Atintanët - Fisi i madh ilir që shtrihej midis Skraparit dhe Mallakastrës **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Atintanët - Fisi i madh ilir që shtrihej midis Skraparit dhe Mallakastrës

Fatjon Kaloci
6.6.23


Atintanët ishin një ndër fiset më të mëdha të Ilirisë së Jugut. Ky fis shtrihej në krahinat e sotme të Mallakastrës e të Skraparit. Në perëndim kishin Apoloninë dhe parthinët, në veri desaretët, në jug lumin Aous (Vjosa) që i ndante nga amanët e epirotët. 

Për herë të parë përmenden në burimet historike në shek. V p.e.r. si aleatë të molosëve. Patën lidhje të ngushta me aleancën Epirote rreth vitit 312 p.e.r. aq sa një ersonalitet atintan u nderua nga shteti epirot me dekret të posaçëm të skalitur mbi gur. Disa autorë të lashtë i quajtën epirot, duke u nisur nga lidhjet me molosët e më pas me shtetin e Epirit. 

Më 229 paria e Atintanëve mori anën e Romës në luftën kundër shtetit ilir të Teutës. Sipas marrëveshjes romako-maqedone më 205 në Foinike Atintania iu lëshua Maqedonisë, përveç tokave të bylynëve, që mbetën si bashkësi (Koinon) më vete nën kontrollin romak. Me ndarjen administrative që bënë romakët në Maqedoni pas vitit 168 p.e.r. Atintania u përfshi në krahinën e IV maqedone. 

Pjesa Perëndimore e Atintanias (Mallakastra e Skrapari) ishte më e zhvilluar nga ana ekonomike-shoqërore. Kishte një varg qytetesh, ndër të cilat më të rëndësishme ishin Bylisi e Nikaia.

Hasan Ceka ishte i pari që i kushtoi një artikull të veçantë lokalizimit dhe historisë së atintanëve, ku i konsideron ata si një fis ilir me shtrirje në prapatokën e Apollonisë, në krahinat e sotme të Mallakstrës, Skraparit dhe Oparit, duke përjashtuar trevën e Beratit, si dhe luginën e Drinosit. 

Mbi bazën e te dhënave të autorëve të lashtë dhe atyre epigrafike, ai bëri edhe rindërtimin e historisë atintane në një formë që nuk ka ndryshuar shumë nga studimet e mëvonëshme. S. Islami i vendos atintanët në Mallakastër e Skrapar, por jo në Opar dhe as në luginën e Drinosit. P. Cabanes e vendos Atintaninë në bregun e djathtë të Aosit, nga Tepelena në fushën e Myzeqesë, duke përfshirë Mallakastrën dhe Skraparin, por jo luginën e Drinos.