në vende të ndryshme të Shqipërisë, ai mor me ndërtimin  dhe  mirëmbajtjen e dy rrugëve të rëndësishme mesjetare që lidhnin Beratin me Korçën dhe Beratin me Elbasanin për në Ohër. Në Dushar të Oparit dhe në Xhyrë të Librazhdit, aty ku sipas traditës ishin vendet e bujtjes së karvanëve, ai ndërtoi dy hane, disa ura dhe çezma. Ai ishte një nga ata njerëz që në mesjetë punonin në vendet e perandorisë osmane, por që nuk i humbisnin lidhjet dhe dashurinë për atdheun e vet. Këto janë veprat në Shqipëri. Po në Turqi. Aty ka akoma më shumë dhe janë të përmasave botërore, por fatkeqësisht shteti ynë bën pak për këto gjëra. Ato janë të pa studiuara dhe të pa vizitura nga specialistët tanë.

Arkitekt Sinani, “Mikelanxhelo” i Orientit

Ka qenë para arkitekt Kasëmit. Data e lindjes së arkitekt Sinanit si duket është ngatërruar për shkak të ndryshimeve dhe të kalendarëve krishterë dhe islam. Si i ri, Sinani ishte radhitur në repartet ushtarake të Sulltanit. Puna e parë, që e bëri të binte në sy ishte një urë ushtarake në  lumin Prut, Moldavi, të cilën ai e projektoi dhe e ndërtoi brenda 13 ditëve.  Nga ky moment Sulltan Sulejmani e mbante Sinanin afër dhe më vonë e bëri kryearkitekt të perandorisë. Evropianët krishterë, Sinanin e krahasonin me Mikeanxhelon e thërrisnin “Mikelanxheloja i Orientit”. Sinani si kryearkitekt punoi edhe gjatë kohës së sundimit të Selimit II, III dhe  Muratit. Nga projektet e kryera. Historianët e arkitekturës mendojnë se veprimtaria e tij ndahet në tri periudha. Në të parën, fazën e çirakllëkut, ai ndërtoi Xhaminë e Shezade Mehmetit në Stamboll; periudha e dytë ajo e kallfës, në të cilën ndërtoi Sulejmanien Madhështore po në Stamboll në një hark kohor prej 7 vjetësh, kushtuar Sulltan Sulejmanit; fazën e tretë dhe të fundit, në të ustallëkut, mjeshtërisë,  ndërtoi Selimijen në Edrene, në kohën kur mbretëronte Selimi i Tretë. Po ashtu Sinani është i njohur për ndërtimin e ujësjellësit të  40 çezmave (Kërkçeshme) në të Stamboll. Arkitekt Koxha Mimar Sinani ka vdekur në vitin 1490. Deri tani janë njohur si vepra të Sinanit, 84 xhami, 52 xhami të vogla (mesxhide), 57 medrese, 7 spitale, 22 maozeleume, 17 strehë vorfënore, 5 ujësjellësa, 8 ura, 20 hane dhe 48 hamame etj.

Si u zbeh fama e Grëmshit

Në gjithë këtë trevë në Mesjetë lulëzim më të madh pati fshati Grëmsh, sipas regjistrit osman, në vitin 1570 ai kishte 400 shtëpi dhe 18 dyqane, fshat-qytet jo i vogël për kohën, ku jetonin bejlerë e spahinj fermanlinj me tituj dhe me prona në Berat, Korçë, Fier, Maqedoni, Greqi, Thesali e gjetkë.  Kjo shtrirje bëri që emri dhe bëmat e Grëmshit të njihen brenda vendit, por edhe në sferat e larta të perandorisë osmane. Të njohur e bëri atë edhe biri i këtij fshati, Arkitekt Kasëmi, që në vitin 1595, pas shumë ndërtimeve që kish bërë në fshatin e tij të lindjes dhe në disa vise të tjera, u bë kryearkitekt i perandorisë me shumë kryevepra që janë edhe sot në Stamboll dhe Edrene. Edhe pse me një detyrë të rëndësishme e të vështirë, ai kishte merak Beratin dhe ka udhëhequr disa dhjetëvjeçarë ndërtimet e këtij qyteti. Grëmshi mori të tatëpjetën në kohën e shthurjes së spahillëkut, ku një pjesë e bejlerëve dhe spahinjve humbën pronat e tyre, sidomos në territorin grek ku kishte filluar revolucioni dhe lufta për shkëputje nga Turqia. E kësaj kohe ka qenë edhe lëvizja e frashërllinjve nga Grëmshi për të cilën Sami Frashëri në “Kamus Ul Alam”, faqe 123, thotë: “Bejlerët e Frashërit origjinalisht janë të shpërngulur prej rretheve të nënprefekturës së Tomorricës së Beratit dhe janë atdhesuar në katundin Stanimakë, që atyre iu dha si feud. Një tjetër figurë e shquar që pohon origjinën e tij nga kjo krahinë është edhe internacionalisti  italian Antonio Gramshi. Në një letër drejtuar motrës së gruas së tij nga burgu i Turit, më 12 tetor 1931, ai shkruan: “…Vetë unë nuk kam asnjë racë; im atë është me origjinë shqiptare të vonshme, familja iku nga Epiri pas ose gjatë luftës së vitit 1821…”. Pas shthurjes së sistemit të Spahinjve, Grëmshi u shpërbë. Shumë familje të këti fshati shkuan në Turbëhovë, në jug të fshatit të tyre, pjesa tjetër më e kamur shkoi në Prrenjas, Mëlovë dhe Zaloshnjë përtej lumit të Tomorricës; disa familje shkuan në Myzeqe, në luginënë e lumit të Tomorricës në pjesën e Gramshit;  në nahijen e Beratit, në Novaj, Nishovë, Kapinovë etj.

Vepra të Arkitekt Kasëmit

Në Shqipëri:

Në fshatin e tij, Grëmsh të Tomoricës: Vakëfi, xhamia, imareti, banjat publike, varret dhe çezmat e fshatit.

Në Skrapar:

Ura e Kasabashit

Në Berat:

Ujësjellsi i qytetit,  7 çezma

Ndërtimi i një pjese të lagjes Mangalem

Vepra të tjera në Dushnik, Roshnik, Kozare

Në Elbasan:

Vepra në Shals Ferras, Zhalzhan, Murrizë, Avaleas dhe Dragot

Në Korçë:

Hani në Dushar

Librazhd:

Hani në Xyrë


Në Stamboll:

Çezmat monumentale të Kizlaragait (1623)

Hipodromi i Stambollit

Xhamia e Kelli Ali Pashait

Sebili për Kemankesh Mustafa Pashën.

Rikonstruksioni i xhamisë së Validesë

Hoteli i madh Sepetxhiler

Qoshku Revan

Sarajet e kryevezirit Muhamet Qypyrlyku


Kryevepra të Artit Oriental:

Qoshku Bagdad në Topkapi Sarai

Ura me Tre Harqe në Babaeski, që lidh Stambollin me Edrenenë